FITORE E PUNËTORËVE TË FASONERISË NË KRUJË

Pamje nga protesta e tetë para kryeministrisë për pensione dinjitoze dhe minimum jetik.

Pas pesë ditësh protesta të pandërprera, rreth 200 punëtorë të fasonerisë AL TEK sh.p.k në Krujë kanë arritur një fitore të rëndësishme në përpjekjen e tyre për shpërblimin e fundvitit dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Në fillim të protestës, punëtorët u përballën me kërcënime nga Inspektorati Shtetëror i Punës, që pretendonte se kërkesat e tyre nuk ishin të ligjshme. Kompania u përpoq të devijonte çështjen duke premtuar shpërblimin e fundvitit në këste përgjatë 12 muajve. Kjo u refuzua unanimisht nga punëtorët, të cilët qëndruan të vendosur deri në plotësimin e të drejtave të tyre.

Në dy ditët e fundit, aktivistë të Lëvizjes BASHKË - veçanërisht nga Kruja dhe nga baza e Durrësit - u bashkuan me protestuesit që në orët e para të mëngjesit, duke u ofruar mbështetje dhe solidaritet në kërkesat e tyre të drejta.

Protesta dhe presioni i vazhdueshëm i punëtorëve ndaj kompanisë dhe institucioneve, çoi në zgjidhjen e mosmarrëveshjes: Punëtorët do të marrin sot 60% të shpërblimit të fundvitit, ndërsa 40% e mbetur në fund të këtij muaji.

Kjo fitore është më shumë se një sukses i momentit – është një precedent i rëndësishëm për sindikalizmin dhe lëvizjen e punëtorëve në Shqipëri. Ajo tregon se me vendosmëri dhe solidaritet, punëtorët mund të fitojnë të drejtat që u takojnë. Lëvizja BASHKË shpreh krenarinë e saj për këtë arritje dhe do të angazhohet për të qenë gjithmonë përkrah punëtorëve, në çdo betejë për të drejtat e tyre. Ky është vetëm fillimi – bashkë mund të ndërtojmë një Shqipëri ku puna dhe dinjiteti respektohen si të drejta themelore.

Me punëtorët!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/fitore-e-punetoreve-te-fasonerise-ne-kruje/