KASTRATI MASHTRON PUBLIKISHT LIDHUR ME DERDHJEN E UJËRAVE TË SHIUT NË QYTET

Artan Kacani gjatë një prej protestave të Levizjes BASHKË para parlamentit

Nga Artan Kacani, urbanist dhe koordinator i bazës së Lëvizjes BASHKË në Durrës

Infrastruktura e kullimit të ujërave është infrastrukturë kulluese e hapur dhe natyrore. Ajo është pjesë e aseteve publike të bordeve të kullimit dhe menaxhimit bashkiak, në bashkëpunim me prefekturën.

Tjetërsimi i infrastrukturës kulluese në kanal të nëndheshëm shkatërron natyrën e saj funksionale, pasi infrastruktura kulluese, sipas parimeve teknike dhe ligjore, duhet të jetë në qiell të hapur.

Duke marrë shkas nga mbyllja e kanalit të kullimit në rrëzë të kodrës, i cili duhej të kishte një derdhje të dedikuar dhe të pavarur, autoritetet publike kanë hartuar një devijim artificial të kanalit, duke e orientuar atë drejt hidrovori kryesor. Ky veprim ka sjellë:

  1. mbingopjen e kanalit të hidrovorit, shpesh mbi nivelin e detit;
  2. përmbytjen e qindra familjeve për ditë të tëra;
  3. përhapjen graduale të përmbytjeve në të gjithë qytetin.

Uji që sot vërshon nga kodra zbret drejtpërdrejt në qytet dhe e përmbyt atë, në vend që të futej në kanalin ekzistues në rrëzë të kodrës dhe të kullonte në mënyrë të dedikuar dhe të pavarur.

Devijimi i sotëm nuk mund të quhet hidrovor, pasi Hidrovori 1 është vetëm një element i infrastrukturës kulluese dhe, për më tepër, nuk ka kapacitetin teknik për të përballuar rrjedhjet e sipërme të ujit.

Në foto shihet qartë se si banorët, pranë stacionit të autobusëve në Porto Romano, janë detyruar të improvizojnë tuba kullimi për të larguar ujin nga banesat e tyre, duke e futur atë në tubacionet e poshtme që janë mbyllur.

Po ashtu, dallohet edhe kanali i ri prej betoni, i cili pretendohet se duhet të mbledhë ujërat e kanalit të mbyllur dhe t’i çojë drejt rrjedhës së hidrovorit, i ndërtuar në mënyrë absurde mes një kabine elektrike.

Ftoj median që të shkojë personalisht në terren, të intervistojë banorët dhe të hetojë:

  1. zhdukjen e kanalit kullues;
  2. vendimmarrjen dhe firmat përgjegjëse nga Bordi i Kullimit për mbylljen e tij.