PARKUT PO I BËJNË GROPËN
Aktivistët e Lëvizjes BASHKË dëshmojnë se shkatërrimi i parkut pas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka avancuar ndjeshëm. Fadromat e kompanisë Nova Construction kanë shkulur pemët dhe po hapin themelet e përbindëshit të radhës prej betoni. Dalëngadalë qytetit do t’i merret fryma dhe qytetarët do të kenë një park më pak. Këto ditë Lëvizja BASHKË ka dërguar disa shkresa drejt institucioneve përgjegjëse pasi dyshojmë se leja e ndërtimit është dhënë në kundërshti me ligjin. Zvarritja e dhënies së informacionit për procedurat e dhënies së lejes së ndërtimit, përputhjen e saj me planin urbanistik dhe kryerjen e konsultimit me banorët është pjesë e omerta-së mafioze që kërkon të fshehë ndërtimin e kësaj kulle. Katër protestat e organizuara nga Lëvizja BASHKË për mbrojtjen e parkut e nxorën këtë krim ndaj qytetit në dritën e diellit të vëmendjes publike. Gjithsesi mbrojtja e parkut kërkon më shumë angazhim dhe vetëbesim nga qytetarët. Ndaj i ftojmë të gjithë të ngrenë zërin për këtë goditje të rëndë ndaj jetës urbane, individualisht dhe kolektivisht. Vetëm kësisoj do të mundemi ta transformojmë rezistencën qytetare në një aksion masiv dhe të suksesshëm. Nëntoka kriminale, oligarkia ekonomike dhe politikanët e korruptuar nuk mund të fitojnë gjithmonë!