DEMOKRATIZIM I SHTETIT, PROGRES I SHOQËRISË
Platforma e Lëvizjes BASHKË për daljen nga kriza
Momenti historik në të cilin po jetojmë kërkon ndryshime të thella të strukturimit të institucioneve publike dhe të raportit të tyre me qytetarët. Shqipëria ka nevojë të demokratizohet thellësisht, duke rritur ndjeshëm fuqinë e qytetarit dhe organizmave shoqërorë.
Lëvizja BASHKË e sheh krizën e thellë politike si mundësi për të rindërtuar kuadrin kushtetues dhe ligjor të vendit me synim demokratizimin substancial të tij. Për ne, dorëheqja e menjëhershme dhe e parevokueshme e Edi Ramës dhe krijimi i përkohshëm i një qeverie apartiake, duhet të pasohet nga nisja e një procesi kuvendimi me ndërmjetësim ndërkombëtar midis partive politike, organizatave shoqërore dhe qytetarëve të angazhuar me synim ndryshime të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore të cilat, në krye të pak muajve, do të mundësonin organizimin e zgjedhjeve të parakohshme tërësisht të lira dhe të ndershme.
Platforma e ndryshimeve të mëposhtme mirëpret sugjerime dhe kritika nga çdo qytetar:
DEMOKRACIA PJESËMARRËSE
Sot qytetarët i kanë tejet të kufizuara mundësitë për iniciativa ligjore dhe për të pasur ndikim në procesin e ligjvënies. Pengesat më të rëndësishme i vendos kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, sidomos për sa u përket kritereve dhe shtrirjes së thirrjes për referendum.
Lëvizja BASHKË propozon ndryshimin e nenit 177 të Kushtetutës, duke u lënë mundësi qytetarëve të marrin iniciativa, së paku abrogative, për ndryshimin e Kushtetutës.
Propozojmë gjithashtu ndryshime në nenin 150, duke u mundësuar qytetarëve thirrjen e referendumeve jo vetëm për shfuqizimin, por edhe për miratimin e një ligji. Po ashtu, numri i nevojshëm i firmave të qytetarëve që e mbështesin një nismë referendare duhet të përcaktohet si përqindje e shtetasve rezidentë. P.sh. jo 50,000 qytetarë siç është në Kushtetutën aktuale, por 1% e shtetasve rezidentë sipas censusit të fundit të popullsisë. Kësisoj, nëse do të nisej sot procedura e thirrjes së një referendumi, do të duheshin firmat e rreth 24,000 qytetarëve. Në këtë kuadër, nevojitet hartimi i një ligji të posaçëm për referendumet që e bën të realizueshme iniciativën qytetare.
Duke marrë në konsideratë faktin se një pjesë shumë e rëndësishme e trupës zgjedhore jeton jashtë Shqipërisë dhe për të penguar sabotimin e iniciativës referendare nga partia/të në pushtet (p.sh. thirrja për bojkot), nevojitet që pragu i pjesëmarrjes për vlefshmërinë e referendumit ligjvënës të jetë i ulët. Marrim një shembull. Në zgjedhjet e vitit 2025 kanë marrë pjesë rreth 42% e qytetarëve me të drejtë vote. Në parim, një parti mund të qeverisë duke marrë një votë më shumë se gjysma e këtij 42%, pra 21% + 1 votë krahasuar me tërësinë e qytetarëve me të drejtë vote. Nëse përfaqësuesit politikë kanë të drejtë të vendosin në emër të 21% të qytetarëve, atëherë nuk ka pse të mos vlejë kjo edhe për iniciativat nga qytetarët. Kësisoj, një prag i arsyeshëm i vlefshmërisë së një referendumi ligjvënës do të duhej të ishte pjesëmarrja e 20% të shtetasve me të drejtë vote.
Është e rëndësishme gjithashtu që ligji i ri për referendumet t’u japë të drejtën qytetarëve në nivel të vendor jo vetëm për të abroguar vendimet e organeve përfaqësuese vendore, por edhe për të vendosur drejtpërdrejt për çështje të rëndësishme për ta.
Nga ana tjetër, duhet ulur numri i firmave të mbledhura nga qytetarët për t’i drejtuar Kuvendit një projektligj, duke iu referuar sërish raportit me popullsinë rezidente. Një mundësi do të ishte 0.5% i shtetasve rezidentë. Po ashtu duhen vendosur afate të shkurtra dhe të detyrueshme për Kuvendin që të shtrojë për diskutim iniciativën ligjvënëse nga qytetarët.
SISTEMI ZGJEDHOR
Shqipëria ka nevojë për ndryshime të thella të sistemit të organizimit të zgjedhjeve (neni 64 i Kushtetutës). Sistemi aktual zgjedhor krijon një hendek të thellë midis përqindjes së votave të një partie politike dhe përqindjes së përfaqësimit të saj në Kuvend, si dhe shkurajon votën e qytetarëve për partinë e preferuar në shumë qarqe.
Demokratizimit të sistemit politik në Shqipëri i nevojitet një sistem zgjedhor proporcional kombëtar me prag të ulët. Nëse i referohemi rezolutës 1705 (2010) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pragu zgjedhor nuk mund të jetë assesi më i lartë se 3%. Për të nxitur edhe pjesëmarrjen në zgjedhje të partive që ende nuk janë formuar, Lëvizja BASHKË është e hapur të diskutojë për një prag zgjedhor nga 1% deri në 3%.
Ne mbështesim gjithashtu garantimin e të drejtës së plotë të qytetarëve për të votuar edhe kandidatë brenda listës së propozuar nga një parti politike, duke votuar për 2 deri në 4 kandidatë (në varësi të pragut zgjedhor).
Nga ana tjetër, është i domosdoshëm hartimi i një ligji të posaçëm për financimin e partive politike, duke pamundësuar financimin e tyre nga krimi i organizuar dhe oligarkia ekonomike. Ndryshimet në Kodin Penal duhet të ashpërsojnë masat për blerjen e votës dhe premtimet e tjera të paligjshme që kushtëzojnë votën e qytetarëve. Nevojiten njëkohësisht ndryshime në Kodin Zgjedhor, Kodin Penal dhe ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, të cilat duhet t’u pamundësojnë drejtuesve të institucioneve të ushtrojnë presion ndaj nëpunësve të administratës për të votuar apo për të marrë pjesë në fushatën zgjedhore. Të rëndësishme janë edhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor që mundësojnë kushte të barabarta dhe raportim të ndershëm të fushatës së partive politike në televizione dhe mjete të tjera të informimit publik.
NDRYSHIMI I RAPORTEVE MIDIS KUVENDIT, QEVERISË DHE PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë sjellë, ndër të tjera, defaktorizimin e Kuvendit dhe të Presidentit të Republikës, si dhe fuqizimin e paarsyeshëm të kryeministrit. Për të rivendosur drejtpeshimin midis ekzekutivit dhe legjislativit, janë të nevojshme ndryshime kushtetuese të cilat nisin nga kufizimi në dy mandate i ushtrimit të detyrës së kryeministrit nga një qytetar.
Së dyti, kryeministri dhe ministrat duhet t’u përgjigjen personalisht dhe në kohë të shpejtë kërkesave të deputetëve për interpelancë (neni 80 i Kushtetutës).
Së treti, mocioni i mosbesimit ndaj një kryeministri nuk ka pse të shoqërohet me propozimin për një kryeministër alternativ, çka e bën shumë të vështirë efektivitetin e këtij mocioni (neni 105 i Kushtetutës). Nëse pas shkarkimit të një kryeministri përmes një mocioni mosbesimi nuk arrihet zgjedhja e një kryeministri të ri, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Në këtë rast, kryeministri i shkarkuar nuk mund të qëndrojë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës (neni 106), por detyrën e tij duhet ta ushtrojë përkohësisht zv.kryeministri.
Së katërti, duhet të lehtësohet procedura e thirrjes së një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të duhej të ngrihej me kërkesën e më së shumti 1/10 së deputetëve (neni 77 i Kushtetutës ia njeh këtë të drejtë një të katërtës së deputetëve).
Së pesti, demokratizimit të vendit i duhet gjithashtu rikonfigurimi i rolit të Presidentit të Republikës. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 (neni 87 i Kushtetutës), duke hequr kriterin e shumicës së cilësuar në raundin e katërt dhe të pestë të zgjedhjes së Presidentit, e kthejnë Presidentin e Republikës nga një arbitër mbi palët në nëpunës të thjeshtë të partisë në pushtet. Çfarë nevojitet është rivendosja e shumicës së cilësuar për zgjedhjen e Presidentit. Ky kriter do ta bënte partinë në pushtet të kishte nevojë për konsensusin e partive opozitare për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, duke mundësuar kësisoj që Presidenti të jetë mbi palët. Në raste të acarimit të klimës politike, moszgjedhja e Presidentit nga Kuvendi do të mundësonte si rrugëdalje nga kriza zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Së gjashti, Lëvizja BASHKË propozon që Presidenti i Republikës të ketë si kompetencë edhe iniciativën ligjvënëse – pra t’i drejtohet Kuvendit jo vetëm me mesazhe, por edhe me projektligje konkrete – si dhe iniciativën për ndryshimin e Kushtetutës; mbi të cilat, afërmendsh, Kuvendi duhet të ketë fjalën e fundit (neni 92 i Kushtetutës).
Së shtati, për të respektuar kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare, është i nevojshëm edhe ndryshimi i nenit 86, pika 2, i cili kërkon që Presidenti të ketë jetuar 10 vitet e fundit në Shqipëri.
KARTA SOCIALE
Nuk mund të ketë demokraci politike pa të drejta sociale të garantuara për të gjithë qytetarët. Fatkeqësisht, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë çalon në artikulimin e të drejtave sociale si detyrime për institucionet, ose në raste të tjera mungon kuadri i plotë ligjor i garantimit të tyre efektiv.
Duke u frymëzuar nga shembulli i vendimit të vitit 2010 të Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Lëvizja BASHKË mendon se të drejtat sociale të qytetarëve duhen garantuar në mënyrë efektive që në Kushtetutë. Prandaj propozojmë që të njihet me Kushtetutë parimi i nivelit minimal të mbështetjes së qytetarëve në nevojë (ku përfshihet edhe pensioni minimal), i cili duhet të përcaktohet në bazë të llogaritjes periodike të minimumit jetik, zbatimi i të cilit të jetë i detyrueshëm për qeverinë.
Propozojmë gjithashtu ndryshimin e nenit 57 të Kushtetutës në lidhje me të drejtën për arsimim, duke ngulur këmbë që arsimi falas në institucionet publike të shtrihet në të gjitha shkallët e arsimit. Arsimi publik universitar mund të kufizohet efektivisht vetëm nga kritere aftësie.
Një demokraci e vërtetë ka nevojë jetike për lirinë e plotë dhe inkurajimin e organizimit të punëtorëve dhe shtresave të tjera shoqërore. Për të mundësuar diçka të tillë nevojitet ndryshimi i kuadrit ligjor (Kodi i Punës dhe Kodi Penal) i cili do të përcaktonte sanksione penale dhe administrative ndaj gjithkujt që kërcënon punëtorët kur vendosin të organizohen në sindikata dhe të hidhen në grevë.