BASHKË PËR PENSIONE DINJITOZE!

Pensioniste dhe te rinj ne seline e Levizjes Bashke

Sot në selinë e Lëvizjes BASHKË u takuam me përfaqësues të pensionistëve nga profesione të ndryshme për të diskutuar mbi gjendjen e rëndë ekonomike dhe shoqërore të të moshuarve në Shqipëri. Përfaqësues të pensionistëve të sektorëve të minierave, punëtorëve të industrisë së lehtë, arsimit, ushtrisë dhe të tjera profesioneve na përcollën shqetësimet e grupeve të tyre shoqërore dhe u shprehën të gatshëm t'i bashkohen veprimtarisë së Lëvizjes BASHKË për të kundërshtuar talljen e fundit të qeverisë me indeksimin e pensioneve. Lëvizja BASHKË ka një program të qartë të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, luftës ndaj informalitetit dhe evazionit, si dhe rimëkëmbjes së shtetit social - shtylla strukturore të rritjes domethënëse të pensioneve. Lëvizja BASHKË është hartuesja e projektligjit të minimumit jetik të nënshkruar nga 21,000 qytetarë, i cili prej thuajse dy vjetësh fle në sirtarët e pluhurosur të Kuvendit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Lëvizja BASHKË do të jetë në krah të pensionistëve në çdo aksion ndërgjegjësues dhe protestë që kërkon të vendosë në vend të drejtat dhe dinjitetin e mohuar të mbi 700,000 pensionistëve shqiptarë.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/bashke-per-pensione-dinjitoze/