Motoristët e WOLT Protestojnë Kundër Uljes së Tarifave dhe Bonuseve
Sot motorisët e kompanisë WOLT kanë dalë në protestë për të ngritur zërin kundër uljes së padrejtë të tarifave dhe bonuseve nga ana e kompanisë. Këta punëtorë, të cilët sigurojnë një shërbim të domosdoshëm për qytetarët, janë përballur me një përkeqësim të kushteve të punës dhe rritje të pasigurisë ekonomike. Në një sektor që tashmë është i njohur për informalitetin, mungesën e mbrojtjes sociale dhe të drejtave të punëtorëve, ulja e përfitimeve ekonomike për motorisët përbën përshkallëzim të shfrytëzimit dhe padrejtësisë.
Motorisët e WOLT-it, ashtu si shumë punëtorë të tjerë të shpërndarjes, përballen me punë të rrezikshme dhe orë të gjata, ndërsa pagat dhe mbështetja nga punëdhënësit nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e tyre. Kjo protestë është një akt i domosdoshëm rezistence për të kërkuar të drejtat e mohuara dhe për të mbrojtur dinjitetin e tyre në vendin e punës.
Në këtë betejë të drejtë, Lëvizja BASHKË është në krahun e punëtorëve dhe shpreh mbështetjen e saj të plotë ndaj motorisëve të WOLT dhe gjithë punëtorëve të sektorit të shpërndarjes. Ne u bëjmë thirrje të gjithë punonjësve të bashkohen, të organizohen dhe të rezistojnë kundër padrejtësive dhe shfrytëzimit.
Lëvizja BASHKË është dhe do të jetë gjithmonë në krah të tyre sepse punëtorët e mbajnë në këmbë një shoqëri!