Në Durrës për Platformën e Daljes nga Kriza

Aktivistë të Lëvizjes BASHKË në Durrës duke biseduar me qytetarët

Sot, deputeti i Lëvizjes BASHKË, Redi Muçi, kryetari i saj Arlind Qori, së bashku me Sekretaren Organizative Mirela Ruko, iu bashkuan në terren bazës së Lëvizjes BASHKË në Durrës për prezantimin e Platformës së Daljes nga Kriza. Qytetarët që morën pjesë u shprehën qartë: kërkojnë një alternativë të re politike, që i jep fund modelit të vjetër dhe u përgjigjet problemeve reale të përditshme.

Në diskutimet me qytetarët dolën në pah problemet ekonomike që po prekin përditshmërinë e tyre: kriza ekonomike, rritja e çmimeve, kostoja e lartë e jetesës, pensionet e ulëta, korrupsioni, varfëria dhe pabarazia që po thellohet çdo ditë. Këto shqetësime u theksuan si problemet më urgjente, që po rëndojnë drejtpërdrejt jetën e familjeve.

Më tej, qytetarët ngritën edhe problemet specifike të Durrësit: ndërtimet pa kriter që kanë deformuar qytetin dhe bregdetin, mungesa e një plani urbanistik funksional, përmbytjet e shpeshta sa herë bie shi, për shkak të infrastrukturës së dobët, projektet që prekin portin e Durrësit dhe TID Durrësin, mënyra si po zhvillohet rindërtimi pas tërmetit dhe mungesa e transparencës në vendimmarrje.

Qytetarët kërkojnë një model zhvillimi që vendos interesin publik mbi fitimin e një pakice dhe garanton një qytet të jetueshëm për të gjithë.