1 MAJI I PUNËTORËVE!

Punëtorë duke punuar mbi skela pa masa sigurie.

Shqipëria e sotme është parajsë për oligarkët e pushtetarët, por po bëhet përditë e më ferr për punëtorët.
Në këtë sistem qeverisës ku kryepushtetari krenohet që nuk ka sindikata, punëtorët punojnë mesatarisht më shumë orë se në çdo shoqëri tjetër në Evropë.

Në vendin me oligarkët më të pasur në rajon, paga mesatare mbetet më e ulëta krahasuar me fqinjët.
Në situatën ku korrupsioni bën kërdinë, vdekshmëria në punë krahasuar me numrin e popullsisë është ndër më të lartat në Evropë.

Në shtetin ku propaganda e pushtetit flet për integrim të shpejtë në BE, gjysma e punëtorëve punojnë në të zezë, pa pasur mundësi të gëzojnë pension.

Në situatën ku të fortët dhe kriminelët bëjnë ligjin, pensioni nuk mjafton as për të ngrënë bukë e kos.

Në kohën kur deputetët bëhen investitorë strategjikë, profesionistët e shtresës së mesme taksohen më shumë se oligarkët.

Po Shqipëria mund të ndryshojë. Për njerëzit e punës dhe nëpërmjet njerëzve të punës.

Lëvizja BASHKË është e vetmja parti që në më shumë se 14 vjet aktivizëm ka ngritur zërin për punëtorët: minatorëve, naftëtarëve, punëtoreve të fasonerive e call center-it, punëtorëve të ndërtimit dhe kujtdo që kërkon të jetojë ndershmërisht me punën e vet. Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi deri në fund krah tyre.

Në programin tonë qeverisës ka një kapitull të veçantë për punën. Ne do të rithemelojmë Ministrinë e Punës dhe nxisim themelimin e sindikatave të fuqishme e të pavarura.

Lëvizja BASHKË do të luftojë fort informalitetin në punë dhe çdo abuzim me punëtorët.

Ne do të përmirësojmë Kodin e Punës, duke mundësuar kthimin në punë të punëtorëve të hequr padrejtësisht nga puna.
Lëvizja BASHKË do të vendosë një pagë minimale prej 60,000 lekësh të reja dhe nxitur formimin profesional për të mbajtur në vend forcën punëtore.

Dy nga tre ligjet e para që do të propozojmë në Kuvend do të jenë miratimi i minimumit jetik dhe i Statusit të Minatorit.

Sot, në këtë ditë të shënuar për të gjithë punëtorët, u bëjmë thirrje të gjithë njerëzve të punës që të na bashkohen në orën 18:00 në Kamëz për të ngritur zërin bashkërisht për drejtësi shoqërore.

Me punëtorët deri në fund!