KAUZA E NAFTËTARËVE

Historia e uzinës së përpunimit të naftës ARMO është shëmbëlltyra e çdo privatizimi asetesh publike në këto 30 vjet kapitalizmi barbar në Shqipëri. Është historia e privatizimit çdo ndërmarrjeje publike prodhimi apo shërbimesh.

Privatizimi nisi me pretekstin se shteti nuk di të menaxhojë dhe nuk ka para për të investuar; del një kompani fantazmë që paraqitet si e huaj, por që pronari në fakt është një oligark shqiptar që ka rënë në ujdi me politikanët që e shtyjnë përpara privatizimin; privati sjell shkurtimin e numrit të punëtorëve, rritjen e normës së punës, shtimin e borxheve dhe eventualisht rrënimin e prodhimit/shërbimit; pasi pasurohet pa kryer asnjë investim, privati zhduket pa paguar pagat e punëtorëve dhe detyrimet ndaj shtetit.

Para privatizimit

Përpara privatizimit, uzina punësonte rreth 2200 punëtorë, duke i dhënë jetë mbarë komunitetit të Ballshit dhe të Fierit. Xhiroja vjetore e kompanisë arrinte rreth 90-120 milionë dollarë, ndërsa fitimet vjetore arrinin 10-15 milionë dollarë. Detyrimet që paguheshin përmes taksave dhe akcizës arrinin 25-30 milionë dollarë për arkën e shtetit dhe kompania nuk kishte asnjë borxh. Sipas ekspertëve, nafta që del nga rafineria është e një cilësie të lartë: e trashë në përmbajtje dhe që digjet ngadalë, ideale për mjetet e rënda të transportit dhe me treg të sigurt rajonal. Atëherë, pse duhej privatizuar?

Edhe pse uzina e Ballshit ishte fitimprurëse dhe në gjendje pune, ajo nisi punën në vitin 1978, çka i bënte të domosdoshme investimet në teknologji. Megjithatë, ndër vite në rafineri nuk pati asnjë investim. Sali Berisha është përgjegjësi kryesor i mashtrimit të privatizimit. Edhe pse firma fituese u shfaq sikur ishte nga Amerika me pronar të panjohur, nuk vonoi shumë që në skenë të dalë oligarku Rezart Taçi, i cili privatizoi 85% të aksioneve të ARMO-s.

Privatizimi i parë nën qeverinë Berisha

Taçi e kreu privatizimin për 128 milionë euro me një kredi që mori nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, drejtuesit e të cilës sot ndodhen në burg për kredi të paligjshme. Edhe pse premtoi miliona euro investime, teknologjia e rafinerisë ngeli ajo e vitit 1978. Ndërkohë, numri i punëtorëve u reduktua në vetëm 800 dhe kushtet e punës u përkeqësuan ndjeshëm. Që nga viti 2009 e deri në 2013, Rezart Taçi ishte përgjegjës për groposjen financiare të uzinës – asetet e rafinerisë u vunë si kolateral për një borxh që u akumulua si paga të papaguara, detyrime tatimore, kredi ndaj bankave dhe detyrimeve ndaj palëve të treta që tejkalonin shifrën 200 milionë dollarë.

Në katër vjet Rezart Taçi – me ortak Sali Berishën – premtoi 240 milionë dollarë investime në rafineri. Ndërkohë që nuk kreu asnjë investim, ai i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm që përllogaritet në rreth 200 milionë dollarë.

Pasi akumuloi borxhe pa fund, në vend se të shpallte falimentin në vitin 2013, Rezart Taçi i shiti aksionet për 50 milionë euro te një kompani azere, Heaney Assets Corporation, e cila nuk vonoi të fuste në lojë dy nënkontraktorë fantazmë: TPD dhe Deveron Oil. Të dyja këto kompani shfrytëzuan naftën e rafinuar dhe u zhdukën pa paguar asnjë detyrim tatimor në shtet. Ndërkohë, ARMO në pronësi të azerëve nuk u pagoi pagat e prapambetura punëtorëve, të cilët iu drejtuan gjykatës ku fituan të drejtën për 13 paga për 505 punëtorë. Ky vendim edhe sot e kësaj dite nuk është vënë në zbatim nga zyrat shtetërore të përmbarimit.

Në katër vjet Rezart Taçi – me ortak Sali Berishën – premtoi 240 milionë dollarë investime në rafineri. Ndërkohë që nuk kreu asnjë investim, ai i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm që përllogaritet në rreth 200 milionë dollarë.

Pasi akumuloi borxhe pa fund, në vend se të shpallte falimentin në vitin 2013, Rezart Taçi i shiti aksionet për 50 milionë euro te një kompani azere, Heaney Assets Corporation, e cila nuk vonoi të fuste në lojë dy nënkontraktorë fantazmë: TPD dhe Deveron Oil. Të dyja këto kompani shfrytëzuan naftën e rafinuar dhe u zhdukën pa paguar asnjë detyrim tatimor në shtet. Ndërkohë, ARMO në pronësi të azerëve nuk u pagoi pagat e prapambetura punëtorëve, të cilët iu drejtuan gjykatës ku fituan të drejtën për 13 paga për 505 punëtorë. Ky vendim edhe sot e kësaj dite nuk është vënë në zbatim nga zyrat shtetërore të përmbarimit.

Kalvari me ardhjen e Edi Ramës

Në vitin 2016, Edi Rama u zotua se kish gjetur zgjidhjen e kalvarit të naftëtarëve duke prezantuar investitorin amerikan të radhës, Harry Sergeant. Edhe pas këtij, ashtu si pas amerikanit të Sali Berishës, fshihej një oligark pranë pushtetit – këtë radhë Besnik Sula (i njohur si Beso i Tajvanit) dhe firma e tij IRTC Oil. Një vit e katër muaj më pas, kompania fantazmë IRTC Oil u zhduk nga sytë këmbët pa paguar asnjë taksë në shtet dhe pa shlyer as pagat e punëtorëve për dy muaj. Pas Besos së Tajvanit, rafinerinë e vuri në punë kompania fantazmë e radhës – Tosk Energji – deri një vit më parë kur edhe këta u zhdukën nga faqja e dheut.

Vendimi i gjykatës numër 7310 i formës së prerë i cili u rikthente pagat e prapambetura punëtorëve përmes sekuestros së aseteve të kompanisë ARMO nuk u zbatua kurrë. Kjo për arsye se asetet e ARMO-s në vitin 2016 u nxorën në ankand nga një kompani përmbarimi që përflitet se është në pronësi të një politikani, në shkelje flagrante të ligjit, duke ia kaluar këto asete Bankës Credins. Sipas Kodit Civil, ishin punëtorët të parët në listën preferenciale ata të cilëve u takonte dëmshpërblimi përmes 54 aseteve të ARMO-s, më pas zyra e tatimeve në shtet dhe vetëm të tretët kreditorët bankarë. Për më tepër, zyra e hipotekës në Mallakastër nuk e regjistroi rafinerinë në sekuestro për llogari të punëtorëve konform ligjit pas vendimit të gjykatës.

Naftëtarët e rafinerisë protestuan për punën e papaguar. Më 1 maj të vitit 2016, në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, ata organizuan një protestë në qytetin e Ballshit të cilës iu bashkuan edhe aktivistët e Organizatës Politike. Më 19-20 maj naftëtarët aktivistët tanë organizuan një protestë në Tiranë para kryeministrisë, protestë e cila kaloi në një heshtje të paprecedentë mediatike. Më 27 maj, aktivistët tanë bënë një takim me naftëtarët dhe pak ditë më pas, më 1 qershor, punëtorët zaptojnë rafinerinë. Protesta zgjat 3 ditë, por zëri i naftëtarëve bie në vesh të shurdhët. Më 11 nëntor, 2016, në rafineri shpërthu një zjarr i madh i cili i mori tragjikisht jetën 41-vjeçarit Shkëlqim Muça që la pesë fëmijë jetimë në kushte të mjerueshme, ndërsa gjashtë punëtorë të tjerë ngelen të plagosur.

Pas rreth 6 muajsh injorim nga ana e shtetit, më 28 gusht 2017 naftëtarët i rinisën protestat në qytetin e Ballshit, protesta të cilave i bashkuan edhe aktivistët e Organizatës. Më 27 dhjetor, punëtorët e rafinerisë vendosën të bëjnë një protestë para zyrave të Prefekturës në Fier. Të injoruar edhe këtë herë, ata i hipën autobusit për me destinacion Tiranën. Në mes të rrugës, diku afër qytetit të Lushnjës, shoferi i autobusit mori urdhrin (nuk dihet se nga kush) që të kthehet në Fier, duke i detyruar punëtorët të zbresin nga autobusi e të nisen me këmbë drejt Tiranës. Aktivistët e Organizatës Politike gjatë natës shkuan të marrin me makina personale grupet e naftëtarëve që po ecnin anës autostradës, disa prej të cilëve e kaluan natën në qendrën sociale Logu i Shkëndijës. Të nesermën e asaj nate u organizua protestë para kryeministrisë, përsëri e kaluar në heshtje mediatike.

Përpjekja e fundit dhe fundi i rafinerisë

Në këto 8 vjetët e qeverisjes së Edi Ramës – deri në vitin 2021 – në uzinë janë shfaqur herë pas here kompani nënkontraktore fantazma (të regjistruara në parajsa fiskale dhe që nuk u njihet pronari) të cilat e kanë shfrytëzuar naftën e rafinuar, duke shmangur çdo detyrim tatimor, çdo investim të nevojshëm dhe duke mos paguar punëtorët. Për këtë është përgjegjës direkt shteti dhe qeveria e Edi Ramës që ka vazhduar të njëjtën lojë me rafinerinë e naftës dhe me naftëtarët e Ballshit.

Borxhi i akumuluar deri në momentin e shkatërrimit të saj e tejkalonte vlerën 700 milionë dollarë. Rreth 1/3 e këtij borxhi ishtë ndaj shtetit për tatimet e papaguara ndër vite.

Nëse fabrika do vihej në punë me kapacitet të plotë, nafta e dalë nga rafineria e Ballshit do të plotësonte 30% të nevojave të tregut vendas. Ndërkohë, e gjithë nafta që qarkullon në treg për momentin është naftë e importuar, ku pjesën kryesore të tregut e kontrollon Shefqet Kastrati, i cili importon rreth 450.000 tonë naftë në vit. Kastratit nuk do t’i interesonte që t’i zvogëlohej tregu me 30%, duke rrezikuar t’i ngelej e pashitur nafta e importit. Ndërkohë që e gjithë nafta bruto që nxirret në vend, nuk përpunohet dhe nuk hyn fare në tregun shqiptar, por eksportohet.

Më 31 janar 2020 rinisën protestat e punëtorëve para rafinerisë së naftës në Ballsh për pagat e prapambetura. Njëkohësisht, aktivistët nisën procedurat për themelimin e një sindikate të re e të pavarur në sektorin e nxjerrjes dhe rafinimit të naftës. Më 13 shkurt hynë përkohësisht në grevë urie punëtorët e stacionit elektrik të pompimit të ujit në Poçem dhe 5 ditë më pas hynë naftëtarët. Më 25 shkurt, punëtorë dhe aktivistë të OP organizuan një protestë në qytetin e Ballshit nën moton PUNË, PAGË, PERSPEKTIVË. Më 24 korrik naftëtarët zhvilluan një protestë para bashkisë në Mallakastër, ndërsa në 26 gusht u zaptua për një ditë rafineria.

Më 17 shtator 2020, naftëtarët dhe aktivistët e Organizatës Politike zhvilluan në Tiranë një protestë madhështore para zyrave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Policia e Shtetit nuk e lejoi manifestimin me pretendimin se nuk e lejonin masat avti-covid, por protestua u zhvillua gjithsesi. Edhe pse naftëtarët qëndruan me orë të tëra para ministrisë, Belinda Balluku nuk denjoi të presë në takim naftëtarët. Nga përplasja e dhunshme me policinë, u arrestuan tre aktivistë të Organizatës Politike dhe një naftëtar. Ndërkohë, më 22 shtator u njoh zyrtarisht Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar (SNB).

Më 28 shtator naftëtarët u rifutën në grevë urie, ndërsa në 15 tetor grevës iu bashkuan edhe gratë punëtore. Pas zhurmës mediatike dhe presionit të madh të krijuar qeverisë me zgjedhjet vendore që po afronin, Edi Rama pranoi të takohet me naftëtarët. Në këtë takim u ra dakord që shteti të subvenciononte me rroga të plota për një vit mbi 800 punëtorë të rafinerisë. Pas një viti, subvencioni nga shteti binte në 30.000 lekë për dy vjet të tjera.

Pas fitores në zgjedhjet e prillit 2021, Edi Rama mori vendimin e shembjes së rafinerisë së naftës në Ballsh, duke i dhënë fund kështu njëherë e përgjithmonë përpjekjes së naftëtarëve për të rinisur punën në rafineri. Shembja e uzinës atrofizoi jetën ekonomike të qytetit të Ballshit dhe mbarë krahinës së Mallakastrës. Sot e kësaj dite, varfëria po rritet, fuqia blerëse po ulet, sipërmarrjet familjare po falimentojnë, ndërsa shumë nga naftëtarët (sidomos të rinjtë) u arratisen nga vendi. Punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat e fituara me gjyq.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/kauzat/punetore/kauza-e-naftetareve/