PRESIONI NDËRKOMBËTAR NDAJ ALBIN KURTIT ËSHTË I NJËANSHËM

Qeveria e Republikës së Kosovës po gjendet nën një trysni ndërkombëtare mbytëse në lidhje me procesin e negociatave me Serbinë. Pika më e nxehtë është ndarja administrative me karakter etnik e vendit, si dhe niveli i autonomisë të bashkësisë së komunave serbe. Pa dashur të hyj në detajet e koklavitura të çështjes, është mirë të sqarohen disa fakte e parime elementare:

1. Historia e popullit të Kosovës është përplot masakra, shpërngulje masive, aparteid, burgosje, persekutime e diskriminim që regjimet e njëpasnjëshme shoviniste të Beogradit kanë ushtruar në intensitete të ndryshme gjatë shekullit XX.

2. Sot Serbia, fatkeqësisht, udhëhiqet nga e njëjta frymë politike shoviniste e patronizuese ndaj Kosovës dhe popullit të saj.

3. Sot Kosova udhëhiqet nga një forcë politike që, pavarësisht rezervave, është përfaqësuese e shumicës së popullit të saj dhe ka karakter përparimtar.

4. Presioni ndërkombëtar ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe veçanërisht ndaj kryeministrit Albin Kurti, është i njëanshëm, i padrejtë dhe i ka kaluar caqet e diplomacisë së shëndetshme. Në këtë kontekst, thirrja nga ambasada amerikane e një takimi me të gjithë faktorët politikë e shoqërorë në Kosovë, përveç përfaqësuesve të qeverisë, është skandaloze dhe të lë vend të dyshosh për minimin e një qeverie të ligjshme e legjitime.

5. Minoriteti serb në Kosovë duhet të gëzojë të gjitha të drejtat që u njihen sot minoriteteve në vendet më të përparuara. Ndoshta edhe diç më shumë, duke marrë parasysh kontekstin. Po rregullimi institucional i organizimit të tyre nuk mund të cenojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe karakterin e tij si shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë kombëtare.

6. Çdo proces negociator duhet të ketë për pikëmbërritje njohjen e plotë të shtetësisë së Kosovës nga përfaqësuesit e shtetit të Serbisë.

7. Mjerisht në Shqipëri asnjë faktor politik nuk po flet, madje as po mërmërin, për situatën aktuale në Kosovë. Edi Rama duket që vepron në të kundërt të drejtave të popullit të Kosovës ca “për inat të sime vjehrre”, ca për oportunizëm politik. Pseudo-opozita, që ka për borxh të valëvisë 100 herë në ditë flamurin kombëtar dhe t’i vizatojë kufijtë e Shqipërisë etnike deri në Panoni, s’pipëtin.

Kur në vitin 2021 Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet në Kosovë, unë nuk mbajta asnjë qëndrim publik. E kam pasur gjithnjë zët të hidhesha në karron e fitimtarit. Sidomos kur shihja asokohe se nuk mbeti parti, partizë a grupth pa i thurur lavde Albin Kurtit dhe VV, me shpresën budallaqe se suksesi politik është sëmundje ngjitëse. Por sot nuk mund të rri pa ngritur zërin për popullin e Kosovës dhe përfaqësuesit e tij legjitimë.

- Shkruan Arlind Qori, Kryetar i Lëvizjes BASHKË.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/presioni-nderkombetar-ndaj-albin-kurtit-eshte-i-njeanshem/