ERION VELIAJ E KA VENDIN NË BURG

Grafiti qe shkruan: Ej Spak, Veliaj ne Burg

Që kur u bë publike dosja e inceneratorëve, dolën në pah indiciet e para të përfshirjes së Erion Veliajt në marrëdhëniet korruptive që lidhen me inceneratorin e Tiranës. Erion Veliaj është nismëtari i skemës korruptive të PPP për inceneratorin, ndërkohë që ka shmangur Këshillin Bashkiak nga vendimmarrja për ngritjen e tij. Për pasojë, incineratori imagjinar i Tiranës, i pandërtuar kurrë, ka pasur një kosto prej 128 milionë eurosh për buxhetin e shtetit, ndërkohë që çmimi për incenerimin (ende imagjinar) të mbetjeve i ka kushtuar buxhetit shifrën e stërfryrë të 29 eurove për ton.

Arrestimi i disa ditëve më parë të një grupi zyrtarësh, mes të cilëve edhe një prej drejtorëve dhe njerëzve më të besuar të Erion Veliajt, ka vërtetuar përpara opinionit publik përfshirjen e këtij të fundit në skandalin korruptiv të inceneratorit të Tiranës. Pa firmën e Erion Veliajt, qytetarët nuk do të ishin zhvatur në këto përmasa historike. As Tirana nuk do të kishte probleme kaq të mëdha me menaxhimin e mbetjeve.

Fatkeqësisht, SPAK-u ende nuk po i thellon hetimet dhe nuk po ngre akuzat e duhura për të përfshirë edhe kreun e Bashkisë së Tiranës. Përpara drejtësisë nuk mund dhe nuk duhet të ketë të paprekshëm. Përndryshe besueshmëria e institucioneve të drejtësisë do të vihet sërish në dyshim të fortë.

Dëmet që Erion Veliaj i ka bërë qytetit dhe qytetarëve të Tiranës janë të shumta. Po sot, i kapur me firmë në letër dhe me sekserë në burg, ai e meriton burgun më shumë se kurrë.

Lëvizja BASHKË do ta intensifikojë aksionin e vet politik si në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ashtu edhe në rrugët e qytetit për të ngritur vetëdijen qytetare për vendosjen e Erion Veliajt dhe çdo keqbërësi tjetër me kollare përpara ligjit.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/erion-veliaj-e-ka-vendin-ne-burg/