PARLAMENTI NUK DO T'IA DIJË PËR VULLNETIN E 21.000 QYTETARËVE

Jani Marka duke mbajtur komunikate perpara Kuvendit

Kanë kaluar më shumë se pesë muaj që prej ditës kur aktivistët e Lëvizjes BASHKË dorëzuan në Kuvendin e Shqipërisë nënshkrimet e 21.000 qytetarëve për miratimin e ligjit të minimumit jetik. Që prej asaj dite Kuvendi jo vetëm që nuk e ka shqyrtuar projektligjin e hartuar nga ekspertë të ekonomisë dhe ligjvënies, por as ka kthyer përgjigje se kur ky projektligj do të hyjë në agjendën parlamentare. Ligji i minimumit jetik është një prej shtyllave më të rëndësishme sociale që i mungojnë shtetit shqiptar. Në mungesë të tij, Shqipëria ka një prej niveleve më të ulta të pensioneve dhe ndihmës ekonomike në Evropë. Mungesa e tij ndikon edhe në nivelin e ulët të pagave dhe shërbimeve të tjera sociale. Shumica qeverisëse nuk ka në plan të merret me shumicën e varfër e të nëpërkëmbur të shoqërisë. Në vend të të drejtave që u takojnë me ligj, kërkon t'i mbajë të varfrit nën presionin e raporteve klienteliste, për t'u blerë votën dhe kërcënuar vullnetin politik. Qeveria Rama është sy e veshë për interesat e oligarkëve, prej lejeve të ndërtimit për kulla te koncesionet. Ajo është qeveri që i shërben vetëm një pakice numerikisht të papërfillshme të shoqërisë. Lëvizja BASHKË e ka dhe do ta ketë ngaherë përparësi miratimin e minimumit jetik. Ne do t'i dalim për zot vullnetit të 21.000 qytetarëve që na kanë besuar firmën. Veprimi ynë politik nuk do të rreshtë së ngrituri ndërgjegjen qytetare për të kërkuar këtë të drejtë bazike. Me aksion politik, protesta dhe çdo veprim demokratik.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/parlamenti-nuk-do-tia-dije-per-vullnetin-e-21000-qytetareve/