Aksione kundër pushtetarëve

Aktivizmi ynë në këto 12 vjet nuk ka konsistuar vetëm në ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe përpjekjen për organizim, por edhe në konfrontimin e drejtpërdrejtë me pushtetarët që e shtypin dhe e vjedhin këtë popull. Këtu është një listë me aksionet kundër pushtetarëve të Partisë Socialiste (që ka qenë në pushtet në 10 vjetët e fundit), aksione të cilat asnjëra nga partitë opozitare nuk ka patur interesin - e aq më pak guximin - që t'i kryejë.

Aksion ndaj Erion Veliajt për largimin e të rinjve

8 dhjetor 2022

Sot, 32 vjet pasi rinia studentore iu kundërvu diktaturës, të rinjtë shqiptarë mbeten pa perspektivë në vendin e tyre.

Dhjetëra mijëra të rinj, studentë e punëtorë, largohen çdo vit nga Shqipëria, shpesh herë edhe duke rrezikuar jetën mbi gomone.

Arsyeja? Hajdutëria dhe keqqeverisja 30-vjeçare e atyre që kanë tradhtuar çdo shpresë e aspiratë rinore.

Sot një grup aktivistësh të Organizatës Politike iu afrua Pallatit të Spektakleve të pushtetarëve për t'i ballafaquar keqbërësit në pushtet me bëmat e tyre. Aty pranë kaloi famëkeqi Erion Veliaj, më fallcoja i keqbërësve në pushtet, i cili po bëhej gati të recitonte për Tiranën imagjinare të propagandës qeveritare.

Tirana dhe Shqipëria e Edi Ramës dhe Erion Veliajt janë fshatra Potemkin që mund të gënjejnë vetëm ndonjë turist virtual. E vërteta është se ato janë bërë të pajetueshme pikërisht prej grykësisë së pushtetarëve.

Gjithsesi sa të ketë të rinj, Shqipëria ka shpresë. Ne sot bëmë një gjest simbolik rezistence. Nesër, bashkë me popullin, e me të rinjtë në krye, do t'u rezervojmë një vend në gomone të gjithë keqbërësve me pushtet të vendit tonë të munduar.

Përballja me Ministren e Arsimit Kushi për kushtet e arsimit

12 maj 2022

Aktivisti Bislim Lakna u përball me Ministren e Arsimit, Evis Kushi, duke i evudentuar të vërtetat e hidhura të jetës studentore. Studentët janë një prej kategorive shoqërore më të goditura nga kriza ekonomike, por qeveria nuk ka ndërmend të lëvizë gishtin për t’u ardhur në ndihmë. Lëvizja Për Universitetin ka nisur peticionin që çdo studenti, si pasojë e krizës së inflacionit, t'i jepet një ndihmë ekonomike nga shteti prej 10.000 lekësh.

Përballja me ministrin dhe deputetin e Dibrës për kushtet e minatorëve

1 prill 2022

Sot Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka shkuar në Universitetin "Ismail Qemali" të Vlorës për një takim të zakonshëm propagandistik. Mes studentëve pjesëmarrës ishte edhe një aktivist i Organizatës Politike, i cili i drejtoi ministrit Manja një pyetje të thjeshtë:

"Unë e kam një pyetje, më shumë për zonën ku ju jeni edhe drejtues politik, për Dibrën.

Duke qenë se Partia Socialiste ka premtuar se Bulqiza dhe zonat mineralmbajtëse përreth do t'u kthehen shqiptarëve si pasuri publike, në 9 vjet nuk ka bërë asgjë për atë zonë e cila është marrë peng nga oligarkë dhe mafiozë vendas. Në 9 vjet ka mbi 50 minatorë të vrarë dhe disa atentate me dyshimin për larje hesapesh midis pronarëve të galerive. A mund të themi që Bulqiza sot është kthyer si Lazarati dikur, ku shteti nuk ndërhyn dot?"

Kujtojmë, nga ana tjetër, se njerëz të afërt të Ulsi Manjës janë pronarë galerish në këtë zonë. Kështu që atij dhe pushtetarëve të kapur nuk u mbetet gjë tjetër veçse të broçkullisin të sikletosur për "kapitalizmin" si justifikim ndaj shfrytëzimit barbar të Bulqizës.

Prishja e propagandës së Erion Veliaj për kushtet e konvikteve dhe të drejtat e studentëve

8 dhjetor 2021

"STUDENTËT PAGUAJNË TARIFA MË TË LARTA SE RROGA E KRYETARIT!"

Kjo ishte thirrja që bënë aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin sot, në aksionin e zhvilluar gjatë takimit propagandistik të Erion Veliajt për Ditën e Rinisë.

E vërteta e rinisë nuk është cirku pa bukë që na ofrojnë në raste ''festash'', por tarifat e larta, cilësia e ulët e arsimimit, kostot e papërballueshme të jetesës dhe mungesa e shpresës.

Erion Veliaj nuk është përgjegjës vetëm për mashtrimet ndaj studentëve, por edhe fajtor për vrasjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj.

Prishja e takimit të Erion Veliaj në zyrë duke i kujtuar Ardit Gjoklajn

10 shtator 2020

Sot Erion Veliaj kishte thirrur një takim propagandistik me studentë për të folur për arritjet imagjinare të Bashkisë së Tiranës, sidomos për sa u përket shërbimeve ndaj studentëve. Mes studentëve të tjerë, në takim hynë edhe aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin, të cilët me zë të plotë e të qartë ekspozuan karakterin mashtrues të kartës së studentit dhe mosrealizimin e asnjë premtimi që u është bërë studentëve - nga konviktet tek aboneja dhe karta studentore.

Aktivistët i përmendën edhe betonizimin e Tiranës dhe përgjegjësinë që Veliaj ka për vrasjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj.

Si gjithmonë në të tilla raste, pushtetarit i mbeti fjala në grykë.

Prishja e fasadës së takimit të Ramës me studentët e mjekësisë

20 shkurt 2020

Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin i përplasin në fytyrë Edi Ramës realitetin e zymtë në të cilin ndodhet shëndetësia dhe profesioni i mjekut. Sot pasdite, Edi Rama kishte zgjedhur ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të Mjekësisë si platformën e propagandës së tij qeveritare. Aktivistët Enriko Peçulaj dhe Emiljando Kita i kujtuan plakut që ka mbërthyer të gjitha pushtetet se diploma e mjekut është kthyer në biletë avioni për në Gjermani dhe se përbën një luks vetëm për ata studentë që mund ta përballojnë tarifën e kripur.

Mjekët shqiptarë kanë pagat më të ulëta në rajon me vetëm 408-527 euro në muaj. Në pesë vitet e fundit janë larguar 857 mjekë nga Shqipëria, ndërkohë që 78% e mjekëve të anketuar shprehen se dëshirojnë të largohen drejt Gjermanisë. Buxheti i shtetit për mjekësinë është më i ulëti në rajon dhe Evropë me vetëm 2.9% të PBB. Tarifa e Masterit në disa degë të UM është më e larta në vend, me mbi 200.000 lekë (të reja) në dy vjet.

Për më tepër, Edi Rama ka ngritur skemën më të madhe të vjedhjes së shqiptarëve përmes PPP-ve pikërisht në sektorin e shëndetësisë, ku në dhjetëvjeçarin e ardhshëm qeveria shqiptare ka autorizuar pagesën prej 38 miliardë lekësh për vetëm katër koncesione: Check-up-i (8.8 miliardë lekë), sterilizimi i sallave (12.3 miliardë lekë), shërbimi i hemodializës (1.5 miliardë lekë) dhe shërbimet laboratorike (13 miliardë lekë).

Ndërkohë, batutat e ‘plakut Mere’ dëshmojnë gjendjen e tij të mjeruar. Brezi i ri i mjekëve dhe infiermerëve nuk e meriton Edi Ramën si kryeministër. Ata duhet t’i bëjnë rezistencë shkretimit të mëtejshëm të profesionit të tyre.

Aktivistët Enriko Peçulaj dhe Emiljando Kita janë nxjerrë jashtë nga truprojat e Edi Ramës dhe mbahen të mbyllur në qelitë e komisaritatit nr. 1.

U bëjmë thirrje të gjithë aktivistëve të bashkohen për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Protestë në Maratonën e Tiranës për mungesën e ujit

13 tetor 2019

RUNNING FOR FREE WATER

(Tirana without water)

Tre muaj më parë kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi përmirësim të ndjeshëm të situatës së ujit në Tiranë, si rritja e cilësisë dhe furnizimi deri në 24 orë në ditë të Tiranës. Më 1 janar të 2018-ës ai rriti çmimin e ujit me rreth 45%.

Por një pjesë e madhe e Tiranës jo vetëm që nuk është furnizuar normalisht gjatë gjithë gushtit e shtatorit, por qytetarët e saj po helmohen masivisht prej baltës në çesma.

Përballë kësaj situate të pazakontë për qytetin dhe qytetarët, Erion Veliaj ka zgjedhur të heshtë, duke mos marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë. Ka propaganduar dhe mediatizuar për muaj të tërë maratonën, e për muaj të tërë ka lënë qytetarët pa ujë.

Për kryebashkiakun e betonit e të shkatërrimit të hapësirave publike, është më i rëndësishëm kurimi i imazhit si një dashamirës i sportit sesa furnizimi i qytetarëve me ujë të pijshëm.

Aksioni ynë kundër pazareve, padrejtësive dhe fasadave të Erion Veliajt do të vazhdojë.

Duam ujë, jo spektakël!

Prishja e takimit të Erion Veliajt duke kërkuar drejtësi për Ardit Gjoklajn

30 janar 2019

Sot paradite Erion Veliaj nisi një takim fasadë në godinat 26-27 të Qytetit Studenti. Studentet dhe aktivistet e Lëvizjes Për Universitetin, Arbjona Çibuku dhe Evelina Dëma, u ngritën në këmbë dhe jo vetëm denoncuan gënjeshtrat e Veliajt për rregullimet e godinave, por edhe i kujtuan se është përgjegjësi kryesor për vrasjen e punëtorit 17-vjeçar Ardit Gjoklaj. Arditi kishte ëndërr të vazhdonte studimet universitare, por grykësia e Veliajt dhe pronarit të firmës së plehrave i morën jetën.

Të bezdisur nga e vërteta, shoqëruesit e Veliajt ndërhynë me forcë, tentuan t’u merrnin celularët dhe në fund i nxorën jashtë studentet nga godina e mjerueshme ku ato banojnë.

Jashtë keqbërësit nga mjediset universitare!

Drejtësi për Ardit Gjoklajn!

Studentët e bashkuar kanë për të fituar!

Prishja e takimit në prezantimin propagandues të Paktit për Universitetit

19 janar 2019

Klodjana Agaj sfidon kryeministrin. Ajo u nxorr jashtë sot nga salla prej kryeministrit që nuk pranon më as t’i bëhen pyetje, as t’i kërkohet llogari se ku shkojnë taksat që paguajnë shqiptarët.

Akti i Ramës është gjesti i fundit i një kryeministril që nuk ka ditur asnjëherë të qeverisë. Ai nuk e ka pranuar kurrë mendimin ndryshe. Fjala e lirë për të konsiderohet armike dhe kërkon që të jetë i rrethuar vetëm nga memecë, eunukë dhe lajkatarë. Ai nuk mund të pranojë në sallë studentë apo zyrtarë që nuk e duartrokasin dhe nuk miratojnë çdo gënjeshtër që ai nxjerr nga goja.

Prishja e takimit të Edi Ramës: “ Boll i zhvatët studentët”

22 tetor 2018

Në takimin e sotëm të kryeministrit Rama me studentët, profesorët dhe dekanët, ku u përsëritën si zakonisht gënjeshtrat e ulëta në lidhje me arsimin e lartë, një grup prej aktivistëve tanë shpalosën banderolën: "Boll i zhvatët studentët".

Për fat të keq, banderola u shqye nga rinia partiake ndërsa aktivistët u nxorën me forcë jashtë sallës së konferencës, në praninë e heshtur të drejtuesve të universitetit publik. Një student u shoqërua në komisariatin nr. 3 për t'ia fshirë filmimet jashtë çdo norme ligjore.

Ne u bëjmë thirrje studentëve dhe drejtuesve të universitetit publik të mos i nënshtrohen shantazhit të qeverisë por të gjejnë guximin për të reaguar kundër zhvatjes dhe për t’u bashkuar në rrugë këtë vjeshtë, kundër tarifave dhe për demokraci në universitet.

Prishja e takimit të të rinjve partiak të FRESSH

21 dhjetor 2016

Në shkelje të ligjit të arsimit të lartë dhe rregullores së Universitetit të Tiranës, që ndalojnë veprimtaritë politiko-partiake në mjediset universitare, sonte në orën 17:00 ishte parashikuar të mbahej një takim me kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i organizuar nga FRESSH. Një grup aktivistësh të Lëvizjes Për Universitetin u futën në sallën e takimit për t'i përballur organizatorët me shkeljen e ligjit dhe rregullores, si edhe për t'i kujtuar z. Veliaj përgjegjësinë e tij (jo vetëm) politike për vrasjen në punë të Ardit Gjoklajt, të riut që punonte skllavërisht në landfillin e Sharrës që të kishte mundësi të vazhdonte shkollën. Përderisa dyert e jetës dhe universitetit janë të mbyllura për Arditët, këto të fundit nuk kanë pse të jenë të hapura për pushtetarët keqbërës.

Për shkak të këmbënguljes sonë, takimi u anulua. Rezistenca sjell efekte. Sonte Universiteti i Tiranës ka një turp më pak në fytyrën e vet.

Demaskimi i propagandës së ministrave Klosi, Kumbaro dhe Bushati

1 dhjetor 2016

Në njërin nga takimet e shumtë propagandistikë të qeverisë, ishin të ftuar për të folur për rininë ministrat Blendi Klosi, Mirela Kumbaro dhe Ditmir Bushati. Pyetjet ishin të parapërgatitura për t’u lexuar nga “të rinjtë e interesuar” të forumit partiak që në shumicë mbushnin sallën. Pyetje sesi e kalonin kohën e lirë, çfarë këshillash mund të jepnin për një karrierë të suksesshme, etj.

Ministrat u gjendën të papërgatitur dhe u vunë në siklet nga pyetja e aktivistes së Organizatës Politike, Albina Ruko, e cila i pyeti se çfarë planesh kishin për të rinj si Ardit Gjoklaj, të cilin pushteti i tyre e vrau mizorisht mbi një mal mbeturinash në Sharrë. Ata heshtën dhe e devijuan bisedën drejt pyetjeve limonatë të forumistëve të tyre.

Por sado që t’i shmangen të vërtetës, Arditi kërkon drejtësi!

Njollosja me salcë e Ministres së Arsimit për kauzën e maturantëve

17 nëntor 2016

Sot, në ditën ndërkombëtare të studentëve, aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin kryen një aksion simbolik kundër ministres së Arsimit Lindita Nikolla. E spërkatën me salcë duke i bërë për një moment atë çka ajo dhe qeveria shqiptare i kanë bërë jetës universitare publike prej kohësh: njollosjen. Sot mijëra maturantë meritorë janë ende pa të drejtë studimi dhe po aq kuota të paplotësuara ka në universitetet publike. Skema e regjistrimit të studentëve ka favorizuar haptas universitetet private kliente të qeverisë. Prandaj ne kemi kërkuar dhe kërkojmë dorëheqjen e ministres Nikolla.

Aktivistët dëbojnë Erion Veliaj nga ambientet e Korpusit të UPT

16 dhjetor 2015

Përpara protestës së djeshme, studentëve që po mblidheshin u është afruar kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Për marketing politik Veliaj kë bërë të interesuarin për kauzën e protestës studentore, a thua se nuk e di që bashkia e Tiranës nuk ka asnjë kompetencë mbi arsimin e lartë. Gjithashtu, Erion Veliaj ka qenë ministër në kohën kur projektligji për arsimin e lartë është miratuar në qeveri dhe, kësisoj, është njëlloj përgjegjës për shkatërrimin e arsimit të lartë publik si të gjithë anëtarët e qeverisë.

Për më tepër, Veliaj është shoqëruar nga rektori famëkeq i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani, paudhësitë e të cilit në administrimin e universitetit përfliten ngado. Po ashtu rektori Kaçani është shfaqur prej muajsh si një nga mbështetësit kryesorë të reformës qeveritare si në qëndrime publike, ashtu edhe në pengimin e studentëve të Universitetit Politeknik të Tiranës për t’iu bashkuar protestave tona.

Për këto arsye, pushtetari dhe rektori keqbërës janë dëbuar me kore dhe vërshëllima studentësh. Shfaqja e tyre e papritur na pamundësoi t’i prisnim siç e meritonin: me vezë.

Goditja e kryeministrit Rama me vezë në ambientet e FSHS

2 nëntor 2015

Një grup prej tetë studentësh dhe aktivistësh, shumica vajza, goditën me vezë kryeministrin Rama ndërsa po dilte nga mjediset e Fakultetit të Shkencave Sociale, pas një takimi-qokë me punonjës administrate e përfaqësues biznesesh. Megjithëse vezët, fatkeqësisht, nuk goditën në shenjë, luzma e badigardëve, policëve, fotografëve e gangsterëve që shoqëronin kryeministrin iu lëshua studentëve në oborrin e fakultetit duke i goditur me grushte e shpulla dhe i tërhequr zvarrë. Pas tyre, stafetën e morën prokurorët që formuluan akuza aq të rënda për aktivistët saqë, në rast dënimi, do të kërkonin disa vite burg.

Po çfarë kërkuan studentët?

Që qeveria të mos financojë universitetet private me paratë e popullit, të mos rrisë tarifat e studimit në universitetet publike, të mos i detyrojë universitetet publike që të kthehen në ndërmarrje komerciale ku mbizotëron gënjeshtra dhe reklama, të mos përjashtojë studentët nga vendimmarja, të mos cenojë autonominë universitare dhe lirinë akademike, e të tjera herezi si këto.

Aksion kundër kryeministrit Rama te Panairi i Punës

1 maj 2015

Sot, disa aktivistë të Organizatës Politike, pas përgatitjes së një pankarte të madhe "Panairi i kotësisë: Për Punëtorët - Për Shoqërinë" arritën të hynin me shumë vështirësi në mjediset e panairit të punësimit, pasi si hyrja dhe si mjedisi i brendshëm ishin blinduar nga trupëroja dhe burokratë të shumtë.

Me ardhjen e kryeministrit Rama, dyert e panairit u kyçën për rreth një orë, duke lënë me dhjetra qytetarë të prisnin. Në çastin kur kryeministri Rama nisi të fliste për të pranishmit e ftuar, aktivistët shpalosën banderolën, por u izoluan dhe u përzunë me forcë nga policia qeveritare.

Aktivistët lexuan qëndrimin para medieve të pranishme:

"Sot ka dy Shqipëri. Shqipëria e oligarkëve, që jeton prej punës së të tjerëve, dhe Shqipëria e popullit të thjeshtë që jeton e do të jetojë vetëm prej punës vetjake. Ne zgjedhim Shqipërinë e të panumërtve, të popullit dhe punëtorëve, si e vetmja mundësi për të ndërtuar një atdhe të përbashkët, pa shfrytëzim, dhunë, poshtërim e diskriminim, të hapur e solidar me popujt e të gjithë botës".

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/kauzat/sociale/aksione-kunder-pushtetareve/