ERION VELIAJ PENGON KANDIDIMIN E LËVIZJES BASHKË

Pas vonesave për njohjen e subjektit nga gjykatësi Agron Zhukri, pas pengesave të sajuara nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për regjistrimin në zgjedhje, është administrata e Erion Veliajt që po tenton të pengojë mbledhjen e firmave për kandidimin e Arlind Qorit për kryetar bashkie në Tiranë.

Bashkia Tiranë e ka refuzuar kërkesën tonë për përdorimin e hapësirave publike për mbledhjen e firmave për kandidim – të depozituar në zyrat e bashkisë më 22 shkurt – me pretendimin absurd se nuk janë vënë në dijeni 25 ditë para nisjes së aktivitetit.

Kjo nuk është hera e parë që funksionarë të bashkisë tentojnë të pengojnë aktivitetin e Lëvizjes BASHKË. Kërcënimet e policëve të bashkisë ndaj aktivistëve tanë janë kthyer në një ritual të përditshëm. Me shkresën e ditës së sotme, bashkia zyrtarisht na refuzon mbledhjen e firmave.

Kjo nuk është hera e parë që ne dorëzojmë një kërkesë formale për mbledhje firmash në hapësira publike. Këtë gjë e kemi bërë për peticione e nisma ligjore, e gjithmonë përgjigjja ka qenë pozitive. Kjo është hera e parë që kjo e drejtë na mohohet.

Ne akuzojmë personalisht Erion Veliajn se po pengon një kandidat që të garojë kundër tij në zgjedhjet e 14 majit. Ne zotohemi se nuk kemi për të lëvizur nga pikat ku mbledhim firma dhe u bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës që kontribuojnë me nënshkrimin e tyre.

#BASHKËPËRTIRANËN

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/erion-veliaj-pengon-kandidimin-e-levizjes-bashke/