PËRTEJ KUFIJVE, NJË PËRPJEKJE PËR DINJITET!
Shteti i së drejtës nuk mund të ndërtohet pa mundësinë e barabartë për arsimim dhe zhvillim profesional. Prandaj gjuha amtare, e njohur si e drejtë kushtetuese, nuk mund të trajtohet si pengesë burokratike nga zyrat e pushtetit.
Sot, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk po kërkojnë thjesht ndryshimin e një procedure teknike; ata po ngrenë zërin kundër një sistemi që de facto i mban në margjinat e shoqërisë duke u mohuar mjetin kryesor të dijes dhe ndërtimit të identitetit: gjuhën shqipe.
Refuzimi i provimeve shtetërore në gjuhën amtare është shprehje e një diskriminimi institucional dhe e segregacionit të fshehur pas vulave zyrtare. Kur një student detyrohet të vlerësohet në një gjuhë që nuk është e tija, ai nuk po testohet për dijen, por po ndëshkohet për prejardhjen dhe identitetin e vet. Kjo padrejtësi rëndon mbi supet e të rinjve e të rejave që duan të ndërtojnë jetën me punë e dinjitet.
Ne në Lëvizja BASHKË solidarizohemi me kërkesën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe bëjmë thirrje për një zgjidhje sa më të shpejtë institucionale.