PESHQIT E VEGJËL TË SHËNDETËSISË NUK MJAFTOJNË

Edi Rama dhe Ilir Beqaj para godines se Spak

SPAK-u ka lëshuar disa urdhra - me masa të ndryshme sigurie, dy prej të cilave “arrest me burg” për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapajn - në lidhje me tenderin e sterilizimit. Prej tre vitesh SPAK-u ka nisur një hetim në lidhje me këtë tender që u fitua nga Ilir Rrapaj. Sipas BIRN-it, për më shumë se një dekadë Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh. Kjo kompani me vetëm një të punësuar në Itali arriti të fitonte në Shqipëri një tender kaq të lakmuar prej rreth 100 milion dollarësh. Procedura e koncesionit 10-vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur në 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj. Pak kohë më parë emisioni investigativ i gazetares Klodiana Lala ‘Në shënjestër’ siguroi të dhënat që flisnin për korrupsionin në sektorin e shëndetësisë sa i takon tenderit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro. Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e shtatë të operimit, dhe ka shënuar rritje të ndjeshme të kostove të parashikuara. Kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur publikisht me superlativa këtë koncesion, duke vënë vazhdimisht në krahasim se si e kishte parë ai gjendjen në shëndëtësi gjashtë vite më parë. Më pas justifikoi koncesionin e sterlizimit të pajisjeve mjekësore duke theksuar se në shëndetësi do të vazhdohet më tej me të njëjtën skemë. Anëtarët e komisionit që përgatitën studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion. Prej disa kohësh ish-ministri Beqja e mohonte njohjen me biznesmenin Rrapaj, por pas publikimit nga BIRN-i të disa fotografive të tij me Ilir Rapajn duket se ish-ministri u kujtua. Ky është skandali i radhës i qeverisë së Edi Ramës, ku qindra miliona euro shkojnë për kompani fantazmë me kapital të dyshimtë dhe shërbime fiktive. Njësoj si me inceneratorët, edhe sterilizimi ka sjellë një dëm prej miliona eurosh që do t’u rëndojë xhepave të popullit më të varfër në Evropë. Të besosh që e gjithë kjo skemë është sajuar pas krahëve të ish-ministrit Ilir Beqja dhe kryeministrit Edi Rama, është një naivitet i madh. Prandaj Lëvizja BASHKË kërkon që hetimi i SPAKU-t të sjellë përpara përgjegjësisë të gjithë fajtorët. Ne besojmë se kokat e vërteta të këtyre skemave janë Edi Rama dhe Ilir Beqja. Kjo qeveri, të cilës përditë po i del nga një skandal i ri, duhet të largohet sa më parë.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/peshqit-e-vegjel-te-shendetesise-nuk-mjaftojne/