LËVIZJA BASHKË PËRJASHTOHET NGA PROCESI I RINUMËRIMIT TË VOTAVE NË TIRANË

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka refuzuar kërkesën e Lëvizjes BASHKË për të marrë pjesë me vëzhgues në rinumërimin e votave. Arsyetimi është qesharak dhe në shkelje të parimeve elementare të barazisë ligjore: ne nuk jemi palë ankimuese që kemi kërkuar rinumërimin e votave. E megjithatë, ato që do të rinumërohen janë edhe votat tona.

Lëvizja BASHKË, me qindra aktivistë, e ka mbrojtur me devotshmëri dhe forcë çdo votë të sajën dhe nuk pret të humbasë asnjë të tillë. Mirëpo ne nuk kemi besim tek integriteti i palëve të përfshira në rinumërim. Mosbesim që përforcohet edhe më tej nga përjashtimi arbitrar i saj nga procesi i rinumërimit. Po ashtu, ne kemi të drejtën dhe detyrën qytetare për të qenë dëshmitarë të çdo manipulimi ose tentative për manipulim nga kushdo ndaj kujtdo, midis partive dhe brenda kandidatëve të së njëjtës parti.

Ne po ndjekim me vëmendje të gjitha hapat ankimues dhe vetë procesin e rinumërimit dhe paralajmërojmë këdo që guxon të shtrembërojë besimin e dhënë nga qytetarët për Lëvizjen BASHKË se do të përballen me kundërvënie të fortë me të gjitha mjetet legale dhe demokratike. Votat tona janë vota djerse, kauzash dhe shprese dhe jo vota të trafikut të influencave, parave të pista dhe kompromiseve nën tavolina.

Ne po ju ndjekim.
Ne po ju shohim.
Mos guxoni!