PETICION PËR PAKËSIMIN E NDOTJES SË AJRIT DHE MBROJTJEN E SHËNDETIT PUBLIK
Ne, qytetarë të Tiranës – bazuar në nenet 48, 56, 59 dhe 158 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenet 20 dhe 23 të ligjit nr. 139/2015 Për Vetëqeverisjen Vendore, në nenet 4 dhe 10 të ligjit 162/2014 Për Mbrojtjen e Cilësisë së Ajrit në Mjedis, si dhe vendimit të Këshillit të Ministrave 412-2019 – të alarmuar nga niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë, vdekshmëria e lartë dhe përkeqësimi i shëndetit publik si rezultat i sëmundjeve të shkaktuara nga kjo ndotje, u drejtohemi institucioneve të sipërshënuara që të marrin sa më parë masat e mëposhtme të konsultuara me ekspertë të fushave të mbrojtjes së mjedisit, planifikimit urban dhe shëndetit publik:
- Matja periodike e grupeve kryesore të ndotësve të ajrit – dyoksidi i squfurit (SO2), dyoksidi i azotit (NO2) dhe oksidet e azotit (NOx), lënda e ngurtë pezull (P.M.10 dhe P.M.2.5), benzeni (C6H6), monoksidi i karbonit (CO), plumbi (Pb), ozoni (O3) – në kryqëzimet kryesore dhe brenda të gjitha njësive administrative të Bashkisë Tiranë, si dhe publikimi periodik i tyre.
-
Rishikimi i Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, ku të
përfshihen:
- Një moratorium 5-vjeçar ndaj ndërtimeve brenda Unazës së madhe të qytetit
- Rikuperimi sa më i madh i mundshëm i hapësirave publike
- Mbrojtja rigoroze me ligj dhe struktura të posaçme e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, si dhe i parqeve të Bovillës, Paskuqanit dhe Dajtit, duke siguruar korridore ekologjike ajrimi për qytetin
- Shtimi i sipërfaqes së hapur të gjelbër për të arritur standardet 4-9 m2 për banor, si dhe ndërtimi i miniparqeve në lagje.
- Rregullimi i transportit publik në Tiranë, duke ndërtuar korsi të dedikuara dhe funksionale për autobusët urbanë dhe përmirësuar shërbimin brenda tyre, me qëllim nxitjen e qytetarëve për të përdorur transportin publik, lehtësimin e trafikut dhe zvogëlimin e substancave ndotëse në ajër. Në këtë kuadër, duhet studiuar mundësia e ndërtimit të linjave të tramvajit në disa prej arterieve kryesore të qytetit.
- Rehabilitimi i rrugëve dytësore dhe pastrimi me mjete moderne i qytetit.
- Kontrolli rigoroz i cilësisë së karburantit për të pakësuar emetimin e grupeve të elementëve ndotës në ajër.
- Politika nxitëse fiskale të rinovimit të flotës së automjeteve në kuadrin e pakësimit të emetimit të grupeve kryesore ndotëse të ajrit.