LËVIZJA BASHKË NË KRAH TË BANORËVE TË ZALL DAJTIT

Sot aktivistët e Lëvizjes BASHKË iu bashkuan protestës së banorëve të Zall Dajtit, të cilët po përballen me pasojat e ndërtimit të paligjshëm të një fabrike asfalti nga kompania "Gjoka Konstruksion". Ky aktivitet industrial, i zhvilluar në mes të Parkut Kombëtar të Dajtit, ka ndotur ajrin, devijuar lumin, rrëmbyer tokat e banorëve dhe uzurpuar rrugën publike që lidhte fshatin me Rrugën e Arbrit.
Në mbështetje të banorëve, kryetari i Lëvizjes BASHKË Arlind Qori deklaroi qartë se asnjë padrejtësi nuk do të kalojë pa u denoncuar dhe se zëri i qytetarëve do të dëgjohet pavarësisht censurës dhe presionit të pushtetit. Lëvizja BASHKË do të jetë kudo ku oligarkët dhe politika e korruptuar shkelin mbi jetën dhe të drejtat e njerëzve të zakonshëm!
Sekretarja Organizative e Lëvizjes BASHKË dhe anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës Mirela Ruko u zotua se do ta ndjekë çështjen në Këshillin Bashkiak dhe do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet që kanë lejuar këtë masakër mjedisore.
- Fabrika është ndërtuar brenda një zone të mbrojtur, në kundërshtim me ligjin për zonat e mbrojtura dhe mjedisin.
- Ka filluar prodhimin e asfaltit pa leje, duke ndotur ajrin dhe duke rrezikuar shëndetin e qindra banorëve.
- Ka devijuar lumin dhe ka dëmtuar tokat bujqësore, duke shkatërruar jetesën e shumë familjeve.
- Ka privatizuar rrugën publike, duke izoluar banorët dhe duke i detyruar të kërkojnë alternativa të vështira për lëvizje.
- Policia, në këtë rast, nuk ka vepruar në mbrojtje të ligjit, por është treguar indiferente edhe pas kallëzimeve të banorëve.
Në një përpjekje për të shuar revoltën e banorëve, deputeti milioner i Partisë Socialiste Xhemal Qefalia doli sot në protestë duke premtuar se “do të merren masa”. Por ky është thjesht mashtrimi i radhës. Fabrika nuk u ndërtua dje, por po zgjerohet prej 5 vitesh. Deputetët e PS dhe institucionet e qeverisë e kanë toleruar dhe mbështetur këtë ndërtim të paligjshëm, sepse oligarkët janë sponsorët e pushtetit të tyre. Në vend që të ndalnin ndërtimin e fabrikës kur ishte në fillim, tani që banorët po protestojnë, dalin me premtime boshe për të fituar kohë.
Në çdo vend normal, ky do të ishte një skandal kombëtar, por në Shqipëri politika dhe media janë të kapura nga oligarkët. Asnjë televizion kombëtar nuk po e raporton këtë aferë, sepse janë të financuar nga të njëjtët oligarkë që shkatërrojnë vendin. Asnjë politikan i opozitës nuk ka folur për këtë çështje sepse oligarku Rrok Gjoka, pronari i “Gjoka Konstruksion”, është një biznesmen i afërt edhe me Sali Berishën. Opozita parlamentare hesht sepse është po aq e korruptuar dhe e blerë sa edhe qeveria!
Ndërkohë që qeveria dhe opozita mbrojnë interesat e oligarkëve, Lëvizja BASHKË është e vetmja forcë politike që po i del përballë kësaj grabitjeje publike. Përpjekja për Zall Dajtin nuk është vetëm një për një komunitet, por kundër modelit që po zapton të gjithë Shqipërinë!