Protesta kundër tjetërsimit të Parkut të Liqenit Artificial

Në muajt shkurt-mars 2016, aktivistët e grupimit Qytetarët për Parkun dhe aktivistët e Organizatës Politike u angazhuan në kundërshtimin e projektit të kryebashkiakut Erion Veliaj për tjetërsimin e Parkut të Liqenit, të vetmes hapësirë të gjelbër të qytetit.

Betonizimi i mushkërisë së fundit të qytetit

Protestuesit ishin qytetarë të cilët i shqetësonte fakti se projekti për ndërhyrjen në park qëndronte i gjithi në terr duke mos u mbajtur kurrë asnjë prezantim i projektit me publikun dhe asnjë konsultë me specialistë. Kjo ndërhyrje bëhej në një zonë të mbrojtur me ligj si Park Kombëtar, ku konsiderohet shkelje ligji ndërhyrja dhe tjetërsimi i saj. Për më tepër, nuk ekzistonte leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit për një ndërhyrje në një ndër zonat e vetme me gjelbërim të qytetit.

Aktivistët kërkuan dialog me Bashkinë ku të mund të sqaroheshin të gjitha pikat e mësipërme, por kryebashkiaku Erion Veliaj – që deri në atë moment kishte qenë thjesht një vegël në dorën Edi Ramës duke e kthyer qytetin në një xhungël të vërtetë betoni – në vend të dialogut lëshoi policinë bashkiake për të shpërndarë protestuesit. Kërcënimet erdhën edhe nga ana e “të fortëve” të ndërtuesve që kishin marrë lejen.

Pas përplasjes me policinë dhe arrestimit të disa aktivistëve, Erion Veliaj u tërhoq nga projekti fillestar i ndërtimit të një “Grand Café-je” në park, duke u kufizuar vetëm në ndërtimin e disa “parqeve lojrash” të shtruara me bar artificial. Kjo ishte e para protestë e mirëfilltë qëkur Erion Veliaj u bë kryetar bashkie. Koha tregoi se shumë protesta të tjera do ta pasonin atë.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/kauzat/sociale/protesta-kunder-tjetersimit-te-parkut-te-liqenit-artificial/