LËVIZJA BASHKË MBËSHTET KËRKESAT E FERMERËVE PROTESTUES

Varg me traktore qe jane ne shenje proteste

Fermerët e Maliqit sot janë ngritur në protestë pasi prodhimi i tyre ka mbetur stok. Nëse nuk shitet shumë shpejt, do të detyrohen ta hedhin në kanal. Bujqve që kanë derdhur djersë gjithë vitin duke punuar në të ftohtë e në vapë, në diell e në shi, iu vendoset një çmim qesharak nga pikat e grumbullimit (grosistët) për produktet e tyre. Konkretisht, këto pika kërkojnë blerjen me 20 lekë për 1 kilogramë qepë apo patate, dhe 24 lekë për 1 kilogramë grurë: Ndërkohë që vetëm kostoja e prodhimit llogaritet më e lartë se ky çmim (rreth 30 lekë për grurin). Të njëjtin produkt këto pika grumbullimi e shesin te tregtarët me shumicë apo me pakicë me çmim 3-4 herë më të lartë, duke e çuar të gjithë fitimin në xhepat e tyre. Por pse produktet e prodhuara nga fermerët, e Maliqit apo gjithë Shqipërisë, po ngelen stok? Kush përfiton prej punës së tyre?

  1. Çmimi i produkteve shqiptare merret nën kosto nga grosistët dhe shitet disa herë më shtrenjtë në tregjet me pakicë. Kjo ndodh pasi një numër i vogël grosistësh vendosin çmimet në dakordësi mes tyre duke krijuar një situatë oligopoli.
  2. Importuesit e mëdhenj janë të interesuar të fusin produkte nga jashtë, pasi mund t'i marrin me çmime më të lira sesa produktin vendas (pavarësisht cilësisë). Meqenëse vendet e rajonit subvencionojnë shumë herë më tepër fermerët e tyre sesa shteti shqiptar, krijojnë situata favorizuese për inputet dhe ndjekin politika fiskale lehtësuese për nxitjen bashkëpunimit mes fermerëve, produktet e tyre dalin me kosto më të ulët. Çmimi më i lirë në treg bën që konsumatori të orientohet drejt produkteve të importit. Në anën tjetër, pjesa më e madhe subvencioneve që duhet të kalonin në llogaritë e fermerëve shqiptarë vidhen nga ministrat e drejtorët, tjetërsohen nga oligarkët apo militantët partiakë për ndërtim vilash e resortesh, e vetëm disa pika mbërrijnë te bujqit pas një sërë burokracish.
  3. Çmimet e inputeve bujqësore (plehrave kimikë dhe preparatet kimike për bujqësinë) janë jashtëzakonisht të larta, pasi në vend nuk prodhohet fare. Ato pak firma që i sigurojnë nuk kanë asnjë kontroll nga Autoriteti i Konkurrencës. Shpesh herë këto kompani bëjnë edhe fiksimin e çmimit për ta shitur sa më lart e për të rritur fitimet e tyre. Për sa kohë që shteti në rastin më të mirë fle, e në rastin më të keq favorizon oligopolistët, çmimet e inputeve bujqësore do të mbeten të larta e bujqit tanë do e vuajnë rritjen e kostos pambarimisht.
  4. Mbetja në vend e formimit të Shoqërive të Bashkuara Bujqësore ka pamundësuar uljen e kostove të përbashkëta dhe hapjen drejt tregjeve të reja. Sipas të gjitha rekomandimeve nga ekspertët vendas e të huaj, e vetmja mënyrë për të dalë nga gjendja e mjerueshme ku ndodhet bujqësia është formimi i SHBB-ve. Edhe pse janë krijuar disa shoqëri të tilla, numri i tyre ka mbetur në vend për shkak të mungesës së profesionalizmit të Ministrisë së Bujqësisë dhe këshilluesve të tyre, për shkak të paketave fiskale të gabuara, të cilat nuk e nxisin bashkëpunimin etj. Kësaj maskarade i duhet dhënë fund. Shteti e ka të gjithë tagrin ligjor për të bërë rregullatorin dhe jo t'i lërë bujqit shqiptarë në pikën e hallit e t'i detyrojë të marrin rrugën e kurbetit, për të favorizuar grosistët dhe importuesit e mëdhenj.

Lëvizja BASHKË do të qëndrojë në krahun e fermerëve dhe do të prezantojë programin më të mirë për daljen e bujqësisë nga terri 30 e kusur vjeçar. Në programin tonë do të shtjellohen hollësisht politikat fiskale favorizuese për krijimin e SHBB-ve dhe mënyrat sesi fermerët do të nxiten të bashkëpunojnë. Çdo qindarkë e destinuar për bujqësinë do të shkojë te bujku, rubineti e hajdutërisë do të mbyllet njëherë e përgjithmonë dhe fermeri shqiptar do të subvencionohet njësoj si vendet e rajonit. Shteti do të vendosë masa kontrolli mbi pikat e tregtimit të inputeve bujqësore, në pikat e grumbullimit dhe në kompanitë importuese. Secili duhet të fitojë bazuar mbi punën e dijet tij dhe jo në kurriz të bujqve. Ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë do të jenë më pranë fermerëve me këshilla mbi produktet dhe me nxitje për marketimin me markën e tyre. Lëvizja BASHKË është përkrah bujkut shqiptar dhe kundër hajdutëve që nuk ngopen kurrë!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/levizja-bashke-mbeshtet-kerkesat-e-fermereve-protestues/