GJYKATA E TIRANËS PO PENGON LËVIZJEN BASHKË NË MËNYRË TË QËLLIMSHME

Gjykata e Tiranës qëllimisht po pengon regjistrimin e Lëvizjes BASHKË si parti politike. Më konkretisht, gjykatësi Agron Zhukri është duke thyer çdo afat ligjor të njohjes së një partie.

Dokumentet për regjistrimin e Lëvizjes BASHKË janë dorëzuar në datën 9 janar të vitit 2023. Sipas nenit 13 të ligjit të partive, gjykata ka maksimumi 30 ditë kohë për të shpallur vendimin. Ky 30 ditësh ka mbaruar që në datën 9 shkurt. Sot që po flasim kanë kaluar shumë ditë nga tejkalimi i afateve ligjore.

Për ironi, gjykata ka vendosur një afat të padenjë për regjistrimin e Lëvizjes BASHKË sepse seancën e kanë vendosur në datën 7 mars, një ditë pas kalimit të afatit që ka vendosur KQZ-ja për regjistrimin e partive. Praktikisht Gjykata e Tiranës nuk do të lejojë regjistrimin e Lëvizjes BASHKË si subjekt elektoral në zgjedhjet lokale të këtij viti.

Kjo është e paligjshme. Kjo është e pandershme. Kjo është e pacipë. Dhe mbi të gjitha është skandaloze.

Në 32 vjet pluralizëm në Shqipëri asnjë partie, asnjëherë, nuk i është ndaluar regjistrimi në zgjedhje dhe pjesëmarrja.

Fakti që gjykata dhe gjykatës të papërgjegjshëm, fakti që pushtetarë të korruptuar kanë frikë nga Lëvizja BASHKË, kanë frikë nga një alternativë e re, tregon shumë për ata, por tregon edhe për karakterin dhe natyrën e Lëvizjes BASHKË.

Gjithsesi ne nuk do të heqim dorë. Ne e dimë që kemi mbështetjen e një mase të madhe qytetarësh. Prandaj ne do të përdorim të gjitha mjetet që na lejon ligji, kushtetuta dhe angazhimi qytetar, për të marrë pjesë në zgjedhjet e këtij viti.

Shqipëria ka nevojë për një kurs të ri. Shqipëria ka nevojë për një transformim të madh. Ky kurs i ri dhe ky transformim i madh do të nisë nga Tirana.

Lëvizja BASHKË do të jetë me çdo kusht në zgjedhjet lokale dhe e gjithë ngrehina e kalbur administrative, politike dhe gjyqësore e Shqipërisë do të dorëzohet para vullnetit të mijëra qytetarëve që kanë nënshkruar dhe janë bërë bashkëthemelues të Lëvizjes BASHKË.

BASHKË

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/gjykata-e-tiranes-po-pengon-levizjen-bashke-ne-menyre-te-qellimshme/