MINATORËT E BULQIZËS NË DITËN E PESTË TË GREVËS

Sot u njoftuam se minatorët e Bulqizës janë në ditën e pestë të grevës. Në media nuk gjendet asnjë lajm. Në vend të tyre, ekranet janë plot me spektakle, propaganda qeveritare, allishverishe me listat e deputetëve dhe lajme boshe për jetën e VIP-ave. Asnjë lajm për minatorët!
Kërkesat e minatorëve të Bulqizës, që punojnë në galeritë e Albchrome-it me pronar kompaninë turke Yildirim Holding, janë këto:
- Respektimi i kontratës së punës, përfshirë rritjen e pagave të premtuara që nga janari.
- Pagesa e shtesës prej 4% për inflacionin, të cilën qeveria e ka miratuar, por kompania nuk e ka zbatuar.
- Ndërprerja e punës së detyruar të shtunave, pa marrëveshje dhe pa kompensim të drejtë.
- Përmirësimi i kushteve të sigurisë, pasi puna në miniera mbetet ndër më të rrezikshmet, shpesh pa masat mbrojtëse të nevojshme.
- E drejta për organizim dhe protestë, pasi kompania ka ndaluar minatorët të grumbullohen brenda apo pranë ambienteve të minierës.
Pak ditë më parë, edhe metalurgët e Burrelit u ngritën në grevë për arsye të ngjashme, kundër të njëjtës kompani që zotëron edhe përpunimin e metaleve shqiptare, Yildirim Holding.
Kërkesat e metalurgëve të Burrelit janë:
- Respektimi i kontratës së punës, përfshirë pagesën e plotë të rrogave për të gjitha ditët e punës.
- Ndërprerja e diskriminimit të punëtorëve, pasi përgjysmimi i pagave është aplikuar vetëm për metalurgët, ndërsa kategori të tjera punëtorësh nuk janë prekur.
- Siguri dhe stabilitet në punë, pasi zvogëlimi i ditëve të punës nga 22 në vetëm 11 ka bërë të pamundur mbijetesën për shumë familje.
- Transparencë nga kompania mbi planet e punësimit, për të shmangur pasigurinë dhe kushtet e paqarta të punësimit.
Këto nuk janë kërkesa të tepruara – këto janë të drejta minimale, që çdo punëtori i garantohen me ligj, por që shkelen nga punëdhënësit.
Minatorët dhe metalurgët nuk po kërkojnë lëmoshë, por respektimin e kontratave dhe përfitimin e pagave që u takojnë ligjërisht. Ata janë shtylla e ekonomisë shqiptare, njerëzit që punojnë në kushte çnjerëzore për të nxjerrë pasurinë e nëntokës, ndërkohë që pronarët e kompanive dhe zyrtarët e korruptuar jetojnë në luks.
Heshtja e qeverisë dhe institucioneve shtetërore nxjerr edhe një herë zbuluar se kush qëndron në anën e shfrytëzimit dhe të padrejtësisë. Në një vend ku oligarkët dhe kompanitë e huaja trajtohen si çifligarët e dikurshëm, ndërsa punëtorët shqiptarë trajtohen si skllevër të keqpaguar, Lëvizja BASHKË është në anën e punëtorëve.
Lëvizja BASHKË qëndron krah minatorëve dhe metalurgëve dhe çdo punëtori e punëtoreje që kërkon paga dinjitoze, kushte të sigurta dhe respektimin e të drejtave në punë. Lëvizja BASHKË ka mbështetur dhe do të mbështesë gjithmonë ata të cilët me mund dhe me djersë mbajnë gjallë ekonominë e këtij vendi. Kauza e punëtorëve është kauza e të gjithëve, për një shoqëri më të drejtë e më demokratike.