PËR TË TETËN HERË ME PENSIONISTËT

Sot Lëvizja BASHKË dhe grupimi Pensionistët Bashkë organizuan protestën e tetë radhazi për minimum jetik, pensione dinjitoze dhe drejtësi shoqërore. Pensionistët janë të indinjuar nga logjika e lëmoshës elektorale që po përdor qeveria për të fshehur paaftësinë e saj për t'u përballur me problemet strukturore të ekonomisë dhe shtetit social në Shqipëri.
Shqipëria mbetet vendi me pensionet dhe pagat më të ulëta në Ballkan, me informalitetin dhe shkeljet më të mëdha në vendin e punës, me korrupsion dhe kapje të gjithanshme shteti nga oligarkia ekonomike.
Zinxhiri i protestave tona kërkon t'u thërrasë të gjitha shtresave të nëpërkëmbura shoqërore: pensionistëve dhe punëtorëve, të rinjve dhe shtresës së mesme, sipërmarrësve të vegjël dhe çdo qytetari që pëson padrejtësi.
Ne do të vazhdojmë ta ngremë zërin për drejtësi shoqërore çdo ditë, përpara dhe pas zgjedhjeve, duke u organizuar me çdo qytetar që kërkon ndryshimin e madh.
Ju presim në protestat e ardhshme!