Prezantohet në Shkodër Platforma e Daljes nga Kriza
Gjatë ditës së sotme aktivistët e Lëvizjes BASHKË ishin në Shkodër për të prezantuar Platformën e Daljes nga Kriza dhe për të dëgjuar nga afër qytetarët mbi problemet, kritikat dhe idetë e tyre. Përgjigjia e marrë ishte mëse e qartë: na duhet ndryshim real.
Bisedat me qytetarët shkodranë shpalosën edhe problemet me të cilat ata përballen çdo ditë, duke filluar nga ato të natyrës së përgjithshme si çmimet e larta, puna e keqpaguar, pensionet e ulëta dhe korrupsioni i gjithanshëm. Probleme këto, që dëmtojnë perspektivën e rinisë dhe ulin standardin e jetës për qytetarët.
Veç këtyre, Shkodra po preket edhe nga fenomene negative lokale që deri vonë ishin të panjohura për të. Ndër më problematikët mbetet betonizimi i qytetit dhe zonës, i cili po fillon të marrë formë me ritmin e shtuar të ndërtimeve, ndërtimin e kullës së parë në qendër të qytetit, duke prishur kështu edhe identitetin karakteristik, dhe atë të resortit të oligarkut Bashkim Ulaj në tokën e banorëve të Rrjollit, njëkohësisht zonë e mbrojtur.
Qytetarët shkodranë kanë nevojë për një qeverisje qendrore dhe lokale të pakorruptuar, që zbut pabarazinë, siguron mirëqenien e të gjitha shtresave dhe ruan një qytet me të vërtetë të jetueshëm.