E VËRTETA DO TË NA BËJË TË LIRË

E vërteta do të na bëjë të lirë. Protestë, e hënë 20 janar ora 17:00, përpara Ministrisë së Brëndshme

Sot e gjithë shoqëria shqiptare kërkon të vërtetën për shkaqet që e shtynë policin Azbi Spahiu të tentojë vetëvrasjen. Sipas të dhënave paraprake të gazetarëve, ky akt lidhet me arrestimin e të birit të oligarkut më të fuqishëm në Shqipëri, Samir Mane.

U bënë tre ditë dhe Policia e Shtetit nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë ngjarje të rëndë. A i është bërë presion dhe kush i ka bërë presion për shkak të detyrës policit Azbi Spahiu?

Prej tre ditësh hesht qeveria. Hesht opozita e vjetër. Heshtin thuajse të gjitha televizionet.

Kjo ngjarje në kufijtë e tragjikes nxjerr lakuriq të vërtetën e sistemit ekonomik, politik dhe mediatik në Shqipëri: Barazia përpara ligjit nuk ekziston dhe njeriu i thjeshtë, qoftë ai edhe një polic, nuk është i sigurt.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në një protestë masive të hënën në orën 17:00 përpara Ministrisë së Brendshme. Kërkojmë me ngulm nga Policia e Shtetit, Prokuroria dhe të gjitha organet e tjera shtetërore të sqarojnë deri në fund ngjarjen dhe të vënë përpara përgjegjësisë këdo që ka shkelur ligjin dhe ka ushtruar presion ndaj policit dhe qytetarit Azbi Spahiu. Dje i ndodhi Azbiut. Nesër mund t'i ndodhë secilit prej nesh.

Bashkohuni në protestë!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/e-verteta-do-te-na-beje-te-lire/