Platforma politike e Arlind Qorit për drejtimin e Lëvizjes BASHKË

I. Po sot, Shqypni, pa m'thuej si je?

Shqipëria po kalon një nga fazat më të vështira dhe të rëndësishme të historisë sonë bashkëkohore. Procesi i akumulimit përmes shpronësimit dhe politika e kapur dhe e korruptuar po shkretojnë potencialet e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, po atrofizojnë edhe më shumë institucionet publike dhe po e shndërrojnë demokracinë në një formalitet me gjithnjë e më pak përmbajtje. Efekte të mëtejshme të politikave antipublike janë kushtet e padenja të punës, pagat e ulëta dhe mungesa e të drejtave sociale, mbytja e bizneseve të vogla e krijuese, pensionet tejet të ulëta dhe mungesa e një rrjete sociale që i ruan qytetarët nga pasojat më të rënda të keqqeverisjes. Nëse faktorëve të mësipërm u shtojmë fuqizimin oligarkisë ekonomike dhe bazimin e jetës ekonomike mbi pastrimin e parave, spekulimin imobiliar dhe turizmin e paqëndrueshëm, pasoja e pashmangshme është emigrimi masiv i shqiptarëve, të cilët ende sot, sipas statistikave zyrtare, largohen nga atdheu në përmasa prej 50,000 vetësh në vit.

Në këto kushte, Shqipëria ka nevojë edhe më të madhe që Lëvizja BASHKË të fuqizohet dhe të shndërrohet në katalizatorin e transformimeve të mëdha politike, ekonomike e sociale. Është e drejta e barabartë e secilit prej nesh për të ndihmuar në këtë proces historik. Është detyra e secilit prej nesh, dhe imja në radhë të parë nëse më rizgjidhni në krye të Lëvizjes BASHKË, për të dhënë maksimumin e kapaciteteve tona fizike dhe intelektuale që Shqipëria të shndërrohet në një vend demokratik, me institucione të forta e të pavarura, që çon përpara një model të qëndrueshëm zhvillimi, të kombinuar me politika sociale të vërteta.

II. Marrëdhënia me qytetarët

Qytetarët janë burimi i frymëzimit dhe forcës sonë. Në kushte të një gare tejet të pabarabartë zgjedhore, rreth 25,000 qytetarë na besuan votën duke i mundësuar Lëvizjes BASHKË të ketë përfaqësim në Kuvendin e Shqipërisë. Vërej me gëzim që prej ditës së zgjedhjeve mbështetja për Lëvizjen BASHKË është rritur në mënyrë domethënëse. Është detyra jonë që këtë besim ta përfaqësojmë denjësisht dhe të shtojmë radhët e mbështetësve tanë në vitet e ardhshme.

Në zgjedhjet e 2025 u vërejt që numri i qytetarëve që na simpatizonin ishte shumë herë më i madh se i atyre që në fund vendosën të na votojnë. Ky hendek shpjegohet jo vetëm me kërcënimin që qytetarët ndjejnë për të votuar për partinë në pushtet, as thjesht me nostalgjinë për të qëndruar edhe një herë në llogoret e pseudo-luftës së pambarimtë midis partive të vjetra. Ky hendek mund të shpjegohet në radhë të parë me krizën e besimit që partitë e deritanishme kanë krijuar te qytetarët me sjelljen e tyre joparimore dhe tradhtimin e vazhdueshëm të të drejtave dhe interesave të qytetarëve. Siç thoshte Hegeli, në natën pis të errët të gjitha lopët duken të zeza. Ose, siç thotë populli ynë, kur të djeg qulli, duhet t’i frysh edhe kosit.

Çfarë e veçon Lëvizjen BASHKË nga të gjitha partitë e tjera të sotme është se besimin ne po e fitojmë me prova konkrete, duke dëshmuar në çdo rast integritetin tonë moral, mbajtjen e premtimeve, luftën e paepur ndaj politikës së korruptuar dhe oligarkisë korruptuese, idetë novatore dhe solidaritetin me të gjitha kauzat qytetare.

Meqenëse për ta fituar besimin e plotë të shoqërisë duhen kaluar prova të panumërta dhe për ta humbur mjafton vetëm një çast, është detyra e secilit prej nesh që të mbetemi qytetarë me integritet të lartë moral dhe gjithnjë e më të përkushtuar për materializuar aspiratat më të larta të shoqërisë sonë.

Ndaj në vitet në vijim duhet të bashkorganizohemi me të gjithë qytetarët të cilët përballen me padrejtësi, në qytete e fshatra, me ata që shpronësohen në bregdet e male, me qytetarët që mbeten pa hapësira publike në qytetet e mëdha dhe pa mundësi ekonomike ngado nëpër Shqipëri.

III. Marrëdhënia me shoqërinë

Veçoria e një partie politike moderne është se nuk e përfytyron shoqërinë vetëm në tërësinë e saj, si bashkësi qytetarësh me të drejta dhe mundësi të barabarta, por edhe të përbërë nga klasa e shtresa shoqërore, të cilat kanë interesa të ndryshme, nganjëherë edhe kontradiktore. Është përgjegjësi e një partie politike të së majtës moderne, si Lëvizja BASHKË, që të jetë ndihmuesja e procesit të ndërtimit të një aleance të gjerë midis klasave dhe shtresave më të gjera të shoqërisë, duke vënë në dukje interesat e tyre të përbashkëta dhe afatgjata, si dhe modeluar shtetin në funksion transformimit të këtyre interesave në një interes të madh publik.

Për Lëvizjen BASHKË, punëtorët janë tejet të rëndësishëm jo vetëm si ata që përmes punës së tyre fizike, punës së kujdesit dhe punës intelektuale prodhojnë të mira dhe kontribuojnë në riprodhimin e shoqërisë, por edhe kanë kapacitetin potencial të organizimit shoqëror e politik për të demokratizuar shtetin. Ndaj në vitet në vijim Lëvizja BASHKË duhet të dëftojë një seriozitet dhe përkushtim edhe më të lartë në nxitjen e ndërgjegjes sociale të punëtorëve dhe organizimit të tyre në vendin e punës, sektorialisht dhe si klasë në tërësi. Grupi i punëtorëve që funksionon sot në Lëvizjen BASHKË duhet të strukturohet më mirë për t’iu përgjigjur më shpejt nevojave të organizimit të punëtorëve.

Klasa e mesme profesionale, e përbërë nga të vetëpunësuar ose të punësuar me kredenciale të larta arsimore, përbën në Shqipërinë e sotme jo vetëm një nga pjesët më produktive të shoqërisë, por edhe më të nëpërkëmbura përmes politikave tatimore të padrejta dhe nevojës për të zëvendësuar me të ardhurat e tyre dështimin e shtetit social. Është detyra jonë si Lëvizje që të komunikojmë dhe bashkorganizohemi më mirë me anëtarët e kësaj klase sociale, duke dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre, marrë në konsideratë idetë e tyre krijuese dhe nxitur veprimin e përbashkët në të mirë të shoqërisë. Një grup pune i posaçëm brenda Lëvizjes BASHKË duhet të ngrihet për të ndërtuar marrëdhënie sa më të shëndosha me klasën e mesme profesionale.

Të rinjtë shqiptarë janë jo thjesht grupi social me vitalitetin më të madh, por edhe më të diskriminuarit në termat e arsimit cilësor, politikave të punësimit, strehimit të përballueshëm dhe perspektivës sociale. Është e nevojshme që grupi i të rinjve në Lëvizjen BASHKË duhet të rrisë intensitetin dhe cilësinë e veprimtarisë së vet për të nxitur organizimin e të rinjve në shkolla dhe në territor. E rëndësishme është që përmes aktiviteteve kulturore të nxisim dëshirën e të rinjve për dije, ndërkohë që aktivitetet argëtuese dhe socializuese do të shërbejnë për fuqizimin reciprok dhe rritjen frymës së solidaritetit.

Sipërmarrësit e vegjël janë sot një prej shtyllave më të rëndësishme dhe të diskriminuara të ekonomisë shqiptare. Përparësia absolute që modeli aktual i zhvillimit u jep oligarkëve po i mbyt gjithnjë e më shumë sipërmarrjet e vogla dhe ato prodhuese. Në programin e Lëvizjes BASHKË kemi parashikuar një varg masash që do t’u jepnin frymëmarrje sipërmarrjeve prodhuese e krijuese, duke parë me përparësi mes tyre sipërmarrësit e vegjël. Detyra e Lëvizjes BASHKË është që të ndihmojë në përpjekjet e sipërmarrësve të vegjël për t’u organizuar në mbrojtje të interesave të tyre legjitime, si dhe të mirëkuptohemi me ta për politikat tona zhvillimore që do t’u mundësonin këtyre sipërmarrjeve të lulëzonin.

Pensionistët shqiptarë dhe shtresat në nevojë janë sot banorët më të varfër të Evropës. Niveli i pensioneve dhe ndihmës ekonomike në Shqipëri është më i ulët se gjetiu në kontinent. Pavarësisht se përbëjnë një pjesë numerikisht të konsiderueshme të shoqërisë, organizimi i pensionistëve dhe shtresave në nevojë na përball me vështirësi të veçanta. Pensionistët janë të shumtë, por një pjesë syresh kanë vështirësi fizike për t’u organizuar si shtresë sociale. Protestat e muajve të fundit të vitit 2025 që Lëvizja BASHKË organizoi me pensionistët ishin të suksesshme në kuptimin e rritjes së vëmendjes publike për këtë shtresë. Gjithsesi vështirësitë në organizim mbeten. Ndaj është e nevojshme të mendojmë për mënyra të reja të komunikimit me pensionistët dhe shtresat në nevojë, që do të shoqërojnë protestat dhe aktivitetet e tjera publike masive me ta. Përdorimi më i zhdërvjelltë i rrjeteve sociale, komunikimi në grupe të vogla në territor aty ku pensionistët rrinë së bashku, aktivitete të natyrës kulturore etj. do të na shërbenin për të depërtuar më thellë brenda këtyre shtresave.

Bujqit janë ende sot një nga shtresat më të gjera të shoqërisë shqiptare. Rreth 36% e forcës punëtore në Shqipëri është në fshat, ndonëse mungesa e mbështetjes së shtetit dhe infrastruktura e degraduar bujqësore kontribuojnë në largimin masiv të bujqve drejt qyteteve ose në emigracion. Organizimi me bujqit ka vështirësi të veçanta për shkak të shtrirjes gjeografike dhe strukturës sociale të fshatit. Format tradicionale të organizimit janë ende shumë të rëndësishme. Ndaj është detyra jonë që, duke ngritur një grup pune të posaçëm për marrëdhëniet me bujqit, të vendosim marrëdhënie të shëndetshme me grupet e organizuar territorialisht të bujqve, të kuptojmë më mirë mundësitë e organizimit në fshat dhe t’i bëjmë sa më praktike propozimet tona për modernizimin e bujqësisë shqiptare.

Në Lëvizjen BASHKË është i mirëpritur çdo qytetar i cili, pavarësisht pozicionit të vet social, ka vullnetin e mirë për të kontribuar në përpjekjen e përbashkët për demokraci, shtet të së drejtës, zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejta sociale të njëmendta. Afërmendsh vullnetin e mirë nuk mund ta kenë as sot, askurrë, oligarkët, pushtetarët e korruptuar apo pjesëtarët e grupeve kriminale. Çdokush tjetër me vullnetin e mirë është i mirëpritur në Lëvizjen BASHKË, si anëtar, bashkudhëtar, bashkëveprues apo interlokutor, për të ndërtuar një Shqipëri të denjë për historinë dhe potencialet e popullit tonë.

IV. Organizimi në territor

Lëvizja BASHKË ka nevojë për ta intensifikuar organizimin e saj në territor. Në vitet e ardhshme organizimi ynë duhet të shtrihet në çdo vendbanim urban dhe rural, duke u shkallëzuar në Shqipëri deri në nivelin e lagjes dhe të fshatit, ndërsa në diasporë në nivel qyteti (rajoni). Për ta arritur këtë qëllim duhet një koordinim gjithnjë e më i mirë i punëve midis organeve qendrore dhe lokale të Lëvizjes, si dhe anëtarëve dhe mbështetësve tanë kudo ku jetojnë, në Shqipëri dhe në diasporë. Për të zhdërvjelltësuar koordinimin kapilar të punës, kam besim që delegatët e Kongresit do t’i japin mbështetje strukturës më të detajuar të organizimit të punës në territor.

Krahas fushatave me karakter kombëtar që kryhen, sipas mundësive, jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qendrat urbane të vendit, është e rëndësishme që bazat dhe degët e Lëvizjes BASHKË të zhvillohen edhe aktivitete e fushata (peticione, takime publike, protesta etj.) që ngrenë shqetësimet e komunitetit dhe ofrojnë një alternativë programore lokale për këto probleme.

Pavarësisht mënyrave të organizimit, nuk mund të ketë organizim pa frymëzim. Në këtë kuptim, veprimtaria politike e Lëvizjes BASHKË, në të gjitha nivelet e saj, duhet të jetë novatore në ide dhe me entuziazmin që kërkohet nga një anëtarësi aktive. Për të zhvilluar më tej vetëdijen politike të anëtarëve dhe për të shndërruar gjithnjë e më shumë prej tyre në aktivistë janë të nevojshme edhe diskutimet me karakter më të përgjithshëm politik, historik e kulturor.

V. Mobilizimi

Lëvizja BASHKË duhet të jetë gjithmonë në krah të qytetarëve që ngrihen në protesta kundër padrejtësive. Po aq e nevojshme është edhe iniciativa për të thirrur protesta dhe veprimtari të tjera masive që kërkojnë ndryshime të menjëhershme ligjore e politike në vend. Një parti moderne nuk mundet vetëm të reagojë, por duhet edhe të analizojë në detaje situatën politiko-shoqërore, të lexojë siç duhet kontradiktat sociale themelore dhe të mobilizohet shpejt në protesta. Për shkak të karakterit dhe parimësisë së Lëvizjes BASHKË, në shumë çështje, aty ku preken interesat e oligarkisë ekonomike dhe sistemit të krimbur politiko-mediatik, Lëvizja BASHKË është e vetmja parti që mund të mobilizojë qytetarët në protesta. Ndaj është jo vetëm mundësia jonë, por edhe detyrimi ynë politik që të jemi edhe mbështetës, edhe iniciatorë të protestave dhe organizimeve të tjera masive të qytetarëve.

Për të forcuar punën tonë mobilizuese është e rëndësishme që në organizimin e brendshëm të ndërtojmë struktura që organizohen shpejt dhe me fleksibilitet, qarkullojnë menjëherë informacionin tek anëtarët e mbështetësit, si dhe komunikojnë në mënyrë krijuese me shoqërinë.

VI. Iniciativat ligjvënëse

Prej vitit 2025 Lëvizja BASHKË ka mundësinë që t’i paraqesë drejtpërdrejt Kuvendit të Shqipërisë projektligje, amendamente ligjore, kërkesa për abrogim të ligjeve të këqija, si dhe një varg tjetër iniciativash hetimore parlamentare. Projektligji i parë që do të çojmë në Kuvendin e Shqipërisë është ai i minimumit jetik, një punë disavjeçare e ekspertëve dhe përfaqësuesve politikë të Lëvizjes BASHKË. Rëndësi parësore për ne kanë edhe ndryshimet në Kodin Penal që do të rëndojnë dënimet për korruptimin e zyrtarëve të lartë publikë, heqin parashkrimin dhe forcojnë pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve të drejtësisë për të gjurmuar, sekuestruar dhe konfiskuar pasuritë e vendosura përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të rëndësishme gjithashtu do të jenë propozimet tona ligjvënëse për të ndaluar financimin e partive politike nga oligarkia ekonomike dhe krimi i organizuar, për të demokratizuar sistemin zgjedhor dhe, mbi të gjitha, për të hartuar një ligj referendumesh që u mundëson efektivisht qytetarëve të vendosin në nivel qendror dhe lokal për politikat publike. Për të rritur peshën e nismave ligjvënëse të Lëvizjes BASHKË na duhet të kërkojmë në mënyrë periodike mbështetjen e qytetarëve me nënshkrime peticionesh, takime ndërgjegjësuese dhe protesta.

Për të ndihmuar deputetin tonë Redi Muçi në Kuvendin e Shqipërisë është shumë e rëndësishme të zgjerohet baza e ekspertëve që na mbështetin me njohuritë e tyre për të analizuar në mënyrë kritike projektligjet e iniciuara nga qeveria dhe, ç’është më e rëndësishmja, për të hartuar projektligje që japin zgjidhjet e duhura për problemet e mëdha ekonomike e sociale të vendit.

Paraqitja parlamentare e Lëvizjes BASHKË do të përmirësohet duke nisur kërkesa për ngritjen e komisioneve parlamentare, e cila gjithashtu është kolektive si punë përgatitore dhe në aspektin e komunikimit publik. Komisionet parlamentare për hetimin e privatizimeve të mëdha, koncesioneve dhe ligjit për investimet strategjike do të kenë përparësi.

VII. Rritja e numrit të drejtuesve

Fuqia e një partie politike nuk matet me pushtetin e kryetarit, por me shtimin e numrit të drejtuesve qendrorë dhe lokalë me moral të fortë, përgatitje të lartë politiko-profesionale dhe reputacion të mirë në shoqëri. Edhe në punën tonë, edhe në perceptimin publik është tejet e rëndësishme që Lëvizja BASHKË të identifikohet jo vetëm nga idetë e saj, por edhe nga një shtresë përfaqësuesish të denjë, të cilët kanë mbështetjen dhe respektin e anëtarëve dhe qytetarëve. Për ngritjen e nivelit të përfaqësimit në Lëvizjen BASHKË janë të rëndësishme jo vetëm përvoja politike e profesionale, por edhe studimi i vazhdueshëm i dinamikave politike e sociale në vend. Për drejtuesit lokalë është edhe më i rëndësishëm njohja e problemeve dhe kulturës së komuniteteve.

Të qenit drejtues (në shumës) në Lëvizjen BASHKË kërkon jo vetëm moral të fortë, por edhe një frymë solidariteti dhe bashkëpërkatësie me anëtarët e Lëvizjes dhe qytetarët. Arroganca, vetëpëlqimi dhe nënçmimi i tjetrit nuk janë thjesht elementë të karakterit vetjak, por edhe cenues të frymës së solidaritetit që për një parti si Lëvizja BASHKË është jetike. Drejtuesit në Lëvizjen BASHKË duhet t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre nëpërmjet shembullit; sipas nevojave, të kërkojnë dhe të japin llogari duke u udhëhequr nga parimet e transparencës dhe respektit për të tjerët. Çka marrin në këmbim nuk janë privilegje, por respekti i anëtarëve dhe i qytetarëve.

VIII. Komunikimi publik

Pavarësisht hapave të rëndësishëm që kemi bërë përpara në komunikimin publik, sërish Lëvizja jonë vuan nga fakti që një pjesë e punës dhe veprimtarisë sonë ende nuk njihen sa dhe si duhen nga shoqëria. Shkaku kryesor i kësaj vështirësie mbetet edhe sot burimet e pakta njerëzore që mund të angazhohen me kohë të plotë në strukturimin e komunikimit publik. Sidoqoftë, me angazhimin dhe organizimin në rrjet të anëtarëve dhe mbështetësve të Lëvizjes që kanë njohuri të specializuara mund të bëjmë një hap përpara edhe në komunikimin publik.

Çka është e rëndësishme është që e vërteta objektive – Lëvizja BASHKË si partia e të resë së shumëpritur dhe krejtësisht e dallueshme nga çdo faktor tjetër politik në Shqipëri – të përcillet në mënyrë bindëse te qytetarët. Po ashtu duhet të sintentizohen pikat kryesore të programit tonë dhe qëndrimet politike të Lëvizjes BASHKË.

Në kushtet ku raportin me mediat tradicionale (televizione, radio, gazeta) do ta kemi gjithnjë të vështirë, për ne është jetike përdorimi krijues i platformave sociale. Mesazhi duhet të jetë, në radhë të parë, i vërtetë dhe domethënës. Por nuk mund të ndalemi këtu. Duhet të kuptojmë që shoqëria përbëhet nga shtresa të ndryshme, me mënyra komunikimi specifike. Zotësia jonë do të duket kur përveç mesazheve të përgjithshme, të zhdërvjelltësohemi për të komunikuar në mënyrën e duhur me punëtorët, shtresën e mesme, të rinjtë, pensionistët, sipërmarrësit e vegjël, bujqit etj. Nga ana tjetër, strukturimi i komunikimit publik bashkëkohor duhet të marrë në konsideratë faktin se ligjërimi politik ndërthuret me trajta të tjera ligjërimi, si p.sh. ato të natyrës kulturore, sociale, ekonomike, sportive, argëtuese etj. Çka e bën të nevojshme që ne të përdorim në mënyrë kreative të gjitha këto trajta komunikimi, duke qenë të vetëdijshëm se mesazhi emancipues që i drejtojmë shoqërisë ka përparësi.

IX. Zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme

Ne besojmë se politika emancipuese zhvillohet edhe jashtë institucioneve (protesta, takime, greva etj.), edhe brenda tyre. Në tri vitet e ardhshme na presin dy palë zgjedhje tejet të rëndësishme edhe për Lëvizjen tonë, edhe për të ardhmen e vendit. Në zgjedhjet lokale të vitit 2027 është e domosdoshme që ne t’u propozojmë qytetarëve kandidatët më të mirë për të udhëhequr bashkitë dhe për t’u përfaqësuar brenda këshillave bashkiakë. Meqenëse Lëvizja jonë nuk është parti që “jep vulën me qira”, është jetike që ne të shtrimë dhe forcojmë organizimin tonë në pjesën më të madhe të vendit. Në këtë mënyrë, kandidatët tanë do të gëzojnë edhe besimin e anëtarësisë dhe strukturave drejtuese, edhe respektin e qytetarëve. Objektivat konkrete do të përcaktohen më afër ditës së zgjedhjeve dhe në përputhje me forcën organizative në territor. Gjithsesi Lëvizja BASHKË ka kapacitetin të përfaqësohet në një pjesë të mirë të këshillave bashkiakë, si dhe të arrijë një rezultat mbresëlënës në zgjedhjet për kryetar bashkie të Tiranës.

Lëvizja BASHKË ka përgjegjësinë dhe kapacitetet që qytetarëve të bashkive të ndryshme t’u prezantojë jo vetëm kandidatë seriozë, por edhe programe konkrete për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve nga administrata vendore. Prandaj është e nevojshme që në degët tona të ndërtohen struktura që studiojnë problemet e lokaliteteve dhe hartojnë programet e duhura.

Rezultati në zgjedhjet lokale do të jetë një provë e rëndësishme për strukturat tona drejtuese në të gjitha nivelet e organizimit. Ai do të na tregojë nëse dhe çfarë do të duhet të ndryshojmë në mënyrën e organizimit, cilësinë e përfaqësimit dhe mënyrën e komunikimit me qytetarët me perspektivë zgjedhjet e përgjithshme. Strategjia jonë për këto të fundit do të kushtëzohet nga ndryshimet e mundshme në Kodin Zgjedhor. Gjithsesi objektivi ynë për zgjedhjet e vitit 2027 është që të rrisim numrin e deputetëve dhe ta shndërrojmë Lëvizjen BASHKË në forcën e tretë politike në Shqipëri.

X. Ç’do të thotë të jesh kryetar i Lëvizjes BASHKË?

Sipas logjikës së partive të vjetra në Shqipëri, sa është shkruar deri këtu ngjan më shumë si strategji e një partie sesa si platformë e një kandidati për kryetar. Gjithsesi, në frymën, traditën dhe statutin e Lëvizjes BASHKË kryetari nuk është subjekt i gjithëpushtetshëm, por bashkëndërtues i një projekti politik që përfshin të gjitha hallkat e organizimit të partisë. Në këtë kuptim, ideja ime për të ardhmen e Lëvizjes BASHKË është tërësisht e parealizueshme nëse këto ide nuk gjejnë mbështetjen e strukturave që do të zgjidhen gjatë dhe pas këtij Kongresi, si Këshilli Koordinues, Sekretariati dhe njësitë e tjera të organizimit të partisë në qendër dhe baza. Sa më sipër nuk është shmangie përgjegjësie, por vetëdije se inteligjenca, krijimtaria dhe fuqia e një shumësie janë shumë e shumë herë më të madha se ato të një njeriu, qoftë ky edhe kryetari i partisë. Sipas botëkuptimit tim, roli i një kryetari nuk është të japë urdhra e direktiva si rrufe, por të kuptojë frymën e anëtarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes, nevojat dinamike dhe aspiratat historike të shoqërisë, dhe të mundohet që përmes peshës së mendimit dhe fjalës të ndërtojë sintezën e faktorëve të mësipërm. Po ashtu të nxitë pjesëmarrjen, motivimin dhe vetëvlerësimin e çdo anëtari të Lëvizjes BASHKË, duke besuar fort në potencialin e gjithkujt për t’u përmirësuar dhe kontribuar në përmirësimin e Lëvizjes e të shoqërisë. Do të thotë së fundmi, por jo për nga rëndësia, të marrësh i pari barrën e përgjegjësisë dhe vështirësive, si dhe të jesh i fundit në gëzimin e të mirave.

Shoqe dhe shokë të idealeve më të mira dhe përpjekjeve të mëdha!

Nëse mendoni se unë nuk i përmbush, qoftë edhe pjesërisht, kriteret e mësipërme, do t’ju lutesha që për të mirën e Lëvizjes BASHKË dhe të shoqërisë shqiptare, të mos më votoni.