PLATFORMA E DALJES NGA KRIZA
Në kuadrin e aksionit tonë politik për rrëzimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, përfaqësuesi ynë në Kuvendin e Shqipërisë Redi Muçi do të marrë iniciativën e propozimit të ligjeve dhe amendamenteve që do të forconin luftën kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, do të demokratizonin shtetin dhe do të përmirësonin gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Që iniciativat tona parlamentare të kenë sukses, na duhet mbështetja e gjerë e qytetarëve përmes firmave dhe pjesëmarrjes në protestat e ardhshme.
Të gjithë bashkë kërkojmë nga Kuvendi i Shqipërisë:
- Ndryshime në Kodin Penal për:
- rëndimin e dënimeve të korrupsionit aktiv dhe pasiv deri në 20 vite burg;
- heqjen e afateve të parashkrimit për veprat penale të korruptimit aktiv dhe pasiv të zyrtarëve të lartë të shtetit, sidomos për rastet e kapjes së shtetit (hartimit të ligjeve dhe akteve normative të porositura), si dhe të ndikimit të krimit të organizuar në vendimmarrjen shtetërore dhe veprimtaritë politike;
- rëndimin e dënimeve për krime zgjedhore deri në 10 vite burg.
- Forcimin e institucioneve që luftojnë korrupsionin dhe zhbërjen e kapjes së shtetit përmes:
- rritjes së kapaciteteve për hetimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të vendosura prej korrupsionit dhe krimit të organizuar;
- forcimit të mbrojtjes ligjore dhe masave të konfidencialitetit për sinjalizuesit e praktikave korruptive;
- abrogimit të ligjit për investimet strategjike.
- Ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për:
- koncesionet dhe përfituesit nga ligji për investimet strategjike.
- privatizimet e mëdha dhe tjetërsimin e pasurive dhe pronave publike.
- Ndryshimin e legjislacionit zgjedhor përmes:
- hartimit të një ligji të posaçëm për financimin e partive politike, duke pamundësuar financimin e tyre nga krimi i organizuar dhe oligarkia ekonomike;
- hartimit të një ligji që siguron gjurmimin e procesit ligjvënës dhe bën transparente çdo praktikë të ligjshme të ndikimit të vendimmarrjes nga grupet e interesit.
- ndalimit të përfshirjes në fushata zgjedhore të punonjësve të administratës publike, përveç rasteve kur janë vetë kandidatë.
- Mbështetjen ekonomike të qytetarëve përmes miratimit të ligjeve të:
- minimumit jetik;
- Statusit të Minatorit.