NË SHQIPËRI I MBROJTUR ËSHTË VETËM KORRUPSIONI
Sot deputetët e shumicës parlamentare miratuan ligjin për cenimin e zonave të mbrojtura në emër të thithjes së investimeve strategjike. Sipas këtij ligji, asnjë habitat natyror apo park kombëtar nuk do të jetë i mbrojtur nga ndërtimet dhe tjetërsimi. I vetmi që do të ketë në kontroll zonat deri dje të mbrojtura do të jetë Edi Rama. Me këtë ligj Rama dhe shumica parlamentare po i bëjnë favorin e radhës oligarkisë vendase, duke e trajtuar natyrën si shesh ndërtimi. Ata që pastrojnë paratë e pista – pasi kanë zaptuar parqet dhe hapësirën publike në Tiranë, si dhe kanë tjetërsuar një pjesë të konsiderueshme të bregdetit – tanimë nuk do të kenë asnjë kufi përveç ujdisë së interesave korruptive me pushtetarët politikë. Modeli i keqzhvillimit që po çon përpara prej vitesh qeveria po falimenton industritë vendase dhe nuk po bën asnjë përçapje në ngjitjen e Shqipërisë në zinxhirin ndërkombëtar të vlerës. Ekonomia shqiptare ka gjithnjë e më pak vend për punë të kualifikuar dhe investime afatgjata. Në vend të tyre, është duke u nxitur çmendurisht sektori i ndërtimit, pa kufij e pa kriter, ku në njërën anë pastrohen paratë e veprimtarive kriminale e korruptive dhe në tjetrën mbahet në këmbë një rrjetë klienteliste që forcon kapjen e shtetit dhe shoqërisë nga partia në pushtet. Lëvizja BASHKË ishte sot në protestë bashkë me veprimtarë mjedisorë për t’iu kundërvënë këtij ligji shkatërrimtar për natyrën dhe parametrat e zhvillimit të qëndrueshëm. Në protestë u ndeshëm me indiferencën dhe, në një rast, rrugaçërinë e deputetëve anonimë e famëkëqij të pushtetit. Ata e mendojnë veten të përjetshëm. Por e kanë gabim. Po afrohet dita kur secili prej tyre do të japë llogari përpara ligjit dhe popullit për krimet dhe gjëmat.