DY PUNËTORË TË VDEKUR NË NJË DITË

Posteri i protestës 'Bashkë kunder korrupsionitË Erion Veliaj shko te shokët'

Sot vdiqën në punë dy punëtorë, dy djem të rinj, në të njëzetat e jetës së tyre, njëri në veri e tjetri në jug të Shqipërisë: minatori Armond Peshku në Krastë dhe punëtori i gurores Jurgen Veshaj në fshatin Brataj të Selenicës. Si gjithmonë, institucionet e shtetit shqiptar shkojnë vetëm për t’u hedhur çarçafin e fundit viktimave të një tragjedie të vazhdueshme në punë.

Duke u çuar nga larg ngushëllimet tona të sinqerta familjeve të Armondit dhe Jurgenit, nuk mund të mos vëmë kujën për kushtet skandaloze të punës në Shqipëri.

Shqipëria ka një mesatare të vdekjeve në punë mjaft më të lartë se vendet e Bashkimit Evropian. Në vendin tonë punëtorët nuk i mbron as ligji, as shteti, as pronari. Ata janë viktimat e pazëshme të një modeli ekonomik të bazuar te fitimi ekstrem dhe i paskrupullt. Ata janë viktimat e një administrate të korruptuar që kur kujtohet të shkojë për kontroll, nuk shikon kushtet e punës, por zarfin që nëpunësi i korruptuar merr prej biznesmenit.

Mbi të gjitha, punëtorët shqiptarë janë viktimat e pafytyrësisë së një kryeministri që mburret se në vendin e vet nuk ka sindikata, pra organizata të specializuara në mbrojtjen e jetës dhe të drejtave të punëtorëve; të një kryeministri që fton në Shqipëri punëtorë të huaj pasi mendon se punëtorët shqiptarë janë dembelë që “kërkojnë liri-demokraci”.

Prapëseprapë, punëtorët mbeten klasa shoqërore me potencialin më të madh organizativ dhe politik. Ata mund ta realizojnë këtë potencial vetëm duke u bashkuar në sindikata të reja, demokratike e të fuqishme. Fitimi i të drejtave në vendin e punës është faktor përcaktues edhe në demokratizimin e shtetit. Lëvizja BASHKË spikat me krenari si e vetmja parti politike në Shqipëri që ngre zërin për të drejtat e punëtorëve dhe shtron për zgjidhje problemet e mëdha të punës dhe kontributit të saj në shoqëri. Ne do të jemi në çdo hap në krah të punëtorëve që vendosin të organizohen për të drejta në punë e në shoqëri.

Me punëtorët!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/dy-punetore-te-vdekur-ne-nje-dite/