DY PUNËTORË TË VDEKUR NË DY DITË
Dy ditët e fundit dy punëtorë kanë vdekur për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në punë. Bëhet fjalë për një punëtor në një fabrikë tullash në Vorë dhe sot një punëtore në një firmë të shpërndarjes së pijeve alkoolike. Për institucionet ata janë vetëm iniciale.
Pavarësisht se nga Shqipëria largohen çdo vit e më shumë njerëz në moshë pune, numri i aksidenteve në punë rritet vit pas viti. Ndonëse Shqipërisë i mungon industria e rëndë, numri i të vdekurve në punë për 100.000 të punësuar është 1.4 herë më i lartë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian.
Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore është një institucion jofunksional, i mbushur me patronazhistë të cilët, në vend të inspektimeve për sigurinë në punë, kujdesen për punët e partisë në pushtet. Shqipërisë i mungon një ministri e punës, një prej “arritjeve” të qeverisë aktuale. Vendi ynë, nga ana tjetër, drejtohet nga një kryeministër i korruptuar i cili i përçmon punën dhe punëtorët, si dhe krenohet që në Shqipëri nuk ka sindikata.
Lëvizja BASHKË është e vetmja parti politike në Shqipëri që e ka çështjen punëtore një nga shtyllat më të rëndësishme të veprimtarisë së saj politike. Për ne, organizimi i punëtorëve në sindikata të forta dhe demokratike është domosdoshmëri jo vetëm për sigurimin e të drejtave në punë, por edhe për demokratizimin e shtetit.
Ftojmë të gjithë punëtorët të organizohen në sindikata! Ndihmën tonë do ta keni në çdo hap.