EDI RAMA DORËHIQU!
Prej vitesh Edi Rama ka shitur gënjeshtrën se “drejtësinë e re e bëri Partia Socialiste dhe ajo nuk mbron askënd që ka abuzuar me pasurinë publike në kurriz të popullit”. Por sot, pas rënies së Arben Ahmetajt, arrestimit të Erion Veliajt dhe skandalit të fundit me Belinda Ballukun, është e qartë se laku i përgjegjësisë po afrohet drejt vetë kryeministrit.
I kapur mes panikut dhe arrogancës, Rama ditë pas dite sulmon drejtësinë, herë me nervozizëm brutal, herë duke luajtur rolin e “dashnorit" të kushtetutës. Mbrojtja që i bëri sot Belinda Ballukut për të mos dhënë dorëheqjen, ashtu si mbrojtja e vazhdueshme për Erion Veliajn për ta rikthyer nga qelia në zyrë, është e patolerueshme. Askush nuk duhet të ndalojë drejtësinë të kryejë punën e saj. As shantazhi, as presioni, as propaganda nuk duhet të ndikojnë te prokurorët dhe gjyqtarët.
Ndërkohë, mediat e kapura dhe opozita e vjetër heshtin, relativizojnë ose thonë gjysmë të vërteta. Ky skandal përfshin një zinxhir të tërë pushtetarësh të korruptuar, nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij Belinda Balluku, tek oligarkët dhe segmentet e komprometuara të opozitës së vjetëruar.
Lëvizja BASHKË është plotësisht e vetëdijshme se kjo është një luftë e vështirë. Por ne qëndrojmë në krah të drejtësisë. Hetimet nuk duhet të ndalen te Belinda Balluku. Ato duhet të shkojnë deri tek Edi Rama dhe oligarkët pas dhe rrotull tij.
Lëvizja BASHKË u bën thirrje të gjithë qytetarëve të lodhur nga vjedhjet, klientelizmi dhe plaçkitja e pasurisë publike të dy bandave politike, të ngrenë zërin e protestës dhe të inkurajojnë institucionet e drejtësisë për ta çuar deri në fund punën e tyre.
Edi Rama nuk mund të qëndrojë më asnjë ditë në zyrën e Kryeministrit. Ai dhe ministrat e tij të korruptuar duhet të japin dorëheqjen menjëherë, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja për vendin.
Është koha që BASHKË të kërkojmë më shumë për Shqipërinë dhe për të ardhmen tonë.
Edi Rama dorëhiqu!