Fushata e Kartës Sociale

Më 20 tetor 2021, aktivistët e Organizatës Politike ndërmorën fushatën mbarëkombëtare për prezantimin e Kartës Sociale. Për 6 muaj aktivistët shkuan në Kukës, Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Ballsh, Bulqizë, Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë, për prezantimin e 12 pikave që kanë përbërë prej vitesh vizionin tonë për një shtet social dhe një shoqëri më të drejtë. Në çdo qytet u takuam me qytatarë të shumtë dhe diskutuam për mundësitë e angazhimit për arritjen e këtyre synimeve. Fushata u përmbyll me manifestimin e muajit maj 2022.

1. Minimumi Jetik 20.000 lekë në muaj

Parlamenti dhe qeveria shqiptare nuk e njohin minimumin jetik. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë mekanizëm ligjor që do t’u mundësonte më të varfërve minimumin e të ardhurave për të siguruar të mirat bazike. Njohja me ligj e minimumit jetik nuk do të ndihmonte vetëm më të varfrit, por do të kishte efekt domino edhe te paga minimale dhe të gjitha pagat e tjera, duke shtuar mirëqenien dhe zgjeruar të drejtat.

2. Paga minimale 43.000 lekë në muaj

Sot Shqipëria është në vend të parafundit në Ballkan për nivelin zyrtar të pagës minimale: 36.000 lekë (nga ku duhen zbritur kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore.) Sot më shumë se kurrë ekonomia shqiptare po vuan nga emigrimi masiv i forcës punëtore. Shkaku kryesor gjendet në nivelin tepër të ulët të pagave. Punëtorët mundohen shumë e paguhen keq. Organizata Politike propozon një pagë minimale prej 43.000 lekësh (të reja), e cila do të na afronte me nivelin e pagës minimale të vendeve të rajonit si Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut

3. Indeksimi i pagave dhe pensioneve

Pas krizës energjitike vendi ynë u zhyt në varfëri: inflacioni u rrit me 8.3%; çmimi i bukës dhe drithrave me 17.1%; çmimi i qumështit, djathit dhe vezës me 24.3%; çmimi i mishit me 12.4%; çmimi i sheqerit, reçelit dhe mjaltit me 14.7%; çmimi i zarzavateve me 11.8%. Sot në Shqipëri rreth 40% e njerëzve jetojnë në kufirin e varfërisë dhe rritja e pandalshme e çmimeve pritet t’i kredhë mirëfilli në varfëri. Në kushtet e krizës ekonomike është e domosdoshme rritja (indeksimi) e pagave dhe pensioneve duke përdorur si kriter matës rritjen e çmimeve të artikujve të shportës.

4. Shëndetësi publike falas

Kur pandemia erdhi në Shqipëri, ishte sistemi shëndetësor publik ai që u përball me emergjencën. Shifrat alarmante tregojnë se në Shqipëri numri i vdekjeve krahasuar me vitet 2016-19 u rrit me 27%, sa dyfishi i vdekjeve në Evropë. Pagat e mjekëve janë më të ulëtat në rajon: 408-527 euro në muaj, çka ka sjellë një eksod të paprecedent të mjekëve drejt vendeve të Evropës. Financimet nga shteti janë vetëm 2.9% të PBB, më i ulëti në rajon dhe Evropë. Për më tepër, këto para shpërndahen kryesisht si favore ndaj klientëve të qeverisë përmes skemës PPP: në dhjetëvjeçarin e ardhshëm qeveria shqiptare ka autorizuar pagesën prej 38 miliardë lekësh për vetëm katër koncesione. Karta Sociale propozon shëndetësi publike falas, që garanton shëndetëtin e të gjithë popullsisë dhe paratë e taksapaguesve nuk shkojnë në xhepat e miqve të qeverisë.

5. Arsim publik falas

Investimet e mangëta në infrastrukturën shkollore, shpërdorimi i buxhetit, dhënia përparësi e fitimit përpara dijes, si dhe varfëria e përgjithshme e shoqërisë po bëjnë që shkolla të trajtohet gjithnjë e më pak seriozisht. Varfëria, diskriminimi social dhe shpërfillja shtetërore janë arsyet pse në vendin tonë ka rreth 44.000 qytetarë që nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë. Analfabetizmi funksional arrin shifrat 30.5% mes 15-vjeçarëve. Për shkak të kostove të larta të studimit dhe jetesës, çdo vit regjistrohen rreth 7000-8000 studentë më pak në universitete. Tarifat e studimeve janë nga më të lartat në Evropë. Këto kushte po shtyjnë gjithnjë e më shumë studentë që të punojnë gjatë studimeve. Arsimi universitar në Shqipëri është më pak i financuar se në çdo vend tjetër të rajonit (vetëm 0.5% e PBB). Prandaj ne, aktivistët e Organizatës Politike, kërkojmë një reformim të thellë të arsimit shqiptar, të nisur nga studentët, pedagogët, prindërit, nxënësit dhe mbarë shoqëria. Në çdo nivel të studimit nevojitet jetësimi i parimit ARSIM PUBLIK FALAS dhe mbështetja me bursa jetese e çdo nxënësi e studenti të dalluar dhe në nevojë ekonomike.

6. Strehim social

Pavarësisht uljes së numrit të popullsisë dhe rritjes së varfërisë, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në 2020 arriti në 1.1 milionë m², ndërsa në 2019 ajo ishte 1.4 milion m². Tkurrja e hapësirave publike dhe hapësirave të gjelbra për t’u lënë vendin ndërtimeve shumëkatëshe  është një prej problemeve më të mëdha që ka vendi në tërësi dhe në veçanti Tirana. Nga njëra anë kemi rritjen e numrit të ndërtimeve dhe fitimeve, nga ana tjetër kemi me dhjetëra mijëra të pastrehë. Zgjidhja për mijëra familje që nuk kanë një banesë ku të jetojnë është një politikë vërtetë sociale për strehimin. Shteti duhet të themelojë ndërmarrje publike që duhet të merren posaçërisht me ndërtimin e banesave sociale për qytetarët në nevojë.

7. Transporti publik

Transporti publik i përballueshëm prej të gjitha shtresave shoqërore është një e drejtë bazike e pamohueshme. Ai është njëkohësisht domosdoshmëri dhe liri. Mirëpo transporti publik në vendin tonë nuk është as i lirë dhe as dinjitoz. Sidomos në qytetin e Tiranës pronarët e kompanive të linjave të urbanëve, të cilët kanë monopol në këtë sektor, gëzojnë dhe privilegjet që u japin bashkitë dhe qeveria. Transporti publik i përballueshëm nga të gjithë kërkon përgjysmimin e çmimeve për të papunët, pensionistët dhe punëtorët me pagë minimale. Transport publik cilësor do të thotë shërbimi dinjitoz brenda autobusëve dhe lëvizje e tyre me shpejtësinë e duhur.

8. Taksim vërtet progresiv

Pabarazia në vendin tonë ka arritur nivele absurde. Publikimi së fundmi i pagave të deklaruara ka nxjerrë në pah atë që dihej prej kohësh: një ushtri opinionistësh, figurash publike e këshilltarësh me rroga mujore disa dhjetëra mijëra euro, teksa për shumicën e njerëzve të punës rroga urie. 3% e më të pasurve në Shqipëri zotërojnë depozita bankare (4.1 miliardë euro) më të mëdha se 97% e të gjithë të tjerëve të marrë së bashku (3.2 miliardë euro). Ndërkohë Edi Rama – një kryeministër që për ironi historike e gjen veten në krye të një qeverie që vetëquhet “socialiste” – e ka ulur taksën mbi dividentin (fitimet e oligarkëve) në vetëm 7%. Vetëm një taksim me të vërtet progresiv mund të na sigurojë mirëfunksionimin e institucioneve publike dhe një shoqëri më të drejtë.

9. Nxitje e kontratave kolektive

Vendet e punës në Shqipëri janë kthyer në reparte ku ushtrohet një diktaturë staliniane më e dhunshme dhe shfrytëzuese sesa ajo e regjimit të vjetër. Kushte çnjerëzore që rrezikojnë shëndetin dhe jetët e punëtorëve, orare të stërzgjatura dhe rraskapitëse që nuk kompensohen, deri në fatalitetet e përmuajshme të minatorëve dhe punëtorëve të ndërtimit. Përpjekja e punëtorëve për demokratizimin e vendit të punës kalon përmes organizimit të tyre nëpër sindikata, si organizma të reja që kontrollohen nga vetë punëtorët. E nëse fuqia vjen nga organizimi, kontratat kolektive janë ‘leva e Arkimedit’ që forcojnë aftësinë negociuese të punëtorëve karshi pronarëve.

10. Politika të punësimit të plotë

Papunësia ka qenë një sëmundje kronike e Shqipërisë në 3 dekadat e fundit. Teksa papunësia zyrtare arrin shifrën 12.1%, punësimi kryesisht ka ardhur nga sektori spekulativ i ndërtimit dhe nga tregtarët e vegjël të vetëpunësuar. Për të rinjtë papunësia arrin deri në 23.3% (sa për krahasim, papunësia në Amerikë gjatë Depresionit të Madh të 1929 arriti në 25%). Mjekë, inxhinierë e juristë që detyrohen të punojnë nëpër call-centre duke shitur pisllëqe përmes telefonit, vetëm që të sigurojnë një pagë. Kur flasim për politika të punësimit të plotë, flasim për ndërhyrjen e shtetit në orientimin e tregut përmes politikave fiskale drejt sektorëve të përpunimit dhe të prodhimit që sigurojnë punë të kualifikuar, afatgjatë dhe të mirëpaguar.

11. Barazi gjinore

Në shoqërinë tonë gratë shfrytëzohen, shtypen dhe diskriminohen në punë, familje dhe jetën shoqërore. Për shkak të ndarjes së pabarabartë dhe të padrejtë të punëve, gratë janë më pak të aktivizuara në punën jashtë shtëpisë. Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e punësimit të grave në moshë pune është 61.2%, plot 16% më e ulët se e burrave. Për më tepër, 18.8% e grave gjenden jashtë sferës publike të punës për shkak të “përmbushjes së detyrave shtëpiake”, ndërkohë që numri i burrave në të njëjtën pozitë është vetëm 0.6%. Hendeku gjinor në paga në Shqipëri është në nivelin 6.6% për vitin 2020, çka do të thotë se mesatarisht burrat paguhen 6.6% më shumë se gratë. Në vitin 2020 3333 gra kanë raportuar se kanë qenë viktima të dhunës në familje. Ne, aktivistët e Organizatës Politike, luftojmë për një shoqëri të emancipuar, në të cilën gratë e burrat të jenë të barabartë në gjithçka; ku nuk mjafton të shfrytëzohemi e nëpërkëmbemi njëlloj, por të ndërtojmë së bashku një shoqëri barazisht të begatë e të lirë.

12. Mbrojtja e mjedisit

Mjedisi është shtëpia e përbashkët e shoqërisë njerëzore. Mbrojtja e mjedisit – me burimet natyrore dhe shërbimet e ekosistemit që ofron – është e barazvlefshme me mirëqenin dhe shëndetin e shoqërisë njerëzore. Tashmë është botërisht e gjithëpranuar se kriza mjedisore globale paraqet një rrezik të jashtëzakonshëm për njerëzimin dhe thirrja për reagim të shpejtë është tepër urgjente. Shqipëria manifeston një sërë problemesh mjedisore lokale, si shfrytëzimi i egër dhe abuziv i burimeve natyrore, ndotja e ajrit, ujit dhe tokës, erozioni dhe ulja e biodiversitetit.  Mungesa e menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbetjeve në pjesën më të madhe të territorit ose menaxhimi korruptiv i mbetjeve janë probleme që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi. Duhet të ndryshojë qasja e miratimit të projekteve të biznesit, ku vlerësimi i kostove mjedisore, si ekonomike edhe joekonomike, duhet të bëhet në mënyrë reale, shkencore dhe me pjesëmarrjen e gjerë të publikut.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/kauzat/sociale/fushata-e-kartes-sociale/