Vrasja e Ardit Gjoklajt

Më 7 gusht 2016 në landfillin e Sharrës u vra në punë djaloshi 17-vjeçar Ardit Gjoklaj. Megjithëse kushtet e punës në koncesionin e dhënë nga Erion Veliaj ishin të tmerrshme, prokuroria bëri një vesh shurdh e një sy qorr duke hetuar vetëm fadromistin. Sot e kësaj dite nuk ka hetim mbi përgjegjësinë e Erion Veliajt në dhënien me koncesion të landfillit të Sharrës një eksponenti të Partisë Socialiste.

Një vrasje e fshehur nga Erion Veliaj

17-vjeçari u shtyp nga kamioni në pronësi të mikut të Erion Veliajt që kishte fituar koncensionin për ndërtimin e landfillit në Sharrë, e më pas u mbulua qëllimisht me plehrat për të fshehur krimin makabër.

Asokohe Sali Berisha dhe Lulzim Basha shulloheshin në plazh. Ilir Meta ndante privilegjet e pushtetit me Edi Ramën, madje kishte mbështetur kandidaturën e Erion Veliajt si kryetar bashkie më 2015.

I vetmi subjekt politiko-shoqëror që ngriti zërin ishte Organizata Politike. Më datë 30 gusht thirrëm protestë përpara bashkisë, duke shpalosur të vërtetën e pafshehshme: ARDITIN E VRAU PRONARI DHE KRYETARI (i bashkisë). Në mbrëmje pas protestës, aktivistët tanë shkruan në murin e Bashkisë së Tiranës: ‘KUSH E VRAU ARDITIN?’, mesazh ky që u fshi në orët e para të mëngjesit. Natën pasardhëse aktivistët tanë rishkruan të njëjtin mesazh mbi murin e bashkisë, duke bërë që natën pasardhëse bashkia të ruhej nga forca të shumta të policisë bashkiake.

Sot e kësaj dite, autorët e vrasjes së 17-vjeçarit ngelen të pandëshkuar, ashtu si shkaktarët e vrasjeve të 21 Janarit e të tragjedisë së Gërdecit.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/kauzat/sociale/vrasja-e-ardit-gjoklajt/