Protesta te Parku i Autobusëve

Më 29 qershor të vitit 2017, vetëm katër ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme, klientët e Bashkisë së Tiranës dhe Erion Veliajt rrethuan një prej lulishteve të fundit të mëdha të ngelura në qytet, atë pranë ish-Parkut të Autobusëve. Edhe pse ruajtja e lulishtes dhe investimet në të kishte qenë një nga premtimet më të mëdha zgjedhore, babëzia betonizuese nuk priti as një javë të vazhdonte misionin e saj shkatërrues. Qytetarët e zonës u organizuan dhe reaguan kundër kësaj padrejtësie – duke larguar gardhin, nënshkruar kërkesa e peticione, por edhe me protesta të përditshme.

Betonizimi i një lulishteje

Skenari i betonizimit të kësaj lulishteje, i përgatitur në detaje në zyrat okulte të Bashkisë së Tiranës, ishte i njëjtë si në shumë raste: gjetja e një ish-pronari për hapësirën në fjalë, i cili “vendos vetë se si do ta zhvillojë pronën e tij”. Banorët e zonës dhe qytetarë të shumtë e kundërshtuan këtë farsë, duke kërkuar që bashkia dhe qeveria të dëmshpërblenin ish-pronarin dhe lulishtja të mos shkatërrohej. Ndërkohë që plani i Erion Veliajt, kampionit të qindra lejeve të ndërtimit dhe shkatërrimit të të paktave hapësira publike të mbetura në Tiranë, ishte tjetër. Koha e tregoi që pre e betonizimit nuk ra vetëm lulishtja prej 12 mijë metrash katrorë, e ashtuquajtur pronë private, por edhe rreth 8 mijë metra katrorë të një ish-uzine, pronë shtetërore, e ndodhur aty pranë.

Alibia e kryebashkiakut se leja e ndërtimit ishte dhënë nga paraardhësi i tij nuk pati jetëgjatësi më shumë se disa ditë: leja e ndërtimit për katër kullat në këtë lulishte mbante mbishkrimin e Erion Veliajt, të njëjtin që mbajnë qindra leje abuzive anembanë Tiranës. Megjithatë rezistenca e banorëve, organizimet dhe reagimet e tyre të përditshme ranë në veshin e shurdhër të mediave tradicionale, të imponuara nga pronarët e tyre, kryesisht ndërtues dhe oligarkë, njëkohësisht klientë të kryetarit të Bashkisë. Përveç rrjeteve sociale dhe portaleve që nuk janë zgjatime të qeverisë, rezistenca e banorëve të një lagjeje jo më larg se një kilometër e gjysmë nga qendra e Tiranës nuk u pasqyrua askund.

Aktivistët e Organizatës Politike iu bashkuan thirrjes së banorëve të zonës në protestën e tyre të drejtë për mbrojtjen e hapësirës së përbashkët. Në të gjitha protestat, por sidomos në atë të datës 1 korrik 2017, qytetarët u përballën me kërcënimet e horrave të kompanisë së ndërtimit, provokimet e policëve civilë, por edhe me dhunën dhe arrestimet. Pas përfundimit të kësaj proteste, ndërsa qytetarët po largoheshin, forca të shumta policie ndaluan në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme edhe tre aktivistë të Organizatës Politike: Enriko Peçulaj, Bislim Lakna dhe Arlind Qori, të cilët i shoqëruan dhe i mbajtën padrejtësisht për dhjetë orë në Komisariatin nr. 2.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga kjo protestë, procesi i padrejtë dhe përndjekja e aktivistëve vazhdon. Më 19 qershor 2023 u mbajt seanca gjyqësore e radhës e kësaj farse, ku prokuroria e kapur për veshi nga qeveria dhe interesat okulte ka ngritur akuzën e “organizimit dhe pjesëmarrjes në manifestime të paligjshme”. Sipas Kodit Penal, e para ndëshkohet me gjobë deri në 1 vit burg, kurse e dyta me gjobë deri në tre muaj burg.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/kauzat/sociale/protesta-te-parku-i-autobuseve/