Përmbytjet në Durrës: Dështimi i betonuar i shtetit dhe llogaria e papaguar e investimeve publike!

Qyteti i Durrësit i përmbytur, pamje nga lart.

Nga Llambion Dhimitri, inxhinier hidroteknik dhe anëtar i Lëvizjes BASHKË.

Përmbytjet e sotme në Durrës nuk janë “fenomen natyror”, as “reshje të jashtëzakonshme” dhe aq më pak “fatkeqësi të paparashikueshme”. Ato janë pasojë direkte e një politike të qëndrueshme neglizhence, ku qeveria ka zgjedhur të investojë në fasada, sheshe dekorative dhe propagandë, ndërsa ka braktisur infrastrukturën bazë urbane që mban qytetet funksionale.

Durrësi, porta kryesore detare e vendit, u mbyt sot nga shiu sepse sistemi i kullimit urban është teknikisht i vdekur: i nën-dimensionuar, i bllokuar, i fragmentuar dhe pa asnjë mirëmbajtje serioze prej vitesh. Kjo nuk është mungesë dijesh, është mungesë vullneti politik.

Gjendja aktuale: Një qytet i projektuar për shiun e viteve ’70!

Rrjeti i kanalizimeve të ujërave të bardha në Durrës funksionon mbi standarde të tejkaluara hidraulike, të ndërtuara për intensitete reshjesh që nuk përputhen më me realitetin klimatik aktual. Urbanizimi ka rritur ndjeshëm koeficientin e rrjedhjes sipërfaqësore (runoff coefficient), por seksionet e kolektorëve kanë mbetur të pandryshuara.

Sipërfaqe masive janë betonuar pa asnjë zgjidhje për infiltrimin natyror.
Kanale dytësore janë mbushur ose zhdukur nga ndërtimet.

Pusetat funksionojnë si dekor, jo si element hidraulik.

Nuk ekziston asnjë sistem rezervimi apo devijimi të prurjeve të pikut.

Qeveria e di këtë. Bashkia e di këtë. Institucionet teknike e dinë këtë. Dhe megjithatë, zgjidhja e vetme që ofrohet çdo vit është justifikimi dhe premtimi për “studime të reja”.

Çfarë do të kishin bërë investimet reale

Nëse qeveria do të kishte investuar seriozisht në menaxhimin e ujërave urbane, sot situata do të ishte krejt tjetër. Zgjidhjet janë të njohura, të dokumentuara dhe të zbatueshme:

  1. Ridimensionim hidraulik i rrjetit kryesor
    Rrjeti i kolektorëve duhej të ishte ridimensionuar sipas reshjeve 50–100-vjeçare, duke përdorur modele hidrologjike dhe hidraulike (p.sh. SWMM, InfoWorks). Kjo do të eliminonte mbingarkesën e menjëhershme të sistemit gjatë reshjeve intensive.
  2. Sisteme retensioni dhe detensioni urban
    Rezervuarë nëntokësorë, basene akumulimi dhe struktura detensionuese do të ulnin pikun e prurjeve dhe do ta shpërndanin ngarkesën në kohë. Këto janë investime standarde në çdo qytet normal evropian.
  3. Infrastruktura “blue–green”
    Sipërfaqe të përshkueshme, gjelbërim funksional, kanale të hapura urbane dhe zona infiltrimi do të rikthenin një pjesë të ciklit natyror të ujit, i cili sot është shkatërruar nga betoni pa kriter.
  4. Mirëmbajtje sistematike, jo emergjenca televizive
    Pastrim periodik i pusetave, inspektim me kamera i kolektorëve dhe menaxhim aktiv i rrjetit do të kushtonin shumë më pak sesa dëmet e përsëritura çdo vit.

Pse nuk u bënë këto investime?

Sepse nuk japin foto për fushatë. Sepse janë nën tokë. Sepse nuk duken në dron. Sepse nuk prodhojnë inaugurime mujore. Qeveria ka zgjedhur të investojë aty ku duket, jo aty ku funksionon.

Përmbytjet në Durrës janë pasqyra më e qartë e një shteti që nuk planifikon, por improvizon, që nuk ndërton sisteme, por justifikime. Sot u mbytën rrugët; nesër do të mbyten shtëpitë; pasnesër do të quhet sërish “mot i keq”.
Por moti nuk është problemi.

Problemi është një qeveri që ka zgjedhur betonin mbi inxhinierinë, propagandën mbi planifikimin dhe heshtjen mbi përgjegjësinë.

Dhe çdo pikë uji në rrugët e Durrësit sot është një faturë politike që po paguhet nga qytetarët."