JO SHKATËRRIMIT TË LAGUNËS VJOSË-NARTË

Sot aktivistë të Lëvizjes BASHKË i janë bashkuar protestës së banorëve dhe aktivistëve mjedisorë të PPNEA për të kundërshtuar ndërtimin e aeroportit të Vlorës në lagunën Vjosë-Nartë.

Ndërtimi i këtij aeroporti shkatërron mjedisin e lagunës Vjosë-Nartë, e cila është zonë e mbrojtur, dhe ka risk të lartë për fluturime, sepse është e populluar me shpendë të rëndë.

Pas këtij projekti fshehen disa afera të mëdha.

Edhe pse kanë filluar ndërtimet, akoma nuk është dhënë një leje ndërtimi, leje mjedisore dhe VNM-ja është plagjiaturë që nuk tregon rreziqet e vërteta. Edhe kësaj here qeveria po tenton ta vendosë publikun përpara faktit të kryer, duke ndërtuar aty ku nuk lejohet, e pastaj të heqë statusin e zonës së mbrojtur, siç ndodhi në rastin e Butrintit.

Behgjet Pacolli dhe kompania turke që do marrin në administrim aeroportin, sipas kontratës, do ta kenë fitimin e garantuar për 10 vitet e para nga qeveria. 138 milionë euro do të shkojnë për kompanitë private edhe sikur mos të fluturojë asnjë avion. Pse duhet të paguajnë qytetarët shqiptarë për diçka që as qeveria e as privatët nuk e dinë nëse do të funksionojë?!

Me ndërtimin e këtij aeroporti, Shefqet Kastratit, sipas nenit 3 të amendametit të vitit 2016, i shtyhet koncesioni i aeroportit të Rinasit me 0.5 vite për çdo vit që këto aeroporte operojnë, ashtu siç ndodhi edhe me hapjen e aeroportit të Kukësit. Sepse aeroporti "Nënë Tereza" ka ekskluzivitetin në 100 km vijë ajrore dhe, si për çudi, kantieri i Nartës është fiks 100 km largësi nga Rinasi.

Me ndërtimin e aeroportit dhe heqjen e statusit si zonë e mbrojtur, zaptuesve të bregdetit do t'u hapet rruga për ndërtime resortesh në Karavasta e Nartë, e vetmja zonë e cila deri tani i ka mbijetuar barbarizmit dhe oreksit të oligarkëve.

Argumentet që përdor qeveria se ky aeroport do të zhvillojë zonën e do të hapen mijëra vende pune, është një mashtrim për të justifikuar grabitjen e trojeve publike. Sepse tashmë Shqipëria ka një rast, si ai i aeroportit të Kukësit, ku përveçse zona nuk u zhvillua pothuajse fare prej aeroportit, kushtet në punë ishin aq të vështira sa Meriman Gashi, 35 vjeç, humbi jetën në atë kantier.

Të vetmit që përfitojnë nga ky aeroport janë oligarkët, të cilët do të marrin disa milionë më shumë dhe tokë publike. Kurse ata që humbasin janë banorët e zonës dhe taksapaguesit, të cilëve edhe këtë herë u kërkohet të mbushin xhepat e të pasurve që nuk po ngopen.

Duhet të jemi të gjithë bashkë për të ndaluar privatizimin e vendit tonë, jo vetëm në Nartë, po kudo ku publikja po përdorët në kurriz të publikut.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/jo-shkaterrimit-te-lagunes-vjose-narte/