Rregullore për mbajtjen e Kongresit të Lëvizjes BASHKË
Miratuar nga Këshilli i Koordinimit, më 04.05.2026
Ky draft trajton çështjet e mëposhtme: Shpallja e Kongresit, Organizimi i Kongresit, Komisioni Zgjedhor, Delegatët e Kongresit, Procesi i ndryshimeve statutore, Procesi i zgjedhjes së kryetarit, Procesi i zgjedhjes së Këshillit të Koordinimit, Ankimimet.
I. Thirrja e Kongresit
Mbështetur në Statutin e Lëvizjes BASHKË (neni 12, pika v), Këshilli i Koordinimit thërret Kongresin e Lëvizjes BASHKË më datën 21 qershor 2026, me këtë rend dite të përgjithshëm:
- Analiza e veprimtarisë dy-vjeçare të partisë
- Objektivat dhe sfidat politike për të ardhmen
- Ndryshimet statutore
- Zgjedhja e kryetarit të Lëvizjes BASHKË
- Zgjedhja e Këshillit të Koordinimit
II. Organizimi i Kongresit
Kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e Kongresit është sa 50%+1 e delegatëve.
Organizimi dhe mbarëvajtja e Kongresit është përgjegjësi e Sekretarit Organizativ, në mbështetje të Statutit, në bashkëpunim me Sekretariatin, Komisionin Zgjedhor, Komisionin e Ndryshimeve Statutore dhe Koordinatorët e bazave.
III. Komisioni Zgjedhor
Mbështetur në nenin 13 të Statutit, pika XVII, Këshilli i Koordinimit ngre Komisionin Zgjedhor.
- Komisioni Zgjedhor ka kompetencë organizimin e proceseve zgjedhore në kuadër të organizimit të Kongresit ku përfshihet (zgjedhja e delegatëve, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Koordinimit).
- Komisioni Zgjedhor mund të hartojnë rregullore më të hollësishme për mbarëvajtjen e procesit, të cilat nuk bien ndesh me Statutin dhe këtë dokument.
- Komisioni Zgjedhor përbëhet nga 9 anëtarë, të zgjedhur nga radhët e Këshillit të Koordinimit.
- Anëtarë të Komisionit Zgjedhor nuk mund të jenë anëtarët ekzistues të Komisionit të Etikës dhe Statutit, Kryetari dhe Sekretari Organizativ.
- Komisioni Zgjedhor bashkëpunon ngushtë me Sekretarin Organizativ për mbarëvajtjen dhe organizmin e Kongresit.
- Në shtojcën I janë paraqitur përbërja dhe kontaktet e Komisionit Zgjedhor të zgjedhur nga Këshilli i Koordinimit.
- Komisioni Zgjedhor i merr vendimet e tij me shumicë prej të paktën 5 votash pro.
IV. Delegatët e Kongresit
Mbështetur në Statutin e Lëvizjes BASHKË (neni 13, pika v) Këshilli i Koordinimit miraton rregullat dhe normën e përfaqësimit të delegatëve në Kongres për çdo bazë. Në Shtojcën II jepet norma e përfaqësimit për çdo bazë, duke ruajtur parimin e gjithëpërfshirjes dhe normat e përfaqësimit të shprehura në Statut (neni 12, seksioni A, pika ii).
- Zgjedhjet e delegatëve në bazat që ndodhen brenda territorit të Shqipërisë do të organizohen nga një Komision i Posaçëm me tri vetë, dy anëtarë nga Komisioni Zgjedhor dhe një anëtar i bazës përkatëse i pranishëm në mbledhje dhe i zgjedhur me short.
- Në mbledhjen e bazës së caktuar për zgjedhjen e delegatëve, çdo anëtar i pranishëm në mbledhje ka të drejtë të vetëpropozohet, ose të propozojë anëtarë të tjerë për t’u zgjedhur delegat.
- Komisioni i Posaçëm organizon në mbledhjen e bazës zgjedhjet për delegatë me votim të fshehtë. Në rast nevoje, kur kandidatët me të njëjtin numër votash shtrihen brenda dhe jashtë kuotave fituese, zhvillohet balotazh.
- Menjëherë pas përfundimit të votimit për zgjedhjen e delegatëve, Komisioni i Posaçëm harton procesverbalin përkatës, duke i listuar rezultatet e plota për të gjithë kandidatët e propozuar dhe delegatët e zgjedhur.
- Zgjedhjet e delegatëve në bazat që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë do të organizohen online nga një Komision i Posaçëm me tri vetë, dy anëtar nga Komisioni Zgjedhor dhe një anëtar i bazës i pranishëm në mbledhje dhe i zgjedhur me short. Votimi do të jetë elektronik dhe i fshehtë.
- Komisioni Zgjedhor shpall listën përfundimtare të delegatëve në kongres, jo më vonë se tre ditë para Kongresit. Ky procesverbal me listën e plotë të delegatëve i përcillet Sekretarit Organizativ jo më vonë se tre ditë para Kongresit.
- Çdo ankesë e mundshme i drejtohet Komisionit të Etikës dhe Statutit, brenda afatave të mirëpërcaktuara në rregulloren e posaçme të hartuar nga KES.
Në rast se në baza të caktuara nuk plotësohet numri maksimal i delegatëve, atëherë delegatët do të plotësohen nga bazat e tjera ku ekziston vullnet për t’u përfaqësuar në kongres, duke ruajtur proporcionalitetin midis bazave për zbatimin e formulës së rishpërndarjes dhe gjithëpërfshirjes me vendim të Këshillit të Koordinimit. Ky proces do të koordinohet nga Sekretariati dhe Komisioni Zgjedhor.
V. Ndryshimet e Statutit
Këshilli i Koordinimit ngre Komisionin e Ndryshimeve Statutore (KNS) i cili do të përbëhet nga 3 anëtarë (Shtojca III). Ndryshimet statutore mund t’i paraqiten Kongresit në tri mënyra (Statuti, neni 24, pika i).
- Sipas Statutit të Lëvizjes BASHKË, Këshilli i Koordinimit mund t’i drejtojë Kongresit një paketë ndryshimesh që do të bëhet pas mbledhjes së propozimeve. Çdo anëtar mund t’i dërgojë propozimin e argumentuar, kryetarit të Komisionit të Ndryshimeve Statutore brenda datës 1 qershor 2026. Komisioni i Ndryshimeve Statutore duhet të mbledhë, sintetizojë dhe të paraqesë propozimet te Këshilli i Koordinimit. Ky i fundit do të mbajë një mbledhje të posaçme, jo më vonë se 10 ditë para Kongresit, ku do të diskutohet dhe harmonizohet një paketë-propozimesh. Kjo paketë do t’i paraqitet Kongresit për miratim. Nëse ka vullnet pakice, me mbështetjen e 30% të anëtarëve të KK, për propozime statutore alternative atëherë ato i dërgohen veçmas Kongresit.
- Kryetari i Lëvizjes BASHKË, i cili propozimet e argumentuara duhet t’ia dorëzojë Kryetarit të Komisionit të Ndryshimeve Statutore jo më vonë se data 1 qershor 2026.
- Dhjetë përqind e delegatëve të Kongresit gjatë ditës së e Kongresit, të cilët paraprakisht depozitojnë kërkesën specifike dhe nënshkrimet e nevojshme te Komisioni i Ndryshimeve Statutore.
VI. Zgjedhjet për kryetar
- Çdo anëtar i Lëvizjes BASHKË ka të drejtë të zgjidhet në organet drejtuese të Lëvizjes BASHKË.
- Kandidatët për kryetar duhet të dorëzojnë në Komisionin Zgjedhor dokumentacionin për kandidim jo më vonë se data 1 qershor 2026.
- Kërkesa duhet të shoqërohet me mbështetjen (nënshkrimet) e 30 anëtarëve të Lëvizjes BASHKË, ose të 5 anëtarëve të Këshillit të Koordinimit.
- Kandidatët, gjithashtu, duhet të dorëzojnë një përshkrim të shkurtër për angazhimin profesional dhe politik, si dhe platformën e tyre politike.
- Komisioni Zgjedhor regjistron kandidatët brenda pesë ditësh pas dorëzimit të dokumentacionit dhe i dorëzon listën përfundimtare të kandidatëve Sekretares Organizative, jo më vonë se dhjetë ditë para Kongresit.
- Kandidatët gëzojnë të drejtën të shpalosin platformën e tyre në takime fizike me anëtarësinë e Lëvizjes BASHKË dhe faqen web të Lëvizjes BASHKË.
- Zgjedhja e kryetarit bëhet me votim të fshehtë nga delegatët në sesionin përkatës të Kongresit.
- Zgjedhja e kryetarit do të realizohet me votim fizik të fshehtë nga delegatët e pranishëm fizikisht në kongres, dhe me votim elektronik të fshehtë nga delegatët e diasporës që do ta ndjekin Kongresin online.
- Formati i fletës së votimit dhe modalitetet e votimit do të përcaktohen nga Komisioni Zgjedhor.
- Kandidati për kryetar shpallet fitues kur ka siguruar 50% plus 1 të votave të vlefshme. Nëse nuk përmbushet ky kusht atëherë zhvillohet një raund i dytë, balotazh, pas së cilit shpallet fitues kandidati me më shumë vota.
- Komisioni Zgjedhor, në përfundim të procesit, shpall rezultatin drejtpërdrejt në Kongres.
- Çdo ankesë e mundshme i drejtohet Komisionit të Etikës dhe Statutit brenda afatave të mirëpërcaktuara.
VII. Zgjedhjet për Këshillin e Koordinimit
- Këshilli i Koordinimit ka aq anëtarë sa do të vendosi Kongresi, sipas paragrafit të dytë, të nenit 13 të Statutit.
- Çdo anëtar i Lëvizjes BASHKË ka të drejtë të zgjidhet për të qenë pjesë e Këshillit të Koordinimit.
- Çdo anëtar ka të drejtë të vetëpropozohet, ose të propozohet nga një anëtar tjetër, për të qenë kandidat për t’u zgjedhur në Këshillin e Koordinimit nga delegatët në Kongres. Propozimet duhet të përfundojnë brenda datës 10 qershor 2026.
- Procesi i propozimeve i dërgohen Komisionit Zgjedhor dhe koordinohet ne bashkëpunim me Sekretariatin Organizativ.
- Për çdo kandidat për Këshillin e Koordinimit plotësohet një përshkrim i shkurtër për angazhimin profesional dhe politik (bio).
- Komisioni Zgjedhor miraton listën emërore përfundimtare të kandidatëve për anëtar të Këshillit të Koordinimit 7 ditë përpara mbajtjes së Kongresit.
- Lista emërore, shoqëruar me bio-n e shkurtër të secilit kandidat i dërgohet delegatëve të kongresit 5 ditë përpara datës së Kongresit.
- Procedura e votimit për Këshillin e Koordinimit do të zhvillohet maksimumi deri në dy raunde, ku raundi i dytë zhvillohet vetëm në rast të nevojës për balotazh.
- Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Koordinimit do të realizohet me votim me fizik të fshehtë nga delegatët e pranishëm fizikisht në kongres, dhe me votim elektronik të fshehtë vetëm nga delegatët e diasporës që do ta ndjekin Kongresin online.
- Çdo zgjedhës duhet të votojë deri në 10 prej kandidatëve të listës përfundimtare të propozuar.
- Në rast se kandidatët me vota të barabarta gjenden midis kuotave fituese dhe humbëse, ata do t’i nënshtrohen balotazhit.
- Komisioni Zgjedhor shpall rezultatin në përfundim të procesit, drejtpërdrejt në Kongres.
- Çdo ankesë e mundshme i drejtohet Komisionit të Etikës dhe Statutit brenda afatave të mirëpërcaktuara.
VIII. Ankimimet
Përgjegjës për çdo ankimim të mundshëm në lidhje me proceset e organizimit të Kongresit, në çdo hallkë të tij, është Komisioni i Etikës dhe Statutit. KES, në mbështetje të Statutit, dhe të kësaj Rregulloreje, harton rregulla më specifikë për hapat dhe afatet e ankimimit. Çdo konflikt potencial do të zgjidhet duke u bazuar në këtë akt, rregulloret e tjera të Lëvizjes BASHKË dhe legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë.