LËVIZJA BASHKË MBËSHTET BANORËT E VLORËS
Anëtarët e Lëvizjes BASHKË të qarkut të Vlorës i janë bashkuar protestës së banorëve për mungesën e ujit të pijshëm në këtë prag fundviti.
Viti 2026 do t’i gjejë përsëri banorët e Vlorës, e të mbarë Shqipërisë, pa ujë të pijshëm e të rrjedhshëm në shtëpitë e tyre.
Premtimi që përsëritet për dekada të tëra çdo fushatë zgjedhore nuk mund të realizohet, sepse paratë që do duhej të investoheshin për infrastrukturën e furnizimit me ujë shkojnë në xhepat e pushtetarëve e të oligarkëve.
Nuk mund të realizohet në zhvillimin urban totalisht kaotik nga lejet e ndërtimit që jep kreu i KKTU, Edi Rama, pa u bazuar në një plan urbanistik ku do të merreshin parasysh nevojat e banorëve.
Nuk mund të realizohet sepse kjo qeveri prioritet ka tekat e oligarkëve për të mbushur pishinat me ujë, jo nevojat jetike të banorëve për ujë të pijshëm.
Lëvizja BASHKË solidarizohet me protestën dhe do të jetë në shesh me banorët edhe në ditët në vijim.