KAUZA E PUNËTORËVE NË CALL-CENTRE

Sektori i shërbimeve telefonike - apo siç njihet ndryshe call-centre - është ndër sektorët që punëson më shumë të rinj në vendin tonë. Janë të shumtë të rinjtë e sapodiplomuar në inxhinieri, shkenca sociale etj. të cilët nuk kanë mundësi tjetër punësimi përveçse në call-centre.

Mungesa e traditës në organizimet sindikale ka bërë që të rinjtë të mos jenë të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre në vendin e punës. Rrjedhimisht, atyre u mohohen sigurimet, punojnë me orë të zgjatura pa kompensim, detyrohen të punojnë në ditë pushimi etj.

Këto e plot problematika të tjera na shtynë që në këtë sektor të themelojmë një sindikatë të re.

Themelimi i sindikatës së re

Më 17 shkurt 2019, pas një pune një-vjeçare sensibilizuese në terren të aktivistëve të Organizatës Politike, punëtorët e sektorit call-centre themeluan sindikatën e parë të pavarur në Shqipëri, sindikatën “Solidariteti”. U deshën 6 muaj që nga themelimi që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ta njihte statusin juridik të sindikatës dhe vetëm pas protestës që bëmë tek dyert e gjykatës dhe presionit publik ndaj gjykatëses e cila po e zvarriste çështjen pa arsye.

Protesta e Albacall

Angazhimi i parë i sindikatës erdhi më 4 korrik 2019, ku bashkë me një grup organizator nga kompania Albacall u organizua një peticion me mbi 500 firma të punëtorëve të asaj kompanie kundër heqjes së bonusit në mënyrë abuzive nga kompania. Entuziazmi i punëtorëve të Albacall rriti pritshmëritë e secilit dhe lista e kërkesave u bë shumë e gjatë. U arrit të ndalohet heqja e bonusit, ndërsa kërkesat tjera u lanë pas dore nga kompania, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore që krijonte vonesa e njohjes së Sindikatës Solidariteti nga gjykata.

Angazhimi te Teleperformance

Në fillim të vitit 2020, bashkë me dhjetëra punëtorë të kompanisë Teleperformance nga Durrësi, u organizua një peticon për rritjen e pagës bazë nga 180 lekë/orë në 250 lekë/orë. Peticioni i firmosur nga mbi 200 punëtorë të kësaj kompanie dhe presioni i angazhimit punëtorëve bëri që kompania të rrisë rrogën bazë për të gjithë punëtorët e Durrësit në 220 lekë/orë. Betejën për realizimin e plotë të kërkesës e pengoi mbyllja e të gjitha aktiviteteve si pasojë e pandemisë Covid-19.

Me fillimin e pandemisë, kompani të ndryshme filluan presionet dhe largimet nga puna. Sindikata Solidariteti është në procese gjyqësore me kompani të ndryshme të sektorit call center dhe përfaqëson ligjërisht para gjykatës vendore rreth 15 punëtorë të larguar padrejtësisht nga puna, ndërsa 3 prej tyre janë në një proces gjyqësor ndërkombëtar në gjykatën e Francës.

Pandemia nuk solli vetëm largimet nga puna, por edhe punën nga shtëpia. Bashkë me të, kompania më e madhe e sektorit call center, Teleperformance, nisi një politikë të padrejtë të monitorimit të punëtorëve me kamera në shtëpitë e tyre. Mobilizimi i Sindikatës Solidariteti, beteja publike e anëtarëve të sindikatës dhe kundërshtimi i përbashkët i punëtorëve vunë nën preson kompaninë. Pak javë pas nisjes së kësaj beteje, më 13 janar 2021, një vendim i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e shpalli të paligjshëm monitorimin me kamera në shtëpitë e operatorëve. Monitorimi me kamera u ndalua. Kjo ishtë edhe një nga betejat më të rëndësishme të sindikatës në vitet e aktivitetit të saj.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/kauzat/punetore/kauza-e-punetoreve-ne-call-centre/