PËR TË DREJTAT E MOHUARA TË PUNËTORËVE

Arlind Qori dhe aktiviste te Levizjes Bashke duke mbajtur qendrim perpara kryeministrise

Sot në mesditë një grup aktivistësh të Lëvizjes BASHKË u mblodhën përpara kryeministrisë për të denoncuar indiferencën e qeverisë për shkeljen e të drejtave të punëtorëve. Në këto ditë të nxehta, punëtorët e ndërtimit në veçanti nuk gëzojnë mbrojtje të jetës dhe shëndetit të tyre duke mos punuar gjatë orëve më të nxehta të ditës,të drejtë që qeveria ua ka njohur punonjësve të administratës publike, të cilët punojnë në zyra me kondicioner. Nga ana tjetër ne ngremë shqetësimin për kushtet e vështira të punës, punën në të zezë, pa kontrata të rregullta, me orare të zgjatura dhe pa pagesë shtesë për mbipunën për shumicën e punëtorëve të sektorit të fasonerisë dhe hoteleri-turizmit. Fatkeqësisht Shqipëria qeveriset nga një kryeministër që mburret se në vendin tonë nuk ka sindikata. Të pambrojtur nga sindikata të fuqishme, punëtorët shqiptarë i nënshtrohen formave më të skajshme të shfrytëzimit. Lëvizja BASHKË i kërkon qeverisë të marrë masa për mbrotjen e të drejtave dhe shëndetit të punëtorëve, duke kufizuar orët e punës në orët e vapës së skajshme, pa reduktim page për punëtorët, si dhe duke vënë në punë Inspektoratin Shtetëror të Punës. Ne u bëjmë thirrje punëtorëve të organizohen në sindikata të forta e demokratike. Sindikatat janë kusht jo vetëm i mbrotjes së të drejtave të punëtorëve, por edhe i demokracisë në vend. Lëvizja BASHKË do të jetë përherë në krah të punëtorëve.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/per-te-drejtat-e-mohuara-te-punetoreve/