EDI RAMA DORËHIQU, ERION VELIAJ NUK MJAFTON!

Pamje nga protesta e Lëvizjes BASHKË para kryeministrisë për dorëheqjen e Edi Ramës. Në murin e kryeministrisë është projektuar parrulla SHKO TE SHOKËT

Sot, qindra qytetarë iu bashkuan protestës së Lëvizjes BASHKË, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Arrestimi i Erion Veliajt është vetëm fillimi, sepse korrupsioni nuk është thjesht disa individë të veçuar, por një sistem i ndërtuar dhe i mbrojtur nga vetë Edi Rama.

Pastrimi i parave në ndërtim, falja e bregdetit tek oligarkët e quajtur “investitorë strategjikë”, koncesionet kriminale dhe grabitja e fondeve publike; nuk janë vendime të marra nga Erion Veliaj dhe ministrat në mënyrë të pavarur, por një model qeverisës që buron nga kryeministri dhe klika e tij politike.

Veliaj nuk ka vjedhur vetëm për veten e tij, por edhe për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Dikur, Rama e denonconte korrupsionin me një teoremë të thjeshtë: "Vjedhin Shqipërinë për të vjedhur vota dhe vjedhin vota për të vjedhur Shqipërinë." Sot, ai është arkitekti dhe përfituesi kryesor i kësaj skeme.

Ne nuk do të ndalemi!

Korrupsioni duhet të marrë fund dhe drejtësia duhet të shkojë deri në majë!