KAUZA E MINATORËVE TË BULQIZËS

Minatorët e kromit të qytetit të Bulqizës dhe zonave përreth kanë qenë përherë një hap përpara sa i përket organizimit dhe kërkesave për punë të dinjitetshme.  Ndoshta për shkak të karakterit të punës që kërkon grumbullimin masiv të tyre në disa qindra metra thellësi në brendësinë e tokës, ndoshta për shkak se puna e tyre ka rrezikshmërinë dhe numrin e fataliteteve më të lart se çdo punë tjetër.

Ata tradicionalisht, që prej rënies së regjimit kanë qenë të organizuar nëpër sindikata. Megjithatë, drejtuesit e sindikatave të vjetra gjithmonë kanë shkelur mbi interesat e minatorëve për hir të interesave personale, duke rënë në ujdi me pronarët e minierave dhe me politikanët lokalë. Kjo ka bërë që sa herë është dashur të protestojnë, minatorët të shkojnë përtej sindikatave e të vetorganizohen.

Ne, aktivistët e Organizatës Politike, kemi qenë gjithmonë në krah të minatorëve. Së bashku ne ngritëm një sindikatë të re e të pavarur. Një sindikatë nga vetë minatorët e për minatorët.

Themelimi i SMBB

Më datë 17 nëntor 2019 në qytezën e Bulqizës u shpall themelimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Buqizës (SMBB). Aktivistët e Organizatës Politike iu përgjigjen thirrjes së minatorëve të kromit në minierën e AlbChrome, në atë kohë në pronësi të oligarkut më të fuqishëm të vendin Samir Manes, të cilët ishin të revoltuar nga mungesa e investimeve që shkaktonte vazhdimisht aksidente me pasojë vdekjen, niveli i ulët i pagave, pushimet e shpeshta nga puna pa arsye, ndryshimi i vendit të punës si masë ndëshkimore etj. Ne u sugjeruam miantorëve të zhgënjyer nga sindikatat e vjetra, partnere me pronarin, krijimin e një sindikate të re e të pavarur, e cila do t’u përgjigjej kërkesave të tyre. Pas takimit themelues, minatorët zgjodhën demokratikisht si kryetar të sindikatës Elton Debreshin.

Pushimi nga puna dhe reagimi

Vetëm 5 ditë pas shpalljes së sindikatës së re, më 22 nëntor erdhi njoftimi i shkarkimit nga puna i kryetarit të sindikatës me motivacionin e “thyerjes së disiplinës në punë”. Ky shkarkim ishte në shkelje flagrante të Kodit të Punës. Në ditët në vazhdim, edhe tre anëtarë të tjerë të Këshillit Sindikal u shkarkuan nga puna, ndërsa dhjetëra punëtorë të tjerë u thirrën në Tiranë dhe u shantazhuan. Njëkohësisht minatorët hynë në grevë duke bojkotuar punën, ndërsa aktivistët e OP nisën fushatën ndërgjegjësuese për bojkotimin e mallrave të oligarkut Samir Mane që kishte shkelur të drejtat sindikale të minatorëve. Shumë sindikata nga jashtë vendit kanë nisur letra solidarizimi me sindikalistët e persekutuar. Greva e minatorëve zgjati për 7 ditë, duke shkaktuar një rënie të prodhimit në minierë me 80%, ndërsa aktivistët tanë ndërmorën një numër aksionesh sensibilizuese, ndër të cilat edhe hyrjen në qendrëm tregtare TEG në pronësi të Samir Manes ku shpërndanë fletushka me thirrjen për bojkot. Rojet e oligarkut i morën peng dhe i dhunuan aktivistët, teksa policia e thirrur nga ne arrestoi aktivistët tanë, të cilët u mbajtën mbyllur në qeli për 3 ditë. Më pas ndaj aktivistëve të përfshirë u ngrit padi nga pala e Samir Manes, megjithatë gjykata u dha të drejtë aktivistëve. Ndërkohë, çështjet gjyqësore për pushimin nga puna të minatorëve janë fituar në shkallën e parë nga disa prej tyre, por dëmshpërblimi ende nuk është përfituar.

Protestë në Tiranë

Gjatë vitit 2020 aktivistët tanë bashkorganizuan me minatorët në kryeqytet dy protesta masive, të parën në 26 janar dhe të dytën për ditën e 1 Majit. Në të dyja rastet, policia bashkiake e Erion Veliajt ka refuzuar kërkesën për organizimin e protestave, edhe pse në të dyja rastet protestat u zhvilluan gjithsesi. Protestave iu bashkuan edhe shumë studentë, figura publike dhe mbështetës të kauzës së minatorëve. Në këto dy protesta u denoncua padrejtësia ndaj krerëve të sindikatës, kushtet e vështira në të cilat detyrohen të punojnë minatorët, si dhe gjithë kërkesat e tyre sindikale.

Statusi i Minatorit

Me iniciativën e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB), aktivistët e Organizatës Politike u përfshinë në fushatën për njohjen e Statusit të Minatorit nga institucionet e vendit. Njohja e këtij statusi do t’u siguronte minatorëve disa të drejta bazike si uljen e moshës së pensionit, pensione më të larta, dëmshpërblimin e familjarëve në raste aksidentesh, etj. Nga data 22 nëntor deri në 22 dhjetor udhëtuam në Kukës, Shkodër, Tiranë, Durrës, Fier, Ballsh, Korçë, Pogradec, Memaliaj dhe Gjirokastër për të mbledhur rreth 11.000 firma. Ky peticion iu dorëzua Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Financave, Kryeministrisë dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Nga të katërta këto institucione, i vetmi që u përgjigj ishte Ministria e Financave, e cila në letrën e saj shprehej se Statusi i Minatorit nuk është kompetencë e kësaj ministrie. Ky injorim nga ana e institucioneve të shtetit shqiptar, na shtyu në hedhjen e hapit të radhës.

Kandidimi i Elton Debreshit

Të ndodhur në këtë situatë, pa asnjë shpresë për përmirësim e kushteve të tyre dhe me zgjedhet parlamentare që po afronin, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës mori vendimin e rëndësishëm të kandidimit si kandidat i pavarur në këto zgjedhje të Elton Debreshit, kryetarit të sindikatës të pushuar padrejtësisht nga puna.

Përçimi i zërit të minatorëve në Kuvendin e Shqipërisë do të përbënte një ngjarje të paprecendentë dhe unike për skenën politike shqiptare të 30 vjetëve të fundit. Për të gjithë këtë periudhë, problemet e minatorëve që nisnin që nga pagat e pensionet e ulëta e deri te rreziku i përditshëm i jetëve të tyre, janë injoruar nga politikanët lokalë e vendorë. Në këto kushte, mbështetja e një minatori si kandidat i pavarur për deputet ishte mënyra më e mirë për ta vendosur çështjen e Statusit në qendër të vëmendjes dhe në zemër të fushatës zgjedhore.

Aktivistët e Organizatës Politike u përfshinë katërçipërisht në këtë fushatë elektorale – krah për krah minatorëve – duke e koordinuar dhe duke u angazhuar me organizimin në terren. Për më shumë se tre muaj, u mbledhën firmat për njohjen e kandidaturës së Elton Debreshit, e më pas u organizuan takime në më shumë se 57 fshatra në të gjithë qarkun e Dibrës, si dhe në qytetet kryesore të Bulqizës, Klosit, Burrelit dhe Peshkopisë.  Mbarë opinioni publik shqiptar u ndërgjegjësua për kauzën e të drejtave të munguara të minatorëve të Bulqizës.

Rezultatet zgjedhore, edhe pse nuk ia dolën të çojnë në parlament një minator, ishin gjithsesi premtuese, ku mbështetja kryesore erdhi nga familjet e minatorëve.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/kauzat/punetore/kauza-e-minatoreve-te-bulqizes/