Nuk po del muaji!
“Nuk po del muaji”, shprehen pensionistët, ndërsa rritja e çmimeve dhe kostos së jetesës po i zhyt gjithnjë e më shumë në dëshpërim e varfëri. Edhe pse konsumi ka rënë dhe njerëzit blejnë gjithnjë e më pak, një pakicë vazhdon të pasurohet pa masë.
Sot, deputeti i Lëvizjes BASHKË, Redi Muçi, kryetari i saj Arlind Qori, së bashku me Sekretaren Organizative Mirela Ruko, ishin në Elbasan, ku prezantuan Platformën e Daljes nga Kriza dhe u takuan drejtpërdrejt me qytetarët për të diskutuar problemet reale që ata përballojnë çdo ditë.
Paradoksi është se ndërsa shumica shtrëngohet, një grusht i vogël njerëzish grumbullon pasuri. Edhe pse korrupsioni prodhon çdo ditë skandale të reja, përgjegjësit mbeten të paprekur duke përdorur pushtetin politik kundër drejtësisë.
Pikërisht për këto arsye, Lëvizja BASHKË ka shpallur alternativën e saj për daljen nga kjo krizë e gjithanshme. Na duhet një model që vendos në qendër qytetarin, drejtësinë sociale dhe ekonominë në shërbim të shumicës.
Shqipëria ka nevojë për ndryshim real, jo për riciklim të të njëjtit sistem që riprodhon varfëri.