Pensionistët kërkojnë drejtësi dhe dinjitet

Pensionistët në protestë! Të mërkurën, 23 tetor, ora 10:00, përpara kryeministrisë.

Më 23 tetor, ora 10:00, përpara Kryeministrisë të gjithë pensionistët, shtresat në nevojë dhe qytetarët e ndershëm duhet të protestojnë kundër një qeverie që për 12 vite ka braktisur njerëzit e zakonshëm dhe ka favorizuar oligarkët!

Ndërsa ekonomia rritet dhe paratë e pista investohen në kullat që mbijnë kudo në Tiranë, pensionistët shqiptarë përballen me pensione të pamjaftueshme, që nuk mbulojnë dot as nevojat bazike. Rritja e fundit e pensioneve, me vetëm 4.1%, ndërkohë që inflacioni ushqimor është mbi 9%, është një ofendim për ata që kanë ndërtuar këtë vend. Pensionistët blejnë më pak sot sesa në vitin 2023.

Ku është Minimumi Jetik? Pse Edi Rama refuzon ta përcaktojë me ligj, ndërkohë që në vendet e tjera të rajonit pensionet janë shumë më të larta? Kjo është një politikë që favorizon një grusht oligarkësh dhe lë në harresë të moshuarit dhe shtresat në nevojë. Pensionistët shqiptarë jetojnë në varfëri, ndërsa qeveria ndërton kulla dhe u shërben vetëm interesave të të pasurve.

Edi Rama është në pushtet prej 12 vjetësh, duke u mburrur me rritjen ekonomike dhe forcimin e lekut, ndërsa pensionistët janë lënë pas, të mbetur në varfëri. Ndërkohë që shtetet fqinje, si Kosova, kanë rritur ndjeshëm pensionet e tyre, qeveria Rama refuzon të bëjë një hap dinjitoz për të përmirësuar jetën e të moshuarve në Shqipëri. Ata që ndërtuan këtë vend sot janë të lënë mënjanë dhe të shpërfillur nga politika.

Pensionet nuk janë favor, por e drejtë!

Prandaj, të bashkohemi të gjithë më 23 tetor, në orën 10:00, përpara Kryeministrisë, dhe të kërkojmë rritje dinjitoze të pensioneve dhe respekt për të moshuarit!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/pensionistet-kerkojne-drejtesi-dhe-dinjitet/