ÇELET DEGA E LËVIZJES BASHKË NË DURRËS
Sot pasdite anëtarë dhe mbështetës të Lëvizjes BASHKË u mblodhën në Durrës në zyrën tonë të re. Pas shumë sakrificave financiare, ia dolëm që me kontributet e anëtarëve tanë të kemi të parën qendër politike pas qytetit të Tiranës. Durrësi është një nga qendrat më vitale urbane të Shqipërisë, përplot me histori dhe qytetari. Nga ana tjetër, Durrësi është edhe qyteti i punëtorëve që shfrytëzohen, i të rinjve që largohen prej mungesës së perspektivës, i sipërmarrësve të vegjël që shantazhohen politikisht, i klasës së mesme profesionale që nuk vlerësohet siç e meriton, i dhunës urbanistike të oligarkëve dhe gangsterëve, si dhe një nga vatrat ku pushteti i sotëm kundërmon me korrupsionin dhe paaftësinë e vet. Zyra jonë e vogël në Durrës do të bëhet shumë shpejt qendër e organizimeve vitale, një hapësirë modeste shprese dhe guximi qytetar. Dera jonë është përditë e hapur!