PROTESTË NË KAMËZ, ANULO VENDIMIN!
Lëvizja BASHKË organizoi sot protestën e dytë kundër rritjes tinëzare dhe të padrejtë të çmimit të biletës së urbanit të Kamzës dhe Paskuqanit.
Ndërsa Këshilli Bashkiak i Kamzës zhvillonte mbledhjen e radhës, banorët e Kamzës protestonin përballë dyerve të Bashkisë, duke kërkuar anulimin e rritjes së çmimit të biletës dhe abonë falas për pensionistët dhe studentët e Kamzës.
Gjatë protestës u vu theksi te nënshtrimi dhe servilizmi i kryebashkiakut Rakip Suli dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak (PS dhe PD) ndaj oligarkut vendas që drejton kompaninë e autobusëve "Shpresa–AL". Një nga qytetet me popullsinë më të varfër në vend, që furnizon edhe ushtrinë e punëtorëve të keqpaguar që mbushin fabrikat dhe punishtet e Tiranës, sot ka çmimin më të shtrenjtë të biletës së urbanit.
Mungesa e argumenteve nga ana e kompanisë dhe e Këshillit Bashkiak për rritjen e çmimit të biletës ka bërë që dy institucione të rëndësishme shtetërore, si Autoriteti i Konkurrencës dhe ILDKPI, të nisin hetime për shkelje të rregullave të konkurrencës dhe të ndëshkojnë një nga anëtarët e Këshillit Bashkiak për konflikt interesi.
Lëvizja BASHKË dhe qytetarët e Kamzës do të dalin sërish në protesta të tjera, derisa të anulohet rritja e çmimit të biletës dhe të merren në konsideratë kërkesat e peticionit që i është dërguar Bashkisë Kamëz për miratimin e abonesë falas për pensionistët dhe studentët e Kamzës.
Populli i bashkuar ka për të fituar!