MBI 2 MILIONË FRANCEZË PROTESTOJNË KUNDËR RRITJES SË MOSHËS SË PENSIONIT

𝐍𝐠𝐣𝐚𝐫𝐣𝐚: ditën e djeshme Parisi pa të vërshonin në sheshet e qytetit mbi 400 mijë protestues, Marseja rreth 100 mijë, Tuluzi 50 mijë, e kështu me radhë në 200 qytete të mëdha e të vogla të Francës. Protestat paralizuan transportin në mbarë vendin.

𝐀𝐫𝐬𝐲𝐞𝐣𝐚: me dhjetëra sindikata, më e madhja ndër të cilat CGT, kanë shpallur grevën e përgjithshme në Francë, pas propozimit të qeverisë për rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç. Nuk bëhet fjalë vetëm per rritjen e moshës me 2 vjet, por mbi të gjitha bëhet fjalë për privatizimin e sistemit social francez (pensionet, asistenca sociale, etj.).

𝐒𝐡𝐢𝐟𝐫𝐚𝐭: qeveria franceze pretendon se me këtë reformë do të mbulojë deficitin në sistemin e pensioneve prej 4 miliardë eurosh, ndërkohë që pasuria e një ndër njerëzve më të pasur në botë – francezit Bernard Arnault – është 164 miliardë dollarë. Pensioni mesatar në Francë është rreth 1500 euro në muaj.

𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞𝐫𝐢𝐚: gratë në vendin tonë dalin në pension 61 vjeçe e 6 muaj këtë vit, ndërsa burrat 65 vjeç. Reforma e pensioneve e miratuar në vitin 2014 (kur ishte Erion Veliaj ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale) cakton një rritje graduale të moshës së pensionit si për burrat, ashtu edhe për gratë deri në vitin 2056, kur mosha e përfitimit të pensionit do të arrijë 67 vjeç për të dyja gjinitë. Ndërkohë, pensioni mesatar në Shqipëri (ku futen ato të qytetit e fshatit) është 15.000 lekë, kurse ai minimal 8000 lekë në muaj.

𝐙𝐠𝐣𝐢𝐝𝐡𝐣𝐚: si pjesë të Manifestit të Lëvizjes Bashkë ne kërkojmë:

• zhbërjen e reformës së 2014 të Erion Veliajt;

• miratimin e minimumit jetik prej 20.000 lekësh dhe llogaritjen e pensionit minimal në bazë të minimumit jetik, çka do të sillte edhe rritjen e pensionit mesatar;

• luftën ndaj informalitetit dhe integrimin në sistemin e sigurimeve e të gjithë atyre që sot punojnë në të zezë, çka do të sillte rritjen e kontributeve në skemën e pensioneve dhe uljen e moshës së daljes në pension;

Një zgjidhje afatgjatë do kërkonte ngritjen e sindikatave të fuqishme në çdo sektor, me qëllim reagimin e organizuar e masiv të punëtorëve sa herë që qeveritë synojnë të shtojnë barrën mbi ta, si dhe hapjen e vendeve të punës për të rinjtë si alternativë ndaj emigrimit të tyre jashtë vendit.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/mbi-2-milione-franceze-protestojne-kunder-rritjes-se-moshes-se-pensionit/