Bashkë me punëtorët
Shkalla e punësimit sot në Shqipëri është rreth 58%, që do të thotë se sot gati gjysma e popullisë në moshë pune është ose e papunë ose jo aktive. Në terma ekonomikë kjo është një shifër alarmuese pasi një pjesë shumë e madhe e popullisë ka vështirësi në gjetjen e një pune dhe nuk kontribuon dot në zhvillimin e vendit. Kjo shifër është shumë më e ulët se mesatarja evropiane (75%) dhe se në Serbi (64%) dhe në Malin e Zi (61%).
Ky nivel i ulët i punësimit të popullsisë tregon një përhapje të gjerë të punës informale, pra të punë në të zezë, pa kontrata, pa sigurime shoqëror e shëndetësore. Puna informale jo vetëm nuk i sjell të ardhura shtetit por ndikon negativisht në sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve. Numri i aksidenteve dhe vdekjeve në punë, në ndërtim dhe miniera, është nga më të lartët në rajon dhe në Evropë.
Ndërkohë kemi edhe një shkallë të lartë të papunësisë, sidomos mes të rinjve të moshës 15-29 vjeç, e cila është sa dyfishi i mesatarës së vendeve evropiane (6%).
Për këto problematika dhe për zgjidhjet programore të Lëvizjes BASHKË, do të flasim në takimin e ditës së shtunë, 25 Tetor, ora 17:30, në selinë e Lëvizjes BASHKË.