BUXHETI QË RRIT KULLAT, PABARAZINË DHE INFORMALITETIN

Kuvendi i Shqipërisë dhe Redi Muçi ne foltore duke mbajtur fjalim për projektbuxhetin 2026

"Buxheti 'masiv', siç e quajti kryeministri, është një buxhet që masivizon interesat e oligarkisë ekonomike, hedh hi syve të pensionistëve dhe braktis arsimin e shëndetësinë. Në vitin 2026 e në vijim do të ngrihen kulla e do të përmbyten qytete; do të pasurohen miqtë e kryeministrit e do të vuajnë urie pensionistët; do të vjedhin koncesionarët e do të vidhen punëtorët nga paga minimale; do të shtohen resortet në bregdet e do të zvogëlohet numri i shqiptarëve në moshë pune."

Fjala e plotë e deputetit Redi Muçi.

"Të nderuar kolegë,

Nga kjo sallë sot dëgjuam përfaqësuesit e mazhorancës të flasin për rritje të buxhetit, rritje pagash e pensionesh, u hodhën disa shifra në erë, 8.9 miliardë lekë më shumë, 6.7% rritje e shpenzimeve.

Çdo qytetar që i dëgjon këto shifra nga ekrani i televizionit, mund të mendojë se nga janari shqiptarët do të hanë me lugë floriri.
Në radhë të parë, pyetja që çdo qeveri duhet t’i japë përgjigje është e thjeshtë, sidomos një qeveri që drejtohet nga një parti që mban në emrin e saj fjalën “socialiste”. Pyetja është: ku mblidhen këto të ardhura të buxhetit? Kush paguan?

Dhe përgjigjja është kjo: nuk rriten taksat mbi oligarkinë ekonomike, nuk bie barra mbi ata që ndërtojnë kulla dhe resorte turistike, nuk bie mbi ata që nuk prodhojnë asgjë, por përfitojnë gjithçka.

Barra e buxhetit bie mbi punëtorët dhe konsumatorët. Burimi kryesor i buxhetit, 32% e tij, është TVSH-ja, ajo taksë 20% që paguajmë të gjithë, taksa që paguan pensionisti kur blen bukë e kur blen kos.

Po për oligarkët, çfarë propozon kjo qeveri? Propozon “paqen fiskale”. Paqen për kë? Me kë po lufton ky kryeministër? Sigurisht jo me oligarkët. Për oligarkët, kryeministri propozon faljen e plot 2 miliardë eurove nga buxheti i shtetit. Ulet tatimi mbi fitimin nga 15% në 5% për bizneset me fitim vjetor 14 milionë lekë, të cilat deklarojnë rritje fitimi me 18% për vitin pasardhës. Kush janë këta? Cili biznes prodhues do të luajë bixhoz me falimentin duke deklaruar në tatime rritje fitimi me 18%? Vetëm ndërtuesit. Vetëm oligarkia e ndërtimit. Për çdo lek mbi këtë prag, ata nuk do të tatohen më me 15%, por me vetëm 5%.

E përmbysur është logjika për sipërmarrjet që investojnë në teknologji, për të rinjtë e të reja, profesionistë të lirë, të shkolluar që punojnë si të vetëpunësuar dhe investojnë në inovacion: taksa u rritet nga 5% në 15%.

Dëgjuam të flitet për rritjen “më të madhe të pensioneve në histori”. Rritje progresive… shumëzohen shifrat me 12, pastaj me 24, pastaj me 36… Pensionisti i ngratë që i dëgjon, kujton se nga nesër do të shohë një ditë të bardhë.

Por edhe në këtë rast, siç e pohoi vetë ministri i financave nga kjo sallë, nuk do të ketë bonus fundviti. Rrjedhimisht, ai bonus që merrej deri dje, tani do të pjesëtohet në 12 muaj.

Dua të flas me “të vjetra” që të më kuptojnë pensionistët:

BONUSI I FUNDVITIT: ishte 150 mijë lekë të vjetra në vit.

150.000 / 12 = 12.500 lekë në muaj.

Çfarë ka bërë kjo qeveri?

Për pensionet mbi 273.500 lekë të vjetra, “rritja” do të jetë 18 mijë lekë të vjetra në muaj për tre vitet e ardhshme.
Pjesa dërrmuese e pensionistëve, ata që marrin më pak se 270 mijë lekë të vjetra, do të marrin më pak para sesa merrnin me bonusin e fundvitit.

Unë po shtroj dy pyetje:

  1. Pse qeveria hiqet sikur po i rrit pensionet?
    Sepse pensionistët dolën dhe protestuan. Sepse u dëgjuan për herë të parë në 13 vjet. Dhe pas 13 vjetësh, çudi e madhe, në këtë sallë Kuvendi po flitet për pensionet. “Kryefjala e këtij buxheti janë pensionistët”, tha kryeministri. Ky që u kujtua për ta vetëm pasi ata u ngritën në protestë; ky që, siç e quajti me ironi një herë, i krahasoi me “Sude me gjyslykë”. Ky që ka gjysmën e qeverisë në paraburgim.
  2. Pse qeveria nuk i rrit vërtet pensionet?
    Sepse skema e tyre e pensioneve ka falimentuar. Sipas raportit të buxhetit, për çdo pensionist kontribuojnë vetëm 1.14 punëtorë. Në vendet e tjera kontribuojnë mbi 3 punëtorë. Në Shqipëri vetëm 1.14. Pse? Sepse të rinjtë po e braktisin vendin dhe sepse ata që punojnë, detyrohen të punojnë në të zezë. 50% e punëtorëve nuk sigurohen, paguhen “nën dorë”. Prandaj nuk rriten pensionet: sepse pa luftuar informalitetin, është e pamundur të rriten pensionet.
    Por që të luftohet informaliteti, duhet të zbrazet Inspektoriati i Punës nga patronazhistët dhe të punësohen juristë e ekonomistë profesionistë, njerëz që duan ta bëjnë punën për të mbrojtur të drejtat në punë dhe Kodin e Punës, jo patronazhistë që marrin rrogë për të mbushur mitingjet e Edi Ramës dhe për të shantazhuar votuesit me laps e me letër.

Kryeministri foli për rritjen e pagës minimale, por a ka folur ndonjëherë me punëtoret e fasonerive, që atë pagë minimale që marrin detyrohen ta kthejnë te dera e fabrikës? A ka folur me gratë e periferive që marrin çdo ditë autobusin për të punuar si sanitare në Tiranë? Ata që marrin pagën minimale janë punëtorët më të shtypur në vend. Me një shkallë informaliteti 50%, çdo rritje e pagës minimale është thjesht rritje e informalitetit.

Buxheti për sektorët prioritarë, arsimin dhe shëndetësinë, ka rënie në raport me PBB-në.

27% e PBB-së shkon për koncesione dhe PPP.
2.9% për shëndetësinë.
2.5% për arsimin.
Nga t’ia filloj për arsimin? Nga zbrazja e klasave dhe sallave universitare? Nga mungesa totale e infrastrukturës mësimore? Sot takova dy prindër në Yzberisht që më thanë se për fëmijën e tyre në shkollën 9-vjeçare duhet të paguajnë “kontribut” 10.000 lekë të vjetra që të mbulohet paga e rojes së shkollës dhe për ndërruar ndonjë llampë në klasë.

Për arsimin e lartë nuk mjaftojnë as 10 minuta, as 10 orë, as 10 ditë. Ligji që kjo qeveri miratoi në fillim të mandatit u bazua tek një parim i vetëm: universiteti do të financohet nga tarifat e studentëve. Po sot që nuk ka më studentë? Po sot që kuotat e universiteteve publike mbeten 50% bosh?

Nuk ka laboratorë mësimorë e shkencorë, nuk ka biblioteka, nuk ka mensa, nuk ka shtretër në konvikte. Dhe përderisa nuk ka të ardhura nga tarifat, sepse nuk ka studentë, ky buxhet nuk ka fonde as për infrastrukturën, as për kërkimin shkencor.

Shëndetësia është e rrënuar, e copëtuar, e privatizuar. Nuk ka pajisje diagnostikuese, ka lista pritjeje deri në një vit, nuk ka mjekë, nuk ka shtretër, nuk ka ilaçe, nuk ka rimbursim për pensionistët. Ka vetëm tendera për suvatime e pllaka. Ndërsa për nevojat jetike ka vetëm koncesione qindra milionë euro.

Buxheti “masiv”, siç e quajti kryeministri, është një buxhet që masivizon interesat e oligarkisë ekonomike, hedh hi syve të pensionistëve dhe braktis arsimin e shëndetësinë. Në vitin 2026 e në vijim do të ngrihen kulla e do të përmbyten qytete; do të pasurohen miqtë e kryeministrit e do të vuajnë urie pensionistët; do të vjedhin koncesionarët e do të vidhen punëtorët nga paga minimale; do të shtohen resortet në bregdet e do të zvogëlohet numri i shqiptarëve në moshë pune.

Ky është vizioni i Edi Ramës, por absolutisht jo i shqiptarëve!